Kronika

Nis ndërtimi i Parkut Botanik në Tiranë, Koka: 50 specie drusore

Nis ndërtimi i Parkut të dytë Botanik në kryeqytet. Ai do të shtrihet në të gjithë kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe do të zërë një sipërfaqe prej rreth 83 mijë metër katrorë, në pjesën jug-perëndimore të godinës së Rektoratit të UBT-së.

KOKA-Në të do të mbillen 10 mijë fidanë: 50 specie drusore në blloqe me nga 200 fidanë për secilin lloj, ndërsa është konceptuar jo vetëm si një oaz qetësie dhe çlodhjeje, por edhe si bazë eksperimentale për studentët e këtij universiteti. “Pema e parë” është mbjellë nga ministri Mjedisit, Lefter Koka, në Ditën Kombëtare të Shërbimit Pyjor, ndërkohë që në kuadër të saj, ai ka zhvilluar dhe një takim me akademikë, specialistë të pyjeve dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Pyjore, në UBT. Gjatë fjalës së tij, ministri bëri me dije se deri në përfundim të mandatit qeverisës, pritet që të mbillen 10 milionë fidanë në të gjithë territorin e vendit. “U angazhuam dhe gjatë vitit të kaluar mbollëm 2.5 milionë fidanë, ndërsa synojmë që në fund të mandatit të mbjellim 10 milionë fidanë”, u shpreh Koka. Ndërkohë që duke folur për një nga problematikat aktuale të pyjeve, siç është procesionarja, ose sëmundja e pishave, Koka tha se “kjo është një problematikë edhe për vende të tjera, por për herë të parë do të zgjidhim tërësisht problemin e procesionares, duke marrë masa për ta luftuar në mënyrën më të mirë”.

Parku Botanik

Aktualisht, Tirana e ka një Kopsht Botanik, i cili u hap në vitin 1971. Ai ka një sipërfaqe prej 14,5 hektarë, por mungesa e investimeve ka bërë që vitet e fundit ai të lihet pas dore e për pasojë shumë bimë janë zhdukur. Më herët, specialistët kanë dhënë alarmin se rreth 180 specie të këtij parku janë zhdukur si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes. Ndërkohë që sipas tyre, shkak për këtë situatë është bërë mungesa e ujit për vaditje, cungimi i hapësirës së kopshtit, mungesa e një makine për të rinovuar bimësinë, mungesa e fondeve për mirëmbajtje, etj. Më parë, kopshti furnizohej me ujë nga Liqeni i Tiranës, por vitet e fundit ai nuk ka mjaftueshëm ujë për të bërë vaditjen e kopshtit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button