Netanyahu përjashton Spanjën nga qendra e koordinimit për armëpushimin në Gaza
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Spanjën për armiqësi ndaj vendit të tij dhe njoftoi përjashtimin e Madridit nga mekanizmi ndërkombëtar i mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Spanja ka zgjedhur të jetë vazhdimisht kundër Izraelit (…) Ata që sulmojnë shtetin e Izraelit në vend që të përballen me regjimet terroriste nuk do të jenë partnerët tanë për të formësuar të ardhmen e rajonit”, deklaroi Netanyahu në një video-mesazh.
Ai akuzoi Madridin për “hipokrizi” dhe “armiqësi”, duke pretenduar se po “shpif ndaj ushtarëve të ushtrisë izraelite”.
Netanyahu bëri të ditur se ka urdhëruar përjashtimin e përfaqësuesve spanjollë nga qendra e koordinimit në Kiryat Gat, e ngritur nën mbikëqyrjen amerikane për të monitoruar armëpushimin që hyri në fuqi më 10 tetor mes Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas në Gaza.
Qendra e Koordinimit Ushtarako-Civil (CCMC) është një strukturë mbikëqyrëse nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që monitoron armëpushimin e brishtë dhe koordinon shpërndarjen e ndihmave humanitare në territorin e shkatërruar nga dy vite luftë.
Përveç rreth 200 ushtarakëve amerikanë, në këtë mekanizëm marrin pjesë edhe përfaqësues nga disa vende, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Spanjës janë përkeqësuar ndjeshëm që prej njohjes nga Madridi të një shteti palestinez në vitin 2024, ndërsa të dy vendet kanë tërhequr ambasadorët përkatës.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, një ndër kritikët më të ashpër të ofensivës izraelite në Gaza, është shprehur gjithashtu kundër fushatës ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit, të nisur më 28 shkurt.
Spanja ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në këtë konflikt dhe ka cilësuar “të papranueshme” vazhdimin e operacioneve izraelite në Liban pas armëpushimit të arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Spanja vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin vetëm në vitin 1986, pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco, i cili nuk e kishte njohur kurrë shtetin izraelit dhe mbante lidhje më të afërta me vendet arabe./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.