Obama: Lidershipi amerikan është më i fortë se kurrë
Lidershipi amerikan është më i fortë se kurrë, pavarësisht një numri të madh sfidash, luftës kundër organizatës së Shtetit Islamik dhe kundër epidemisë së Ebolës, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama.
Barack Obama, i cili gjatë marrjes së funksionit para gjashtë viteve kishte premtuar se do t’i jepte fund luftërave, ndodhet në rolin e një drejtuesi që ka nisur një luftë të re, kundër ISIS. Dhe Shtëpia e Bardhë pranon se kjo mund të zgjasë edhe pas përfundimit të mandatit në janar 2017.
”Por në periudhë pasigurie, bota i kthen sytë drejt Amerikës dhe në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, sipas Obamës.
“Lidershipi amerikan është mbështetësi i vetëm në një botë të pasigurt. Kjo është e vërteta këtë javë, gjatë së cilës ne kemi mobilizuar të gjithë për t’i bërë ballë disa sfidave më urgjente”, deklaroi presidenti në fjalimin e tij të përjavshëm.
Të hënën, SHBA-ja nisi një sërë sulmesh kundër Shtetit Islamik, pasi formoi një koalicion të gjerë të vendeve partnere duke përfshirë këtu dhe vendet arabe.
“Amerika është lideri botëror në luftën për të dobësuar dhe shkatërruar grupin terrorist të njohur me emrin ISIS”, shtoi Obama duke përdorur një akronim të grupit të Shtetit Islamik.
Përsa i përket krizës në Ukrainë, Obama premtoi se do të mbështesë popullin e Ukrainës për të zhvilluar demokracinë dhe ekonominë e saj me aleatët.
Ndërkohë që bota po lufton për të parandaluar epideminë e Ebolës që ka shkaktuar deri tani 3 000 të vdekur në Afrikën Perëndimore, Obama konfirmoi se Amerika ishte në krye të luftës.
“Ne do të vazhdojmë të fitojmë mbështetjen e vendeve të tjera për t’u bashkuar me ne dhe për të marrë angazhimet konkrete për të luftuar kundër kësaj sëmundjeje dhe për të përmirësuar sigurinë sanitare për një kohë të gjatë”, premtoi ai.