Opinion

Një shkrimtar, si Qamil Buxheli

Nga PËLLUMB KULLA

8 shkurti i këtij viti do të shënojë 100 vjetorin e lindjes të një njeriu të madh, – për mendimin tim, – shkrimtarit më të shquar të gjinisë humorit në letrat shqipe. Është fjala për Qamil Buxhelin, i cili mbylli sytë 18 vjet më parë.

Qëkur na la Buxheli, mjerisht në jetën tonë të trazuar nuk është gjendur ma hapësira dhe koha për t’u ndalur dhe folurpër t’u ndërgjegjësuar për vlerat e tij. Na iku një ciceron i pavijonit të jetës sonë, ai rrëfyesi me zë të zvargur, të dembelosur e magjik, njëkohësisht. Na iku një vëzhgues i mprehtë, gjahtar i thekur i pjesës qesharake të jetës shqiptare, që ai e shquante më shpejt e na ftonte vështrimin tonë mbi të. Na iku një nga mjeshtrit e humorit dhe të satirës, ai që shtroi shinat e para të një traseje të gjatë, të një humori të paparë ndonjëherë në letrat shqipe: aq dinamik, aq i zhdërvjelltë, aq i tejpashëm, modern dhe thellësisht popullor. Qamili ishte një autor që llastikun e groteskut e tërhiqte në limitet e gati-këputjes. Gjatë gjithë jetës së tij, na solli tipa e karaktere në kufijtë më të tepruar të qesharakërisë së tyre. Lumi i humorit buxheljan napat ardhur tërë kohën i fryrë buzë më buzë, gati të teptiste e të na përmbytëte. Tregimet, komeditë dhe romanet e Buxhelit dukeshin sikur ishin shkruar pa pikë mundimi, sikur puna mbi ta nuk e pat lodhur fare mjeshtrin. Përkundrazi! Dukej sikur vepra ia kish dhënë vetë shpërblimin autorit atypëraty, në shkrim e sipër,duke e zbavitur pa masë, para se të na argëtonte ne të tjerët!

Shkrimtari i shquar i satires dhe humorit Qamil Buxheli

Qamil Buxheli nuk do të ndahet kurrë nga mjedisi shqiptar, se atë do të na e sjellin karakteret e tij të pavdekshëm… Do të na e sjellin këta burrat e politikës, që nuk po vdesin kurrë, të atij llojit që në ndërrimin e regjimeve, sulen të futen prapa hekurave të burgut, për të regjistruar ca-pak vuajtje, ca-pak persekutim, që u duhet për regjimin e ri. E kur gardianët, në vend që t’i mbajnë mbyllur, duan t’i nxjerrin nga qelitë, ata kapen me thonj brënda hekurave, që regjimi i ri t’i gjejë atje (“Karriera e z. Maksut”). Qamilin do të na e sjellin burokratët legjendarë të administratës së Komandantit. Do të na e sjellin nihilistët e ksenomanët, që përbuzin çdo gjë shqiptare – deri edhe hënën tok me yjet që për ta nuk ndrisin aq sa duhet në qiellin e shqiptarëve. Do të na e sjellin oratorët që marrin fjalën e në vend të flasin përata që duhen përkujtuar, përkujtojnë veten! Do të na e sjellin ndodhirat e plazhit, që do të jenë të njëjtat në jetë të jetëve! E ish komandantët e bataljoneve partizane që lavdia u ka cilësitë e verës që forcohet vit pas viti.

Dhe sidomos nuk do të harrohet Buxheli edhe për guximin e marrë në shpërdorimin e tabuve enveriane: censurës së padeklaruar “ç’është shtylla e telefonit? Hiç, një pishë e redaktuar mirë!”, apo shakave me sloganët lapidarë, të vendosur tek ai muri i mëngjesores, ku piktori pat ngjitur gjysma tabelash, që nuk shkonin me njëra tjetrën e i dilnin të martuara, si mos o Zot: “Proletarë të të gjitha vendeve – veresie s’ka!” dhe “Klientë të dashur – bashkohuni!”

Kujtimet me Buxhelin më shtyjnë të nënvizoj edhe ca përsiatje të trishta.Buxheli përfaqësonte shtyllën më solide të satirës në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi.Por goditje të panumurta mori në karrierën e vet pikërisht për këtë vokacion të tij!Mos harrojmë që ai vinte nga radhët e të rinjve komunistë, idealistë.Ishte një element I spikatur që binte në sypër kulturën e tij të gjerë në kontigjentet e atyre, që zbritën nga malet dhe u ngjitën në pushtet.Në fillesat e rendit të riBuxheli qe caktuar i Pari i Komitetit Qendror të Rinisë por shokët e rangut të tij, – pa dyshim me vlera më të pakta se ai – zunë me dorë tavanin e pushtetit!

Paja e tij satiro-humoristike, ajo dhunti e shquariu bë Buxhelitnjëgjyle e lidhur pas këmbëve dhe nuk e la të bënte hiç përpjetë. Vëzhgimi satirik, ndërgjegja e shenjtë e kritikës, pazotësia për t’i kyçur dhe për të mos i nxjerrë frazat pikante, kur ato i piqeshin brenda vetes, e shpuri,të gjorin, nga njëra paudhësi ideore, në tjetrën. I solli mosbesimin e plotë të udhëheqjes së shtetit dhe i shkaktoi njëmijë strese e kokëçarje…Qamil Buxheli u sha dhe u mallkua, u ul dhe u qarkullua lart e poshtë.Nga një anëtar potencial për Byronë Politike, ai shkelmoi të gjitha ambiciet komuniste dhe iu fal shkrimtarisë të humorit, asaj zeje shpesh të përbuzur, por të shëndetshme që mban gjallë prushin e jetës. Ai lëvroi atë fjalë të mprehtë dhe të pabujshme, që në salla nuk të ftonte kurrë të ngriheshe në këmbë, të duartrokisje e brohorisje, siç bëhej ushtarakisht rreth e rrotull teje. Fjala e tij ishte më e thjeshta, më demokratikja në gjithësi: me të nuk të skuqeshin shputat, por ishe i lirë, bile,as të mos e vije buzën në gaz!

Jo të gjitha të këqiat vijnë për të të dëmtuar: letërsia që bëri Buxheli ishte një letërsi pa ngarkesa. Ai nuk pati se ç’të zhdukte, fshinte dhe krasiste në kohërat që erdhën pas theqafjes së komunizmit.  Në faqet e librave të tij, nuk kishin zënë vend hymnizimet e partisë  dhetëliderve të saj, që kërkoheshin gjatë mobilizimit ushtarak të shkrimtarëve të realizmit socialist. Nuk gjen në faqet e shkruara nga mjeshtri ynë, as Sekretarë të Parë, as heronj të lavdishëm!Dhe sidomos asnjë kooperativist të lumtur! Ai dëshmoi atë pjesë të jetës socialiste që ishte e vërtetë: burokratike deri në palcë dhe qesharake, sa nuk bëhej më!

Personalisht kam patur privilegjin e çmuar të gëzoja miqësinë e

Buxhelit. Shokët  e mi të kursit, në fakultetin tonë të teatrit e dinin adhurimin tim për guximin e tij satirik. Me tallje ata më thërrisnin Eskamiljo, një version spanjoll i emrit Qamil.Ai atëhere nuk i dinte këto shakara dhe kalonte përditë indiferent para nesh, studentëve, nga të cilët njëri (i nënshkruari), e adhuronte dhe të tjerët e kishin marrë vlerësimin e lartë për të, si infeksjon gazmor.

Qamil Buxheli e kish zyrën në të njëjtin korridor, ku ne zhvillonim mësimet. Atë kohë ai drejtonte revistën “Ylli” dhe kish mbledhur rreth vetes shkrimtarë të përkushtuar të satirës, si ai vetë… Kin Dushin dhe Naum Priftin, mes të tjerësh…

Do të kujtoj, se si, një ditë shpura në zyrat e “Yllit” një tregim satirik, që lumtërisht, m’u botua. Isha vetëm një student 22 vjeçar dhe nga gëzimi, nuk më mbante vendi. Por vura re se në shkrimin tim kishin futur duar të huaja dhe e patën redaktuar rëndë për publikim. Miqtë e mi “spiunë”, që punonin në “Ylli”, më thanë se këtë punë e kish bërë pa teklif vetë i madhi, Buxheli! Gjeta rast të bëja një veprim me dy përmbajtje të ndryshme që nuk shkonin hiç: të protestoja dhe të takohesha  për herë të parëme idhullin tim…

Qamili më priti me mirësjellje dhe më përcolli duke m’i fashitur protestat. Më tha që isha i ri dhe ai më kish ndihmuar dhe, sipas tij, tregimi kishte fituar mjaft nga përpunimi i tij. Kur dola, mora frymë thellë dhe shqiptova një frazë që e kisha bluar netë me radhë, që, kur ta takoja, t’ia përplasja në fytyrë Qamil Buxhelit. Ishte një nga ato fraza, që unë ëndërroja që të hynte në enciklopeditë e anekdotave historike të rruzullit, ku të tregohej se si njëherë ai “shkrimtari i famshëm, ia përplasi atij shkrimtarit tjetër të famshëm”! Por nuk isha fort i nxehur dhe po e ndjeja që nuk nxehesha dot me një njeri që e adhuroja, prandaj edhe fraza historike nuk ngjiti në histori.

“Kështu, shoku Qamil”, i thashë, “unë atë tregim nuk e njoh më. Dhe nuk e quaj timin. Keni vënë aqë shumë dorë në të, sa jeni i lirë, kur të doni, ta përmblidhni me tregimet tuaja, tek “Një Ndodhi në Plazh”, a ku të keni qejf!”

Sado i brishtë guximi im, e befasoi Buxhelin. Por ai e mblodhi veten dhe më tha i zemëruar, ashtu, me ato buzët e shtërnguara dhe me atë zërin e zvargur e të dembelosur: “Ç’thua, mo?! Unë atë tregimin tënd, nuk e marr dot me vete as kur shkoj nganjëherë tek ajo dera që ka shenjë një këpucë burrash, në fund të korridorit!”

Unë ula kokën e ika duke u përpjekur të mbaja gazin.Nuk kisha se si të fyhesha, se e desha fort.

E kam dashur shumë atë njeri!…

I qoftë i përjetshëm kujtimi, ai kujtim që duhet të përhirojmë më 8 shkurt 2024, ditë kur lindi Qamil Buxhel 100 vjet më parë!..

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button