Kronika

OFL i sekuestron mjetet e blinduara Saimir Taullaut dhe Durim Bamit

Operacioni Forca e Ligjit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, i ka sekuestruar makinat e blinduara dy personave të tjerë të njohur në botën e krimit, Saimir Taullaut dhe Durim Bamit.

Një ditë pas sekuestrimit të fuoristradës së blinduar të Dashamir Gjokës, policia ka vendosur t’i heqë makinat dhe dy të tjerëve.

”Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, nxorri urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit. Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve: S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; D. Gj., banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore;D. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”; Operacioni vijon dhe OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.”-njoftoi policia.

Saimir Taullau njihet për konfliktin me Aldo Baren në qytetin e Lushnjes që çoi edhe në ekzekutimin e Baki Taullaut, vëllait të tij, në vitin 2005. Përplasje me grupin e Aldo Bares është bërë për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, por ngjarje ende nuk është zbardhur. Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares.

Durim Bami po ashtu është një emër mjaft i njohur në media dhe për publikun, fill pas përfshirjes së tij në ‘konspiracionin’ për vrasjen e deputetit Tom Doshi. Ky i fundit do të shprehej vite më parë se Durim Bami ishte paguar për ta vrarë. Të njëjtën gjë pohoi dhe Bami në një proces gjyqësor që solli në dëshmi zyrtarë të lartë të politikës shqiptare, por që në përfundim të procesit, gjithçka u gjykua të ishte një sajesë e Doshit dhe Bamit.

Ndërkaq, Dashamir Gjoka është i njohur për atentatin që iu bë në Shijak në gusht të vitit 2017 teksa lëvizte me automjetin e tij së bashku me të bijën. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2007 në Itali nga gjykata e Milanos për veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”. Ndaj këtij personi në vitin 2009, në kuadër të ligjit Antimafia është bërë sekuestrimi i disa pasurive, përfshirë edhe kompleksin “Gjoka” në Shijak. Megjithatë Apeli i Krimeve të Rënda ja ktheu përsëri pasurinë e sekuestruar Gjokës pasi argumentoi se ai i justifikonte ato në bazë të investimeve të bëra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button