Nishani merr pjesë në aktivitetet për përkujtimin e 68-të vjetorit të Kryengritjes së Postribës
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ishte i pranishëm sot në Komunën e Postribës të rrethit të Shkodrës, ku mori pjesë në aktivitetet kushtuar Kryengritjes së Postribës, kësaj ngjarje të rëndësishme, që është cilësuar si Kryengritja e Parë Antikomuniste në Shqipëri dhe Europë.
I shoqëruar edhe nga deputetë të qarkut Shkodër, drejtuesit më të lartë vendorë, drejtues të shoqatave antikomuniste, historianë, etj, në këtë përvjetor të 68-të të kësaj ngjarje historike, Presidenti Nishani vendosi kurora pranë memorialit të Kryengritjes së Postribës.
Në fillim të fjalës së tij përpara komunitetit të Komunës së Postribës, komunë e cila është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, presidenti Nishani, u shpreh se “erdha këtu për të nderuar dhe respektuar institucionin e Presidentit të Republikës për të gjithë martirët”.
“Sot në fakt nuk jemi mbledhur për të kujtuar një fitore, as për të përkujtuar një disfatë. Entuziasmi i një fitoreje, sa edhe dëshpërimi i një disfate, janë të rëndësishme, si pjesë e kulturës dhe historisë kombëtare. Por, nuk janë të vetmet arsye për të përkujtuar një ngjarje madhështore. Jemi mbledhur për të përkujtuar një gjë më të madhe se një fitore, apo se sa një disfatë. Jemi mbledhur për të përkujtuar një sfidë madhështore, një sfidë monumentale. Vërtet me përmasa gjeografike modeste, por me jehonë dhe rëndësi kombëtare”, tha Nishani gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Duke iu referuar Kryengritjes së Postribës, 68 vite më parë, presidenti Nishani, shtoi se “fakti që ne përkujtojmë sot një sfidë madhështore antikomuniste të dhjetra viteve të shkuara, nuk do të thotë aspak se ne po jetojmë me kokën prapa, si qëllim në vetvete. Jo, por, ne kokën prapa, e kthejmë dhe do ta kthejmë sa herë historia na kujton dhe sa herë kujtesa na e kërkon”.
Për ngjarjen dhe rëndësinë e saj, gjatë këtij tubimi, folën edhe kryetari i Komunës Postribë, Faz Shaba, historiani Uran Butka, përfaqësuesi i shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, të cilët duke risjellë në vëmendje detaje nga kryengritja e 68 viteve më parë, përcollën vlerësimet dhe nderimet e duhura për ato emra, banorë të komunës Postribë, por edhe të qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të saj, të cilët dhanë kontributin e tyre në organizimin e kësaj kryengritje, e cila për nga rëndësia dhe pesha e saj, vlerësohet si e para e këtij lloji në Europë.