Opozita kundërshton kandidatët për president
Opozita në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit në diskutimet e saj kundërshton kandidatët për kreun e ri të shtetit.
Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, duke shprehur kundërshtimin për zgjedhjen e presidentit theksoi në fjalën e tij se “sot ndodhemi në një situatë krize të thellë politike, të shkaktuar nga qeveria. Sot Kuvendi është para sfidës ta nxjerrë vendin nga kriza duke e çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, me mosvotimin e presidentit” .
Në emër të grupit parlamentar Nisma, deputeti Zafir Berisha, ftoi deputetë të dëgjojnë thirrjet e protestuesve rreth këtij Kuvendi. Ndërsa Lista Serbe dhe grupi parlamentar Gjashtë Plus nuk e morën fjalën në seancë.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi duke folur në emër të grupit parlamentar theksoi se “ndërmorëm çdo hap për ndaljen e së keqes, por ju injoruat peticionin e 200 mijë qytetarëve ”
“Po falet toka dhe burimet e Kosovës”, tha deputeja e AAK-së, Kadaj Bujupi duke shtuar se e keni mbajtur peng 16 vite këtë vend. Ajo kërkoi nga qeveria tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme për vendin.
Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke marrë fjalën në Kuvend në emër të grupit parlamentar tha se marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë e kemi dhuratë nga kandidati për president Hashim Thaçi.
Sipas tij, prej Thaçit kemi dhuratë edhe demarkacionin me Malin e Zi. “8 mijë hektarë i janë falur Malit të Zi”, theksoi Ymeri.
Në nisje të seancës së sotme dy kandidatët për postin e presidentit Hashim Thaçi dhe deputeti i PDK-së, Rafet Rama u prezantuan nga përfaqësuesit e grupit Parlamentar të PDK-së . Më pas kryetari i Kuvendit Veseli ndërpreu seancën për t’i lënë kohë Komisionit për verifikimin e mandateve për dy kandidatët për President.
Pas rinisjes së seancës përfaqësuesja e komisionit të verifikimit të mandateve Selvije Halimi tha se “dy kandidatët Thaçi dhe Rama i plotësojnë kushtet e parashikuara në kushetutë për t’u zgjedhur president”.
Ajo kërkoi që seanca të vijojë me procedurat per votimin e kandidatëve.
Në seancë janë të pranishëm 104 deputetë.
Sipas kushtetutës, neni 86 zgjedhja e Presidentit bëhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë dhe kandidati duhet të marrë 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Pika pesë 86 parashikon se nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e cilësuar në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë.Kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës.
Ndërsa në pikën 6 të nenit 86 parashikohet se nëse në votimin e tretë, asnjë prej kandidatëve nuk zgjidhet President, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Seancën po e ndjekin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kosovë.
Ndërkohë protesta e opozitës vijon jashtë ambienteve të Kuvendit, duke kërkuar pengimin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president.
Kandidati Hashim Thaçi është kandiduar për president sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK. Në 8 dhe 9 dhjetor 2014, koalicioni PDK-LDK i dhanë fund situatës së “ngrirë”, që mundësoi konstituimin e Kuvendit e krijimin e qeverisë gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.