Arte

Një natë nën tingujt e virtuozit

Violinisti Olen Çezari, me një koncert më 23 prill në Pallatin e Kongreseve

cesariViolina e Olen Çezarit do të mbushë më 23 prill me tinguj skenën e Pallatit të Kongreseve. Vetëm dy ditë nga koncerti recital i artistit të njohur në skenat ndërkombëtare, biletat për këtë event janë shitur. Artisti do të shoqërohet në skenë nga International Clandestine Orchestra, ndërsa të ftuar do të jenë Ermal Mamaqi, Alban Skënderaj, Flori Mumajesi e Elvana Gjata. Ardhja e Çezarit me një koncert recital quhet një ngjarje për atmosferën kulturore në vend. Ai konsiderohet si virtuozi i violinës apo “Paganini i ri” sipas kritikës ndërkombëtare. Djaloshi nga qyteti i Durrësit e ka nisur karrierën artistike shumë herët. Ka spikatur që në moshë të vogël, jo vetëm në talentin për violinë, por dhe mënyrën sesi i përfundoi studimet shumë herët. Ishte 17 vjeç kur përfundoi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë për të vijuar më pas Konservatorin “Santa Cecilia” në Romë. Vetë artisti e ka quajtur fat, faktin që është edukuar në një sistem arsimor të rreptë, çka ka rritur profesionalizmin dhe pasionin e tij në këtë lloj arti. Çezari ka interpretuar në skena të njohura botërore, përfshi këtu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Albumi i tij “Unexpected” është shitur në shumë vende të botës, me shumë sukses. Disa vite më parë ai erdhi në Shqipëri në një mënyrë aspak të zakontë. Nëse dikush mendonte se një virtuoz si Oleni do t’i binte violinës vetëm në skena dinjitoze, ai preferoi të tregonte të kundërtën, duke e çuar muzikën te njerëzit e thjeshtë, tek ata që nuk kanë mundësi të blejnë një biletë. Ai dha koncerte në sheshe të Shqipërisë, duke nisur nga Tirana, e më pas në rrethe. Oleni e quan muzikën si një kontakt që i bën njerëzit të njihen me lirinë. Këngëtari italian, Lucio Dalla, e quajti artistin shqiptar si një nga muzikantët më të mirë të kohës. Por nuk është vetëm Dalla me të cilin ai ka bashkëpunuar, por edhe emra të tjerë si Bob Dylan, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow, Zuchero, Claudio Baglioni, Franco Califano, Anna Oxa, etj.

Koncerti i 23 prillit pritet të jetë një spektakël i vërtetë ku violina do të mbizotërojë. Oleni jep shpirtin kur interpreton dhe kjo e bën violinën e tij të ndihet më shumë nga publiku. Dhe pse prej vitesh ndan jetën jashtë Shqipërisë, ai është shumë i lidhur me vendin e origjinës, sidomos detin dhe Durrësin. Pavarësisht ikjeve të gjata, kthimet në Shqipëri janë si kthimet në shtëpi, të cilat nuk mund t’i zëvendësojë asnjë vend tjetër, kështu dhe duartrokitjet e publikut shqiptar. Në faqen e tij në “Faacebook”, Olen ndan me miqtë emocionet nga ditët në Shqipëri dhe faktin që ky koncert është shumë i rëndësishëm për të.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button