Nga astronaut në refugjat, si iu kthye përmbys jeta sirianit
Në vitin 1987, Muhammed Faris u bë një hero kombëtar pasi shkoi në hapësirë me sovjetikët. Tani ai jeton në mërgim në Turqi dhe ka një mision të ri: të luftojë për njerëzit e kombit të tij, që kanë mbushur rrugët e Europës si refugjatë. Në Siri, Faris është një hero kombëtar, një shkollë, një aeroport dhe disa rrugë mbajnë emrin e tij
Neil Amstrongu i botës arabe ka një zyrë në një ndërtesë të rrënuar në “Sirinë e Vogël” të Stambollit. Muhammed Faris është një refugjat, si shumica e njerëzve të tjerë që ndodhen jashtë në rrugë dhe po përballet me sfidën më të vështirë të jetës së tij. Ai ka qenë pilot luftarak, astronaut, këshilltar i ushtrisë në regjimin e Assad-it, protestues, rebel dhe dezertor.
Në Siri, Faris është një hero kombëtar. Një shkollë, një aeroport dhe disa rrugë mbajnë emrin e tij. Medaljet në muret e zyrës nderojnë arritjet e tij si një astronaut ose më saktë kozmonaut. Këtu, qindra milje larg vendlindjes së tij, Aleppo-s, ai po bën fushatë për ndryshim demokratik në Siri “përmes fjalëve, jo armëve”.
Në vitin 1985, ai ishte një nga katër sirianët e rinj që iu bashkuan programit trajnues Interkosmos, për aleatët dhe Bashkimin Sovjetik, në Moskë. Kishte qenë edhe një tjetër arab në hapësirë, Sultan Bin Salman Al Saud, anëtar i familjes mbretërore saudite, por kurrë një arab profesionist.
Pavarësisht mbarimit të luftës së ftohtë, marrëdhëniet e SHBA-së me Iranin dhe aleatin e tij, Sirinë, po përkeqësoheshin. Lidhjet siriane me Bashkimin Sovjetik ishin të forta. Rusia mbështeti babanë e Bashar-it, Hafez Assad, në ngritjen e tij në pushtet me anë të një grushti shteti më 1970-n. Në kthim, sovjetikët u lejuan të hapnin një bazë detare në Tartus, që mbetet në duart ruse edhe sot.
Ai ishte një nga 60 kandidatët sirianë në Qendrën e Trajnimit të Kozmonautëve “Juri Gagarin” dhe doli në katërshen më të mirë. Dy ishin alavitë, nga i njëjti sekt me Assad-in, një ishte druzne, dhe i katërti Faris ishte suni. Si anëtar i një sekti që përbën më shumë se 80 për qind të popullatës së vendit, i perceptuar si kërcënim për lidershipin, Faris u prezantua vetëm me emër.
Assad dërgoi një delegacion për “të ndihmuar” Bashkimin Sovjetik të zgjidhte kandidatin fitues. Kandidati më i rritur, një kolonel alavit, kishte një problem shëndetësor, burri druzne nuk kishte gradën e duhur. Ishte e qartë se Faris, një suni, ishte më i përshtatshmi nga dy kandidatët e mbetur. Siç e tregon edhe ai sot, ishte më e lehtë ta zgjidhnin kryeministër, sesa burrin e tyre të parë në hapësirë. Rusët e përzgjodhën dhe e dërguan në një udhëtim në qendrën hapësinore në korrik 1987.
“Ato shtatë ditë, 23 orë dhe 5 minuta, ndryshuan jetën time”, thotë Faris. Ai kreu eksperimente shkencore dhe e fotografoi Sirinë nga hapësira. “Kur e sheh të gjithë botën nga dritarja atje lart, nuk ka ne dhe ata, nuk ka politikë.”
Kur ishte në hapësirë, Faris vendosi të hiqte dorë nga ushtria dhe të merrej me edukimin e njerëzve të tij në shkencë dhe astronomi “për të përjetuar privilegjin që ai përjetoi”.
Kur Faris u kthye në Tokë, ai ishte një hero kombëtar. Ai ishte një burrë nga origjinë e përulur që ishte kualifikuar si pilot dy vite përpara se të zgjidhej. Faris i kërkoi presidentit të financonte një institut kombëtar të shkencës hapësinore që të ndihmoheshin edhe sirianë të tjerë të ndiqnin hapat e tij. Përgjigjja ishte jo.
“Hafez Assad donte t’i mbante njerëzit e tij të paarsimuar dhe të ndarë, të mos arrinin t’i kuptonin punët”, kujton ai. “Kështu qëndrojnë në pushtet diktatorët.”
Kur Bashar-i mori pushtetin në vitin 2000, Faris ishte ndër të parët që e takoi. “Ashtu si i ati, Bashar ishte një armik i shoqërisë”, thotë Faris. Si kreu i Akademisë së Forcave Ajrore të vendit, ai u bë këshilltar ushtarak me shpresën se ngadalë do të ndikonte në krijimin e akademisë hapësinore të Sirisë. Më vonë, në vitin 2011, shpërtheu Pranvera Arabe kudo nëpër rajon. Faris u përfshi në protestat paqësore kundër regjimit, por pastaj gjithçka u përfshi nga dhuna.
Faris planifikoi largimin e tij bashkë me gruan dhe tre fëmijët. Ata paketuan çfarë mundën në një makinë pa ngritur dyshime dhe shkuan në kufirin turk në gusht 2012. Ai u bë kështu dezertuesi i rangut më të lartë nga regjimi i Assad.
Në zyrën e tij në Stamboll, ai mban varur medaljet e fituara. Tashmë 64 vjeç, ai ka marrë oferta të shumta për ndihmë. Por i ka refuzuar ato, sepse tashmë nuk bëjnë më punë, ndërhyrja si nga qeveritë europiane dhe ajo amerikane duhej të kishte ardhur kur ishte më e nevojshme, sipas tij. “Ata janë kundër idealeve të mia, nuk mund të jetoj atje”, thotë ai.
Për momentin, Faris nuk do të shkojë asgjëkund. Ka këshilluar vazhdimisht qeverinë turke rreth të drejtave të refugjatëve sirianë dhe gjithashtu po diskuton zgjidhjen ushtarake me kontaktet e vjetra në forcat ajrore turke. Ai është gjithashtu pjesë e Komitetit Kombëtar Sirian për Koordinimin e Ndryshimit Demokratik, një grupim kundër dhunës dhe anti-Assad që takohet në Spanjë.
“Ëndrra ime është të ulem në vendin tim, në kopshtin tim dhe të shoh fëmijët jashtë që luajnë pa iu trembur bombave”, thotë Faris. “Do ta shohim, e di që do ta shohim. Doja vetëm një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi, por ndikimi i jashtëm mbi revolucionin e prishi atë. Tashmë është shumë e vështirë”, thotë ai me lot në sy.
“Qytetërimi sirian është 10000-vjeçar. Do t’i mbijetojë përpjekjes së Assad-it për ta shkatërruar atë. U ka mbijetuar edhe më të këqijave”, përfundon ai.
*Burimi: Guardian