Orav: Kriza politike rrezikon rekomandimin e vendit
Bashkimi Evropian tërheq vërejtjen, “është rrezikuar rekomandimi i Maqedonisë për fillimin e negociatave”. BE-ja dërgoi vërejtjen më serioze që nga fillimi i krizës politike se rekomandimi mund të humbet nëse për një periudhë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje për situatën aktuale.
Brukseli përmes ambasadorit në Shkup pa doreza tregoi se nuk ndjehet mirë me situatën në vend dhe se në ditët dhe javët në vijim nevojiten vendime serioze që do të jenë mbi interesat partiake dhe personale. Aivo Orav pret më shumë punë dhe më pak fjalë të mira.
“Edhe nëse nuk ka vepra, por vetëm fjalë të mira jeta vazhdon, ky vend do të vazhdoj të jetë vend kandidat të hënën, në qershor, në korrik, sepse BE-ja ka rekomandim për fillimin e negociatave, sepse Komisioni Evropian beson se i plotëson kriteret e Kopenhagës. Shpresoj se politikanët do të kuptojnë se nuk kanë shumë kohë që t’i zgjidhin ato çështje sepse ne jemi këtu dhe teknikisht e shkruajmë raportin e ri të progresit, por politikanët dhe njerëzit e shkruajnë përmbajtjen dhe nëse nuk gjejnë asgjë pozitive që të vendoset në raport, atëherë në tetor KE-ja do të jetë në gjendje të vështirë nëse sërish do të jep rekomandim ose jo. Besojmë se ky vendim atëherë do të jetë shumë më i vështirë sepse nuk do të ketë asgjë të mirë për të lëvizur para”, tha Aivo Orav, Ambasador i BE-së.
Katër pikat kryesore që Komisioni i theksoi qartë në raportin e fundit, dhe për të cilat pret avancim janë: sundimi i të së drejtës, drejtësia selektive, liria e mediumeve dhe lufta kundër korrupsionit ndërsa tani sipas Oravit përfshihet edhe përmbajtja e biseda të përgjuara që janë në qendër të krizës politike. Formulimi që ai e përdori për ta shprehur perceptimin e Bashkimit për situatën në Maqedoni, është “shqetësim serioz”, një frazë që është theksuar në përfundimet ministrore të javës së kaluar për këtë vend.
“Tani jemi në udhëkryq dhe në ditët e javët në vijim duhet të shohim nëse ka apo jo respekt të vlerave të BE-së. Njëkohësisht akoma shpresoj se ky vend sa më shpejtë të jetë e mundur do të kthehet në rrugën euro- atlantike që mbështetet nga shumica e qytetarëve në vend”, u shpreh Aivo Orav, Ambasador i BE-së.
Ai pohoi se në Bruksel aspak nuk janë të kënaqur me zhvillimet e fundit ndërsa theksoi se në cilat do biseda për Ballkanin Perëndimor, Maqedonia është e para në agjendë. Ai bëri thirrje për qasje serioze në procesin negocius që e udhëheq treshja euro- parlamentare si dhe për konstruktivitet më të madh nga palët e prekura. Përgjegjësi për euro- integrime, zëvendës kryeministri Fatmir Besimi thotë se imazhi i vendit në BE nuk është i njëjtë. E ka të qartë se pa një marrëveshje politike rekomandimi qëndron pezull.
“Nëse nuk bëhen hapa më të mëdhenj për tejkalimin e sfidave të tanishme mund t’i ndodh Maqedonisë që në tetor KE të mos jetë në gjendje edhe njëherë t’i jep rekomandim për negociata. Do të shtoja Maqedonisë nuk do t’i shërbente rekomandim që nuk e ka merituar, kështu që duhet të punojmë ta meritojmë rekomandimin. Shansi nuk është lëshuar, por duhet të punojmë sepse ajo nuk është i garantuar dhe në këtë aspekt secili prej nesh bart përgjegjësi, ndërsa unë i pari do të filloj nga vetja dhe gjithë të tjerët që kanë njëfarë përgjegjësie në këtë proces”, deklaroi zëvendëskryeministri Fatmir Besimi,.
Për vetëm dy javë Bashkësia ndërkombëtare dërgoi disa vërejtje serioze për gjendjen aktuale dhe nevojën e zgjidhjes së shpejtë të krizës. Vërejtja e sotme e dërguar nga Orav, plotësim deklaratat e diplomatëve amerikan dhe gjerman Hojt Ji, Xhez Bejli, Kristine Alt’hauzer.