Kronika
Nga Norvegjia në Greqi, 37 organizata thirrje Qeverisë shqiptare: Tërhiq paketën “antishpifje”
December 16, 2019
0 1 minute read
Janë 37 organizata nga vende të ndryshme të botës, 35 prej të cilave janë pjesë e “Solidarity Platform”, të cilat i janë bashkuar deklaratës së organizatave shqiptare të medias dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke i bërë thirrje Qeverisë Shqiptare të tërheqë paketën ligjore anti-shpifje që i është propozuar Kuvendit dhe në rast mostërheqje, i bëjnë thirrje Kuvendit ta rrëzojë atë menjëherë.
Në deklaratën e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksohet se pjesë e organizatave nënshkruese janë 10 Komitete Helsinki me reputacion të lartë dhe veprimtari të spikatur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në nivel komëtar dhe ndërkombëtar dhe që e kane qendrën e veprimtarisë së tyre në Hollandë, Norvegji, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Armeni, Poloni, Greqi, etj.
“Përveç mbështetjes fuqimisht të argumentave të paraqitura më herët nga organizatat shqiptare të medias dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Rrjeti Solidarity Platform vendos theksin tek fakti që kjo paketë ligjore nuk përputhet me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet, prosperitet të shtetasve të vendeve tona.
37 organizatat vendosin theksin se, në kryesimin e OSBE-së Shqipëria duhet të jetë një model për vendet e tjera që zbatojnë angazhimet në kuadër të OSBE-së, sa i takon respektimit të medias së lire”, thuhet në deklaratë.
Mazhoranca socialiste pretendon se me paketën antishpifje do të ndihmojë në organizimin e medias online dhe do të luftojë lajmet e rreme, por shoqatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile në vend thonë se arsyet janë të tjera.
Gazetarë dhe aktivistë theksojnë se kjo paketë nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme, por është përpjekje për të kontrolluar edhe median online.