Ekonomia

Në pranverë nis rehabilitimi i aksit Tiranë-Durrës

Rehabilitimi i aksit rrugor Tiranë-Durrës nis në pranverën e këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro, bën të ditur se është hartuar një projekt rehabilitues, i cili jep garancinë për 10 vjet që kjo rrugë do të jetë në kushtet që kërkon kontrata.

“Realisht kemi një gjendje jo të mirë teknike të aksit Tiranë-Durrës. Kjo vjen për disa arsye. Kemi një aks të ndërtuar disa vite më parë. Ka qenë i ndërtuar për një numër të caktuar mjetesh që kalojnë në të. Ka qenë afërsisht diku te 23 mijë mjete. Nga matjet që kemi bërë në këtë aks rrugor qarkullojnë rreth 47-50 mijë mjete në ditë. Kjo është e para. E dyta, ky është aksi më i ngarkuar në trafik pothuajse në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, shprehet Qendro.

Nga ana tjetër, shton ai, në të gjithë këto vite, që pas ndërtimit të rrugës, ka pasur vetëm mirëmbajtje rutinë. “Nuk ka pasur rehabilitim, i cili ka qenë i domosdoshëm për mënyrën se si funksionon ky aks dhe për të gjithë problematikën që kemi. Ne kemi shqetësim të madh në rrugët shqiptare, që ka të bëjë me peshën për aks. Ne kemi realisht raste kur pesha për aks është mbi normën e lejuar dhe kjo dëmton shtresat e asfaltit dhe shtresat e rrugës”, deklaron Qendro.

Aksi Tiranë-Durrës është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes me performancë që Autoriteti Rrugor prej gati një viti ka lidhur me Bankën Botërore.

“Kemi realizuar të gjitha matjet mbi gjendjen teknike, për gjendjen e shtresave siç i parashikon kontrata”, thekson kreu i ARRSH-së.
Ai bën të ditur se projekti i rehabilitimit ka pak ditë që është në duart e supervizionit të kontratës, ose konsulentit monitorues, siç quhet në rastin konkret.

“Ne presim që edhe ata të japin opinionin e tyre dhe në kuadër të gjitha kontratës së mirëmbajtjes që kemi me Bankën Botërore, ku nuk është vetëm aksi Tiranë-Durrës, por janë disa akse si Shkodër-Muriqan, pjesa e Fierit, Pogradecit, Shkodër-Pukë, apo rruga Burrel-Klos-Bulqizë. Ne mendojmë që në pranverë të fillojmë me këto pjesë rehabilituese”, thotë Qendro.
Një vëmendje shumë e veçantë, shprehet ai, i është kushtuar aksit Tiranë-Durrës, sepse realisht është aksi më problematik dhe aksi me qarkullimin më të madh të mjeteve në ditë.

Qendro thotë se projekti rehabilitues nuk parashikon zgjerim.

“Rehabilitimi konsiston në riparimin e shtresave të paketës asfaltike, në sinjalistikë dhe në të gjithë elementët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për zgjerim”, shprehet ai.
Autoriteti Rrugor vitin e kaluar ka miratuar një projekt për zgjerimin me tri korsi të aksit Tiranë-Durrës. Por Qendro shprehet se ai projekt nuk parashikohet të zbatohet.

“Ai është një projekt i cili është në sirtar dhe në këtë vit me buxhetin e miratuar nuk është pjesë e buxhetit, sepse mendojmë që me rehabilitimin deri në 10 vjet, ne fitojmë kohë. Do një studim më të hollësishëm, a do të jetë një investim që do t’a bëjë qeveria dhe shteti shqiptar me buxhetin e vet, apo mund të ketë edhe mundësi të tjera që mund të jenë me PPP, ose me koncension”, bën të ditur ai.

Duke folur për koston e rehabilitimit, kreu i ARRSH-së, tha se do të jetë pjesë e kontratës së mirëmbajtjes që qeveria ka me Bankën Botërore.

Autoriteti Rrugor asnjë detyrim ligjor të bëjë pagesa për nënkontraktorët e Serenisima-s

Në konferencën e tij për shtyp, kreu i ARRSH-së, Qendro i është përgjigjur edhe interesit të medias për detyrimet që ARRSH ka për nënkontraktorët, të cilët kanë punuar për kompaninë Serenisima për ndërtimin e bypassit të Fierit dhe Vlorës dhe që sot nuk janë paguar ende për punimet që kanë bërë.

“Autoriteti Rrugor e njeh këtë si problem. Ne i kemi takuar disa herë përfaqësuesit e kompanive, kemi biseduar me ta. Ata në një moment të dytë kanë zgjedhur edhe një studio ligjore konsulente, e cila ka ardhur ka bërë disa takime me Autoritetin Rrugor dhe ditën që kanë protestuar para Autoritetit Rrugor, një përfaqësi të tyre unë e kam pritur në zyrë, ndërkohë që po protestonin. Dua të sqaroj opinionin publik mbi këtë lloj situate”, sqaron Qendro.

Në by pass-in e Fierit dhe by pass-in e Vlorës kompania e cila ka fituar garën dhe është marrë me ndërtimin e këtyre dy by pass-eve ka dy lloj nënkontraktorësh: kontraktorë të nominuar dhe të njohur nga Autoriteti Rrugor dhe nënkontraktorë të cilët i ka nënkontraktuar vetë, në bazë të ligjit të marrëdhënies civile që kanë dy kompani me njëra-tjetrën.

“Realisht kemi një numër të caktuar, kemi 47 kompani në Fier dhe 34 kompani në by pass-in e Vlorës, të cilat kanë pretendime për mosshlyerjen e detyrimeve që ka Serenisima ndaj tyre. Sa janë të vërteta punimet që kanë kryer këto kompani në terren në të dyja by pass-et, ne këtë e kemi të verifikuar nëpërmjet supervizorit në raportin final që ka bërë supervizioni, sepse kjo kompani para pak kohësh ka shpallur falimentin dhe nuk është më duke kryer punimet në terren”, thotë Qendro.

Ai bën të ditur se Autoriteti Rrugor nuk ka asnjë detyrim ligjor që të bëjë pagesa për nënkontraktorët, të cilët kanë kontratë me Serenisimën, në qoftë se e bën një gjë të tillë, shkel ligjin.

“A kanë të drejtë nënkontraktorët apo jo? Janë në të drejtën e tyre. Ne kemi një shkresë zyrtare nga Serenisima ku i njeh kompanive detyrimin që u ka atyre, ne e kemi këtë, ndërkohë që nuk kemi asnjë veprim fundor, që do të thotë të kemi ndonjë vendim gjyqi ose veprim gjyqësor midis kompanive që kanë borxhe dhe Serenisimës, ne thjesht kemi pretendimin shoqëruar me disa fatura që këto kompani kanë punuar me Serenisimën. Kjo është situata”, sqaron ai.

Gjithashtu, bën të ditur Qendro, Autoriteti Rrugor me kompaninë Serenisima është në gjyq, që në momentin që ata kanë shpallur falimentin.

“Kanë filluar gjyqet e para në korrik, jemi në tre gjyqe, sepse jemi në gjyq për paradhënien dhe për garancinë e kontratës, dhe për garancinë e kontratës tek njëri by pass. Nuk kemi ne një përfundim të asnjërit prej proceseve gjyqësore. Dhe garancitë që ka vendosur firma Serenisima për ndërtimin e këtyre dy by pass-eve janë akoma të bllokuara në bankë sepse jemi në proces gjyqësor”, thotë ai.

Sipas tij, kjo kontratë ka filluar shumë vite më parë, nuk është kontratë e lidhur tani me Autoritetin Rrugor, dhe kjo është një problematikë që ka kaluar nëpër institucionet shtetërore disa herë.

Për të qenë më të përgjegjshëm dhe për të qenë më të sigurtë në përballjet me seancat gjyqësore që kemi me Serenisimën, Autoriteti Rrugor, shprehet ai, ka kërkuar përfaqësim nga Avokatura e Shtetit, në këto gjyqe me qëllim që ne t’i fitojmë këto gjyqe dhe këto lekë të jenë në arkat e shtetit shqiptar, sepse i takojnë shtetit shqiptar, me qëllimin që gjithë punimet e ngelura të bëhen me këto lekë që kanë ngelur nga fondi i cili ishte parashikuar për ndërtimin e rrugëve.

“Në finale zoti Biba, unë e ndoqa sot në transmetimin live që ju bëtë, nuk thotë të vërtetën, ose më saktë gënjen, kur thotë se Autoriteti Rrugor ka thënë se do t’ju japë lekët. Autoriteti Rrugor në takimet që ka bërë këtu, unë si drejtor i Autoriteti Rrugor së bashku me drejtorin juridik, së bashku me drejtorin e PMU-së që ndjek të dy by pass-et dhe me specialistë të ARRSH ju kemi thënë që kjo është situata. Ne e kuptojmë edhe vështirësinë që kanë ata, por ne shkelim ligjin, në qoftë se likuidojmë ato fatura sepse nuk njihen ligjërisht nga Autoriteti Rrugor. Kjo është pak a shumë e gjithë situata që paraqitet në by pass-in e Fierit dhe Vlorës”, deklaroi Qendro.

Qendro thotë se nuk përgjegjësi e Autoritetit Rrugor për situatën e krijuar mes kompanisë dhe nënkontraktorëve.

“Në qoftë se një kompani private që ka një kontratë me shtetin, bën marrëveshje kontraktuale me kompani të tjera, kjo është një çështje civile dhe arbitri në këtë rast, nuk është Autoriteti që ka dhënë punën, është gjykata. Ata duhet t’i drejtohen gjykatës, siç i jemi drejtuar ne në rastin konkret me gjyq Serenisimës. Dhe në momentin që ka një vendim final për gjithë marrëdhënien që ka Serenisima me të gjithë kontraktorët, atëherë vihet, verifikohet në terren se çfarë janë nga këto që pretendojnë dhe merret një vendim. Por ne në protestë nuk kemi vetëm nënkontraktorë që kanë kryer punë civile, ne kemi edhe furnitorë”, shprehet ai.

Sipas tij, ata që protestojnë janë nënkontraktorë që kanë kryer punë civile dhe furnitorë të firmës Serenisima.

Ndërsa i pyetur se a kanë organet tatimore përgjegjësi për këtë rast, Qendro thotë se tatimet njohin faturën tatimore. “Kjo është situata për të cilën ata protestojnë dhe në fakt qëndrimi dhe shfrytëzimi politik i këtyre situatave nuk është në të mirën e tyre. Nuk është një kontratë kjo e lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor, është një kontratë lidhur para shumë vitesh, jemi në të vërtetë në një situatë shumë të keqe më të dyja by pass-et, ndërkohë që by pass-i i Fierit duhet të kishte mbaruar me kohë. Ne kemi bërë veprime të përgjegjshme, kemi hapur gjyq me Serenisimën, kemi shpallur garën dhe jemi në pritje të mbarimit të garës, për t’i përfunduar këto dy by pass-e. Përsa i përket pretendimeve që kanë protestuesit, për mospritje nga ministri, mostakim nga ministri, unë ia kam bërë me dije ministrit të gjithë problematikën dhe me autorizimin e ministrit unë i kam bërë gjithë këto takime, në mënyrë të vazhdueshme. Dhe kanë qenë 6-7 takime, nuk ka qenë një i vetëm. Megjithatë ata kanë të drejtë të protestojnë, por mos të gënjejnë në ato që deklarojnë”, shton Qendro.

Ndërsa i pyetur mbi mundësinë e vendosjes së një sekuestroje mbi punimet në by pass-e, në rast se fitojnë gjyqin me Serenisiman, Qendro thotë se marrëdhëniet midis shtetit dhe kontraktorëve i rregullon kuadri ligjor. “Kur të vijë kjo situatë do të shfletojmë ligjin dhe sipas ligjit do të veprojmë”, shprehet ai.

Protesta e banorëve për by pass-in e Shkodrës, Qendro: Projekti është bllokuar nga Bashkia e Shkodrës 

Bashkia e Shkodrës ka bllokuar punimet në by pass-in e Shkodrës, por sipas kreut të ARRSH-së, projekti është ligjërisht i saktë dhe i ka kaluar të gjithë filtrat ligjorë, që nga hartimi i projektit, deri në zbatim.

“Realisht kemi një bllokim të një loti të by pass-it të Shkodrës. By pass-i i Shkodrës është me dy lote. Ka pasur një pretendim nga bashkia Shkodër, e cila thotë që banorët nuk duan që të zbatohet projekti i cili ka nisur para shumë vitesh. Dua të bëj me dije që projekti i by pass-it të Shkodrës, kur është hartuar nga autoriteti rrugor, apo ish drejtoria e rrugëve, ka marrë miratimin nga bashkia Shkodër, që do të thotë se pasi është miratuar projekti nga autoriteti rrugor, ka marrë dakordësinë nga bashkia Shkodër, pastaj është kryer gara dhe kompanitë po punojnë për zbatimin e atij by pass-i. Bashkia aktuale thotë që ne nuk jemi dakord me atë çka ka qenë dakord bashkia paraardhëse. Ne e kemi njohur këtë si shqetësim. Unë kam bërë personalisht disa takime me kryetaren e bashkisë Shkodër në Autoritetin Rrugor. Ne jemi dakordësuar me bashkinë Shkodër për t’i gjetur një zgjidhje gjithë situatës. Bashkia Shkodër ka kërkuar një sqarim të opinionit publik në sallën e këshillit bashkiak të bashkisë Shkodër. Unë kam shkuar aty së bashku me specialistët, bashkë me kompaninë. I kemi bërë këto sqarime në sallën e këshillit bashkiak”, deklaron Qendro.

Qendro shprehet se ARRSH është në diskutime me bashkinë e Shkodrës për vijimin e punimeve.

“Bashkia Shkodër mban një qëndrim, thotë pavarësisht kësaj, ne nuk duam që projekti i miratuar po nga bashkia Shkodër të zbatohet. Jemi në diskutime për t’i dhënë një finalizim gjithë problematikës së gjithë këtij diskutimi të madh, por ka dy rrugë. Ose do të përmirësojmë projektin që është duke u zbatuar, ose duket t’a ndërpresim projektin. Për këtë, përgjegjës është ai që kërkon ndryshimin e projektit. Në rastin konkret, bashkia Shkodër e ka miratuar që të zhvillohet ky projekt dhe po bashkia Shkodër thotë unë nuk jam më dakord. Le ta mbajë përgjegjësinë bashkia Shkodër që ky projekt të mos të zbatohet, të dërgojë shkresë dhe ne pastaj të shikojmë të gjitha hapësirat ligjore se çdo të bëhet me këtë projekt”, shprehet kreu i ARRSH-së.

Por, nënvizon ai, nuk mundet që të lëmë në mes një projekt i cili ligjërisht është i saktë dhe i ka kaluar të gjithë filtrat ligjorë që në hartimin e projektit deri në zbatim. “Është një problem që unë mendoj që shumë shpejt, ne kemi kërkuar edhe një takim tjetër me kryetaren e bashkisë Shkodër bashkë me zv.ministrin e ministrisë sonë. Besoj do ta realizojmë këto ditë. E kemi parashikuar në buxhet dhe presim që të marrë një zgjidhje”, informoi Qendro

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button