Kronika

Nikolla, Vitrinave: Jepni dosjet ose do të përballeni me drejtësinë

Mbaron afati. Studentët, ende pa dokumente. Ministrja e Arsimit, shkresë zyrtare rektorit

Nga Shpresa Mezini

Nikolla me studentetKanë kaluar dy ditë nga afati që qeveria i vuri në dispozicion universiteteve të mbyllura, për të pajisur studentët me dokumentin e çregjistrimit. E megjithatë, sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Arsimit, studentët e Universitetit Vitrina, i mbyllur me vendim qeverie, nuk janë pajisur ende me dokumentacionin e kërkuar nga MAS. Prej rreth një muaji, pavarësisht hyrjes në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave që detyron 18 universitetet e mbyllura të pajisin studentët me të gjitha dokumentet pa asnjë pagesë në këmbim, drejtuesit e këtij institucioni, në kundërshtim me këtë detyrim ligjor, vazhdojnë të mos i pajisin studentët me gjithçka u nevojitet për t’u çregjistruar, duke mbajtur “peng” të drejtën e tyre të studimit. Në një situatë si kjo, ku, sipas ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, drejtuesit e Universitetit Vitrina refuzojnë të bashkëpunojnë me studentët për t’u kthyer mbrapsht dokumentet, shqetësimi i të prekurve ka arritur kulmin, ndërsa zgjidhja e vetme për ta mbetet MAS, së cilës i kanë kërkuar të ndërhyjë për të zgjidhur këtë ngërç që mund t’u mohojë atyre të drejtën e vazhdimësisë së studimeve të larta. Nisur nga një shqetësim i tillë, Ministria e Arsimit i është drejtuar zyrtarisht rektorit të Universitetit Vitrina, të cilit i rikujton detyrimet ligjore që parashikohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për heqjen e licencës disa institucioneve të arsimit të lartë” dhe udhëzimit të MAS, ndërsa u bën me dije se: “Ministria e Arsimit dhe Sportit do të mbështesë çdo student, të cilit do t’i shkelet e drejta nga ana e çdo institucioni të arsimit të lartë privat, për të kërkuar të drejtën e tij në rrugë gjyqësore, dhe do të kërkojë vënien para organeve të drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për moszbatimin e kuadrit ligjor në fuqi”. Nikolla shkruan se në MAS po depozitohen një sërë ankesash lidhur me pagesat që u kërkohen studentëve nga ana e institucionit të arsimit të lartë privat Vitrina, lidhur me dorëzimin e dosjes së studentit.

“Konstatojmë se ky problem paraqitet vetëm për studentët e institucionit që ju drejtoni. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në Udhëzimin e sipërcituar është parashikuar vënia në dispozicion të çdo studenti e dosjes, sipas parashikimit në këto akte, pa asnjë pagesë nga ana e studentit. Për sa më sipër,

institucioni që ju përfaqësoni, si dhe ju si drejtues i tij, jeni në shkelje të hapur të akteve nënligjore të sipërpërmendura. Kërkohet nga ju marrja e të gjitha masave për: Vënien në dispozicion të dosjeve të plota, sipas parashikimeve në aktet ligjore në fuqi. Institucioni që ju drejtoni është i detyruar, përveçse t’i vërë në dispozicion studentëve dosjet e tyre, sipas parashikimeve në aktet e sipërcituara dhe pa asnjë lloj pagese suplementare, edhe t’i rimbursojë studentët për të gjitha pagesat e kryera nga studentët, për të cilat ata nuk kanë marrë shërbimin për të cilin kanë paguar”, shkruhet në shkresën zyrtare të ministres së Arsimit, drejtuar rektorit të Universitetit Vitrina, pas ankesave të studentëve, për mosdorëzim të dosjeve. Sipas saj, dosjet e studentëve, të përgatitura nga ky institucion, ato të cilat nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës, dorëzohen zyrtarisht në protokollin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në datat 2-10 shtator, ashtu si dhe i gjithë dokumentacioni ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon institucioni dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike, që prej fillimit të veprimtarisë.

Ndërkohë, mësohet se prej ditësh në Ministrinë e Arsimit një numër i konsiderueshëm studentësh kanë depozituar kuponin e Postës Shqiptare, nëpërmjet të cilit kanë dërguar kërkesën për çregjistrim në universitetin përkatës ose një kopje të kërkesës me shkrim të protokolluar, të cilat do të shërbejnë si prova, për rastet kur çështja do të ndiqet në gjykatë. Dëshmi që do të vërtetojë se është universiteti ai që, edhe pse ka shkelur kontratën me studentët, nuk po i pajis ata me dokumentet përkatëse dhe jo studentët, sepse mund të ndodhë që universiteti të mohojë faktin që i interesuari ka kërkuar të pajiset me dokumentin e çregjistrimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button