Nga po e çon politika ekonominë e Kosovës?
Vazhdimi i bllokadës institucionale si pasojë e ngërçit politik do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë vitit 2015, po ashtu do të ndikojë edhe në rënien e investimeve dhe shtimin e krizës financiare.
Në rast se nuk do të konstituohet Kuvendi këtë vit, në vitin e ardhshëm do të hyjmë pa buxhet të miratuar dhe kjo do të ketë pasoja serioze për Republikën e Kosovës. Në tre muajt e parë të vitit 2015 pagesat do të jenë të kufizuara, sepse secilin muaj mund të shfrytëzohet vetëm 1/12 e shpenzimeve në vitin paraprak. Por, më e keqja e të gjitha të këqijave është nëse buxheti nuk arrin të miratohet as deri në fund të marsit të vitit 2015, atëherë më 1 prill ndërpriten të gjitha pagesat, pos atyre për servisimin e borxhit publik.
Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Financave (MF) ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se njëherë s’ka problem financimi, pasi janë të siguruara mjetet financiare për paga dhe pensione.
“Aktualisht nuk kemi probleme me financimin e funksioneve themelore të vendit, pasi janë të siguruara mjetet financiare për paga, pensione si dhe realizimin e projekteve të filluara konform dispozitave ligjore në fuqi”, është sqaruar në përgjigjen e kësaj zyre.
Kjo zyrë ka treguar se nëse vazhdon bllokada, atëherë qeveria mund të alokojë buxhet për vitin paraprak. “Në bazë të Ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe në bazë të Ligjit mbi buxhetin e vendit, në rastet kur në Kuvend nuk aprovohet buxheti, atëherë Qeveria mund ta alokojë 1/12 e buxhetit të tërësishëm për vitin paraprak vetëm për muajt janar dhe shkurt, ndërsa për pagesat për muajin mars duhet vendimi i Kuvendit”, është saktësuar nga Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Financave.
Ish-kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, aktualisht deputete nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka deklaruar se pasojat gjatë këtij viti nuk mund të jenë të mëdha nga mosrishikimi i buxhetit. Sipas saj, është shumë e domosdoshme të funksionojë Kuvendi sepse më 30 tetor buxheti për vitin 2015 dorëzohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. “Nuk guxojmë që vendin ta dërgojmë në krizë buxhetore e financiare për shkak të qëndrimeve politike e mosmundësisë së marrëveshjes në mes të subjekteve politike”, ka thënë ajo.
Kurse Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS) ka thënë se në rast se nuk konstituohet Kuvendi, në vitin e ardhshëm hyjmë pa buxhet dhe kjo do të ketë pasoja. “Në tre muajt e parë pagesat do të jenë të kufizuara. Secilin muaj mund të shfrytëzohet vetëm 1/12 e shpenzimeve në vitin paraprak”, është shprehur Rexhepi.
Sipas tij, kjo nuk do t’i godasë shumë ata që përfitojnë nga buxheti, por nëse buxheti nuk arrin të miratohet as deri në fund të marsit të vitit 2015, atëherë më 1 prill ndërpriten të gjitha pagesat, pos atyre për servisimin e borxhit publik. “Pra, nuk ka as paga, as pensione e as investime. Pse qeveria e dërgon buxhetin në Kuvend, nuk ka ndonjë rendësi të madhe. Ajo vetëm e kryen një obligim ligjor. Ky dokument është i pavlerë përderisa nuk miratohet nga Kuvendi dhe nuk dekretohet nga presidentja”, ka thënë ai.
Ndërsa Alban Zogaj nga Instituti “RIINVEST” ka thënë se nëse buxheti për vitin 2015 nuk miratohet nga Kuvendi, si rezultat i mosfunksionimit të Kuvendit, atëherë praktikisht institucionet publike të Kosovës do të jenë pa buxhet të miratuar. “Konkretisht nuk kanë të drejtë në shpenzim të parasë publike, sepse ato shpenzime nuk janë të miratuara nga Kuvendi”, ka deklaruar Zogaj. Sipas tij, çdo shpenzim pas asaj periudhe mund të konsiderohet i jashtëligjshëm. “Kjo situatë do ta çonte në krizë edhe më të thellë politike e ekonomike vendin”, ka përfunduar Zogaj.