Një “gomar” në oborrin e Harvardit

Një nga gjërat origjinale që ka Sali Berisha në përndjekjet ndaj kundërshtarëve të tij është t’u bëjë “antimitingje” jashtë Shqipërisë, në përpjekje për t’i sulmuar ose denoncuar në publik. E ka bërë këtë rregullisht për 35 vite, sidomos kur është i izoluar në opozitë. E ka bërë me Fatos Nanon, Edi Ramën, madje edhe me Taulant Ballën. U nxjerr atyre njerëz në rrugë me pankarta, a thua se nuk i ka këtu në Tiranë t’i shajë e t’u hedhë molotov.
Të njëjtën gjë ua bën edhe të huajve që i ka kundërshtarë. I tillë ishte rasti i sekretarit Blinken. Kishte gjetur një “foltorist” që t’i shkonte Sekretarit Blinken në një takim me studentë në Harvard dhe ta denonconte edhe atë. Ironia ishte se ai tipi u përpoq ta lidhte veten me Harvardin, meqë gjendej fizikisht aty, dhe mënyra se si u artikulua lë mbrapa edhe Universitetin e Hasit, që reflekton filozofinë politike të vet në Syri.tv. Harvardi është gjerësisht i pranuar si universiteti më i mirë në botë, por është bërë interesant politikisht pasi presidenti aktual i SHBA e ka shpallur armik për shkak të asaj që ai e quan vatër të ideve liberale dhe frymëzim i lëvizjeve anti-Trump.
Ky tipi që donte të linte të kuptohej se kishte lidhje me Harvardin, në fakt nuk fliste as si student i Harvardit, që duhet të ishte liberal, as si Trump-i, që është i qartë përse e sulmon Harvardin politikisht si konservator. Pak a shumë fliste si shofer kamioni, që duhet të jetë ndonjë punë bazike e tij, pas punës që ka bërë para se të ik emigrant tek Bankers. Jam i bindur se ai mendon që George Soros është i dërguar i Edi Ramës në SHBA për të rrëzuar Trump-in.
Mendo pastaj atë ngatërresën tjetër kur është prezantuar si anëtar i Partisë Demokratike në Shqipëri, që në Harvard tingëllon si anëtar i një partie liberale, deri pa mbaruar fjalinë e parë kanë menduar që është një “gomar” (gomari është simbol i Partisë Demokratike në SHBA).
Ai më shumë duhet ta ketë vënë në siklet Sekretarin Blinken pse gjeti një “gomar” të tillë në Harvard, sesa për pyetjen rreth Berishës, që e kishte shumë të lehtë.
Dhe këtu problemi nuk është tek ai, por tek fakti që Berisha mendon se nuk ka rëndësi si përballesh me një armik tëndin; mjafton t’i nxjerrësh dikë në rrugë e ta gjuash me baltë apo gurë.
Dhe siç ndodh në raste të tilla, në vend të vësh vetulla, nxjerr sytë. I gjithë “gomarllëku” i pyetjes në Harvard i shërbeu për t’i hedhur një kovë ujë të ftohtë gjithë demokratëve që presin që La Civita, pasi mori 6 milionë dollarë, t’i heqë “non grata”-n Berishës. Por me sa duket, Berishës i intereson më shumë të provojë se “revolucioni” i tij po shtrihet në gjithë globin, përfshi edhe “seksionin” që operon në oborrin e Harvardit, dhe se “heronjtë” e tij po luftojnë dhëmbë për dhëmb me armiqtë e tij kudo në botë.
Pas kësaj, ky “gomari” do të zëvendësojë Gazment Bardhin në Fier, i cili boll agresiv është, por është oportunist me armiqtë amerikanë. Dhe kështu mund t’i japë shans PD që nga 4 deputetë që ka marrë në Fier të shkojë në 2.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.