Kosova

Neglizhenca e organeve të shtetit, themeloi Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë ka marr buxhetin një vjeçar nga Bashkimi Evropian, me çka edhe afrohet për një hap fillimi i punës së saj.

Nga ana tjetër, edhe pse deputetët në Kuvendin të Kosovës tashmë kanë votuar për themelimin e Dhomave Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special të kësaj Gjykate, njohës të çështjeve të drejtësisë thonë se ky ka qenë një gabim i madh dhe një e padrejtë që po i bëhet shtetit dhe popullit të Kosovës.

Sipas tyre, këto hetime do të duhej të bëheshin brenda institucioneve të Kosovës.

Themelimi i kësaj gjykate, sipas tyre, është bërë për pazare personale dhe se koalicioni qeveritar PDK-LDK është bërë pikërisht për themelimin e kësaj gjykate.

Avokati Tomë Gashi, tha për KosovaPress se Gjykata Speciale punën do ta nisë në muajin shtator apo muajin tetor.

“Kjo gjykatë është shumë e padrejtë, është raciste sepse merret vetëm me gjykimin e një pjese, faktikisht shqiptarëve. Ne gjithmonë kemi deklaruar, si të huajt ndërkombëtar por edhe politikanët vendor, se Kosova është multi-etnike dhe duhet të jetë multi-etnike, mirëpo ne tani kemi gjykimin e vetëm një etnie, vetëm të shqiptarëve, të cilët do të akuzohen dhe do të gjykohen në këtë Gjykatë Speciale. Ajo që ne e dimë është se kjo gjykatë do të merret me veprat penale të pretenduara si krime të luftës dhe veprave të tjera shumë të rënda penale. Periudha kohore që tani është përcaktuar është viti 1 janar 1998, deri më 31 dhjetor të viti 2000, ky është juridiksioni i tanishëm që e ka kjo gjykatë, mirëpo gjithmonë çështjet mund të ndryshojnë dhe mund të merren edhe me rastet tjera”, tha Gashi.

Është thënë se kjo gjykatë do të punojë me ligje të Kosovës, por një gjë të tillë nuk e beson aspak avokati Tomë Gashi.

Ai thotë se në këtë gjykatë gjithçka do të jetë e huaj, veç përkthyesve nga Shqipëria dhe të akuzuarve që do të jenë shqiptarë, dhe nëse këta të fundit zgjedhin që të kenë avokat mbrojtës nga Kosova.

Ndër tjera, Gashi thotë se themelimi i kësaj gjykate ka ardhur edhe si neglizhencë e organeve të shtetit që nuk janë marr seriozisht me raportin e Dick Martyt, raport ky i cili, sipas tij, ka qenë raport politik e që më pas është shndërruar në problem juridik.

“Organet e Kosovës kanë pas mundësi që të formojnë një ekip e që të kërkohet një hetim lidhur me pretendimet e Dick Martyt. Pastaj kemi mundur vetë të krijojmë një gjykatë për krime të luftës në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, mirëpo nuk ka pas vullnet politik, duke pretenduar secili prej zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës që ajo nuk është çështje e problemit të tij personal, por eventualisht mund të bëjë me dikë tjetër. Ne nuk e kemi mbrojtur askënd dhe kështu që askush nuk do të na mbroj ne, dhe për këto arsye të neglizhencës tonë ka ardhur deri te formimi i Gjykatës Speciale”, thotë avokati Gashi.

Sipas tij, gjithçka ka qenë ngritje e pazarit personal të dikujt, ndërsa thotë se koalicioni qeveritar PDK-LDK është formuar vetëm për Gjykatën Speciale, si dhe vazhdimin e negociatave me Serbinë, e të cilat negociata Gashi i quan të dëmshme për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Themelimin e Gjykatës Speciale me këmbëngulje e kundërshtuan edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni për KosovaPress tha se për ta nuk është e rëndësishme dinamika e themelimit të Gjykatës Speciale, por problematika qëndron që kjo gjykatë nuk do të duhej të themelohej, për arsyet që, siç e thotë ai, kjo Gjykatë dëmton imazhin e Kosovës. Ai veç tjerash ka shtuar se me këtë Gjykatë po mundohen të ndryshojnë të vërtetën historike të luftës së fundit në Kosovë.

Themelimi i Gjykatës Speciale sipas Hysenit është vulosje se Kosova nuk mund të prodhoj drejtësi.

“Kjo është një lloj vulosje se Kosova nuk mund të prodhoj drejtësi vetë dhe rrjedhimisht drejtësia duhet të vij nga jashtë… Ne mendojmë që së pari nuk duhet të ketë Gjykatë Speciale në mënyrë të veçantë vetëm për Kosovën. Ne jemi të bindur që secila vrasje në Kosovë duhet të hetohet por kjo duhet të ndodh prej organeve vendore, duhet të hetohen edhe vrasjet, dhe kjo gjithsesi duhet të bëhet nga brenda dhe nga institucionet e Kosovës. Ndryshe prej subjekteve tjera, që dikush fërkon duart e dikush kundërshton, varësisht se kë do ta rrezikoj kjo Gjykatë Speciale, ne mendojmë se kjo Gjykatë Speciale duhet të kundërshtuar pavarësisht personaliteteve, apo figurave që mund të jenë pjesë e këtyre gjykimeve sepse në radhë të parë kjo Gjykatë Speciale i bënë dëm të pariparueshëm Republikës së Kosovës”.

Edhe njohësi i drejtësisë, Burim Ramadani tha për KosovaPress se themelimi i Gjykatës Speciale është një e padrejtë që i është bërë Kosovës.

“Pa asnjë dilemë Specialja është një e padrejtë që i është bërë Kosovës. Për më keq, qysh prej raportit të Dick Martyt, institucionet e Kosovës nuk kanë ditur të veprojnë në formë institucionale. Ka pasur reagime emocionale, por nuk ka pasur qartësi vendore se çka duhet bërë. Sot e mendoj se po të themelonte Kosova një mekanizëm të tillë për ‘raportin Marty’, Specialja do të dukej krejtësisht ndryshe si në formë, po ashtu edhe në përmbajtje. Po ashtu, nuk do të ishte jashtë territorit”, tha Ramadani për KosovaPress.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button