Amerika

Obama në Hiroshimë për të rënët, pa ndjesë për bombat

Barack Obama u bë presidenti i parë amerikan që viziton Hiroshiman që pas hedhjes së bombës bërthamore në vitin 1945, që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë mbërriti fillimisht në bazën amerikane Iwakuni, pasi la samitin e G7-ës, ku u kujdes që të theksojë se nuk do të kërkojë falje për bombardimet.

“Vizita ime është një dëshmi që tregon sesi edhe ngjarjet më të dhimbshme që na ndajnë, mund të kthehen në ura lidhëse”, u shpreh ai duke shtuar se nuk do të kërkojë ndjesë për sulmet.

I shoqëruar nga kryeministri Shinzo Abe, Obama vizitoi fillimisht Memorialin e Paqes, më pas u ndal tek Parku i Paqes, ku të dy liderët nderuan të rënët përballë “Flakës së Përjetshme”.

Më herët, presidenti amerikan deklaroi nga baza amerikane, 40 kilometra larg Hiroshimas se vizita e tij ishte “një nderim dhe kujtim për të gjithë ata që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore”.

“Është një mundësi për të konfirmuar zotimin tonë drejt paqes dhe sigurisë për një botë ku armët bërthamore nuk do të jenë më të nevojshme”, u shpreh ai.

Obama vlerësoi aleancën me japonezët.

“Është një ndër më të fortat në botë dhe vizita tregon sesi dy kombe, dikur kundërshtarë, jo vetëm që mund të bëhen partnerë, por edhe miq të mirë”, u shpreh ai.

Të paktën 140 mijë persona gjetën vdekjen nga bomba e hedhur në Hiroshima më 6 gusht të 1945, bomba e parë bërthamore që do të pasohej me atë të hedhur në Nagasaki dy ditë më vonë, ku 74 mijë të tjerë do të gjenin vdekjen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button