Kronika

Nuk justifikon 500 mijë euro pasuri në depozita dhe prona, ILDKP kallëzon Ridvan Boden: Refuzoi të japë shpjegime

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzon penalisht në prokurori ish ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Burime nga ILDKP bëjnë të ditur për “Panorama Online” se deputeti demokrat nuk ka treguar burimet e ligjshme për një pasuri që shkon rreth 500 mijë euro dhe që është e deklaruar në prona dhe depozita në emër të vetë Bodes dhe të familjarëve të tij.

Ridvan Bode

Njoftimi i plotë

Më datë 7 Prill 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve, dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, paraqiti pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Ridvan Bode, me funksion Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 257/a/1/2 dhe 287 të Kodit Penal.

Subjekti Ridvan Bode dhe pse u njoftua disa herë nga ILDKPKI gjatë procesit të hetimit administrativ, refuzoi të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin justifikues-ligjor për to.

Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button