Arte

Një ftesë për në ferr

Artistët Lume Blloshmi dhe Gjergj Prevazi ndërthurin pikturën me kërcimin në muret e Torrës Veneciane në Durrës, duke dhënë një shfaqje që befasoi vizitorët

Nga Vali Qyrfyçi

ftese per ne ferrQë nga lashtësia e deri në ditët tona, njerëzimi ka ecur nëpër një kalvar vuajtjesh që luftërat dhe dhuna sjell. Dy artistë të mirënjohur, piktorja Lumturi Blloshmi dhe koreografi Gjergj Prevazi, e kanë sjellë artistikisht këtë kalvar përmes imazheve artistike dhe dancit “Zarabanda – Ftesë në ferr”.

Gjergj Prevazi, koreograf, thotë për gazetën “Shqip”, se shfaqja premierë “Ftesë në ferr” u bën homazh vuajtjeve njerëzore, flet për kalvarin e vuajtjeve, dhembjeve të popujve që nga lashtësia deri në kohët moderne. Mjaft të kujtojmë Kosovën dhe atë që po ndodh sot në Lindjen e Mesme, në Gaza. Ka qenë një propozim i Lume Blloshmit para tre vjetësh që u materializua këtë verë. Është një përzierje e dancit me imazhin, imazhe që piktorja Blloshmi i ka vizatuar dhe projektuar më parë, por dhe në funksion të kësaj premiere. Lëvizjet koreografike të interpretuara nga Elton Cefa, Akreoma Saliu, Elona Zyberi, Robert Nuha, Rosella Pellicciotti, Glodian Imeraj, Rreze Qerreti dhe Evisa Lazri përcollën te publiku artistikisht intensitetin e vuajtjeve njerëzore dhe ferrit të krijuar mbi tokë nga vetë njerëzit, duke mbështetur imazhet e punimeve të artistes Blloshmi të realizuara në lëkura portokalli. Premiera që ndërthuri bukur artin e Blloshmit të projektuar në muret e Torrës Veneciane me koreografinë e Prevazit dhe lëvizjet e tetë kërcimtarëve, u mirëprit nga qytetarët durrsakë dhe pushuesit e shumtë që frekuentojnë qytetin në këtë sezon. Sipas Prevazit, “Ftesë në ferr” shënoi të parën dhe të fundmen shfaqje për këtë sezon, po në varësi të reagimit të artdashësve, publikut do të përcaktohet dhe kalendari artistik për të. Lume Blloshmi është një nga piktoret e rëndësishme bashkëkohore shqiptare. E lindur në Tiranë më 1944-n, pas studimeve të mesme në Atelienë e piktorit Guri Madhi për pikturë (1963), vazhdon Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në degën e Pikturës nën drejtimin e pedagogëve: Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Danish Jukniu dhe mbron diplomën në vitin 1968. Më tej Blloshmi do të punojë si piktore dekoratore për shumë vjet në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, Tiranë, në GKA, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku dhe del në pension. Krijimtaria artistike e piktores Lumturi Blloshmi është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme. Piktorja Blloshmi ka lëvruar gjinitë si peizazhin, natyrën e qetë dhe kompozimin dekorativ simbolik. Vepra piktorike e Lumturi Blloshmit është mjaft e gjerë dhe grupohet në disa periudha e cikle. Periudha e para viteve ‘90 (1968-‘90) karakterizohet nga realizime piktorike (kryesisht peizazhe), që dallohen nga një kolorit mjaft i fuqishëm, kompozime dinamike të veçanta e interesante. Sigurisht që periudha e dytë (pas viteve ‘90 e në vazhdim) ka një prodhimtari artistike më të gjerë, mjaft interesante, si në cilësitë artistike që ajo mbart, por edhe në variacionet e shprehjeve artistike. Mjetet shprehëse tashmë kanë një diapazon të gjerë, duke filluar në tablotë që realizohen nga natyra, nga veprat dekorative-simbolike e deri tek instalacionet e rezultatet artistike.

Nuk është hera e parë që Blloshmi kërkon të kthejë në art ngjarjet politike. Ajo ka ironizuar shpesh përmes tablove apo instilacioneve situata të ndryshme në vend.

Një vit më parë, ajo u prezantua për publikun me ekspozitën “Homazh për Damien Hirst” nën kurimin e Edi Hilës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button