Bota

OKB, Gjykata e Arbitrazhit vendos kundër Kinës

Gjykata e arbitrazhit e OKB-së hodhi poshtë sot pretendimet territoriale të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Gjykata tha se Pekini “nuk ka të drejtë historike” ndaj këtij rajoni të madh detar. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me qendër në Hagë i përgjigjet një ankese të ngritur nga Filipinet në vitin 2013, që akuzonte Pekinin për shkelje të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit me veprimet e saj agresive në ishullin koralor të quajtur “Scarborough”, rreth 225 kilometra nga brigjet e Filipineve.

Sekretari i Punëve të Jashtme i Filipineve, Perfecto Yasay tha se qeveria e tij e përshëndet vendimin:

“Ekspertët tanë janë duke studiuar me kujdes dhe hollësi vendimin e rëndësishëm të gjykatës së arbitrazhit. Ndërkohë ne u bëjmë thirrje atyre që janë të shqetësuar nga vendimi që të tregojnë përmbajtje dhe seriozitet. Filipinet mbështesin dhe respektojnë këtë vendim historik, si një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për trajtimin e mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore.”

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit tha se pretendimi i Pekinit për sovranitet mbi pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore është në kundërshtim me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjet Detare, e cila i përcakton kufijtë detarë të një vendi 22 kilometra nga bregdeti i tyre, dhe kontrollin mbi aktivitetet ekonomike deri në 370 kilometra.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare:

“Populli kinez nuk do ta pranojë kurrë këtë arbitrazh, i cili është kundër procedurave ligjore dhe të cilit i mungojnë provat e mjaftueshme. As qytetarët e arsyeshëm të shoqërisë ndërkombëtare nuk do ta njohin këtë arbitrazh,” tha ministri i Jashtëm kinez.

Kina ka thënë se Gjykata nuk ka juridiksion mbi mosmarrëveshjet, pavarësisht se Pekini së bashku me Filipinet janë nënshkrues të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjet Detare.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës është një ndihmesë e rëndësishme ndaj synimit të përbashkët për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin me forcë sundimin e ligjit, mbështesin përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale dhe detare në Detin e Kinës Jugore në mënyrë paqësore, duke përfshirë edhe përmes arbitrazhit.

Vitet e fundit, Kina ka nisur një përpjekje masive për pushtimin e ishujve në të gjithë Detin e Kinës Jugore. Ajo po krijon gjithashtu ishuj artificialë që mund të përdoren nga ushtria kineze, ndërkohë që po shpërfill pretendimet mbi këtë rajon nga Brunei, Malajzia, Vietnami, Tajvani, dhe Filipinet.

Gjykata e Hagës vendosi gjithashtu se asnjë nga Ishujt “Spratly” nuk i jep Kinës të drejtën për ta përdorur si zonë ekskluzive ekonomike, dhe se aktivitetet e saj ndërtimore mbi shkëmbinjtë koralorë kanë shkaktuar “dëm të pariparueshëm” në ekosistemin e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button