Kryeartikull

Ortodoksia shqiptare nuk ka ndonjë Prelat nga Dropulli

Aleksandër  Çipa

Vangjel Dule është politikani më i vjetër i pakicës greke në Shqipëri, ndonëse gjithmonë e më tepër më pak i votuari. Ai nuk ka moshë prej të vjetri. Mirëpo, koha politike i ka dhënë imazhin e politikanit të vjetër. Pikërisht ky kriter (kriteri kohë), po ia vjetron edhe portretin fizik, edhe i shton perceptimin si i ndalur në kohën e “të pambështeturit”.

Treguesit elektoralë të PBDNJ-së, forcës politike që ai drejton që pas largimit të të ndjerit Vasil Melo, para më shumë se 15 vjetësh, janë në rënie drastike. Në këtë fat elektoral, me shembje vijuese dhe me refuzim të hapur nga elektorati i pakicës greke në dy zonat e mëdha ku jeton, përkatësisht në Dropull dhe në zonën e Vurgut në Sarandë, politikani lokal, Vangjel Dule, ka mbërritur de facto në epilogun e karrierës së vet.

Kjo forcë politike me një përvojë dhe histori politike gjatë periudhës së pluripartizmit shqiptar, në momente dhe periudha të caktuara të tranzicionit postkomunist ia ka dalë të zotërojë përfaqësimin politik të pakicës greke, si dhe të mundësojë të qenët si zëri i posaçëm përfaqësues i saj në marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe sidomos me lobet dhe kryesisht diasporën greke në SHBA.

Për më tepër se 16 vjet, degradimi i mbështetjes elektorale të PBDNJ-së ka ardhur në shtim. Sot kjo forcë ka humbur mbështetjen e vet në njësitë administrative, të cilat i ka pretenduar historikisht, si dhe në zona të tjera ku për arsye të njohura dhe lehtësisht të shpjegueshme ka pasur mbështetjen e votuesve me përkatësi religjionare ortodokse në disa zona jugore dhe juglindore të vendit.

Kjo mbështetje në momente të caktuara është keqpërdorur dhe keqinterpretuar prej zotit Vangjel Dule dhe sidomos prej qarqeve greke dhe në jo pak raste edhe nga diplomacia greke, e cila nën pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të pakicës greke në Shqipëri, qëllimisht dhe asnjëherë nuk ka pranuar të bëjë ndarjen e natyrshme të veçimit të ortodoksëve shqiptarë nga minoritarët grekë. Kjo mosndarje ka shërbyer për zotin V.Dule dhe politikanët provokues të tipit V. Bollano, P. Barka e në kohë të mëhershme edhe ndonjë tjetër, të krijohet një perceptim i rremë se mes minoritarëve grekë dhe ortodoksëve shqiptarë nuk ka shumë ndryshime dhe asnjë dallim!

E vërteta është krejt ndryshe. Është po aq ndryshe sa edhe vetë historia e themelimit dhe më pas rindërtimit, e më pas shembjes dhe injorimit e më pas rindërtimit qesharak të së paqenës tashmë, kishë e Shën Thanasit në Dhërmi.

Interpelanca e kërkuar nga zoti V.Dule me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për shembjen e një godine të pahijshme të lënë në një gjendje poshtëruese, ka vlerën e një hipokrizie të re të politikanit goranxiot. Është hera e parë që në përvojën politike të 25 vjetëve të fundit, një Kryeministër i Shqipërisë pa kurrfarë kompleksi, me një gjuhë të pastër dhe dijeni të plotë historike, i jep një përgjigje të tillë një greku të Shqipërisë që pretendon se flet në emër të të gjithë ortodoksisë dhe kryesisht edhe asaj shqiptare. Me ç’të drejtë synohet, pretendohet dhe aq më tepër keqpërdoret diçka e tillë? Ortodoksia shqiptare është një pjesë e madhe e historisë së qenësisë shqiptare. Pakica greke në Shqipëri, edhe pse i përket këtij religjioni, ka një histori shumë herë më të shkurtër dhe më të paktë se krejt besimi ortodoks shqiptar.

Pyetja retorike e Kryeministrit ishte: “S’e kam kuptuar, i dashur Vangjel, se si ju dhe vëllezërit me origjinë greke ndiheni pronarë të ortodoksisë në Shqipëri?! Më lejo të të kujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë e nuk janë kurrë grekë. Ashtu si të drejtat e tyre për të besuar janë nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë edhe përkatësia e kishës, po të përcaktohej në ritin bizantin, nuk do të ishte domosdo ortodokse”.

Kjo është gjuha e një shtetari që, përmes një pohimi korrekt të tillë historik, jep një përgjigje për kërkuesin e interpelancës, por edhe shuan çdo iluzion të krijuar nga fqinji jugor për të vërtetën historike dhe qenësinë shqiptare të ortodoksizmit në viset e Shqipërisë.

Ripërdorimi apo rikthimi për ripërdorim të Himarës dhe ortodoksëve të saj nga zoti Dule dhe ndonjë protagonist grek në vend dhe jashtë tij, është një mision që e ka mbyllur mundësinë për efekt ose përfitime të reja.

Në Himarë historia është triumfuese, sipas së thënit të tyre, si “deti mbi rërë”. Vangjel Dule dhe pasardhësit e tij politikë të pakicës greke në Shqipëri, nevojitet të rikthejnë realizmin dhe përgjegjësinë se janë një pakicë jo vetëm në raportet demografike të popullsisë së Shqipërisë, por edhe në raport me religjionin ortodoks në vendin tonë. Ky sqarim dhe pranimi i këtij fakti, përbëjnë një çelës garancie për bashkëjetesë dhe paqe ndër besime e ndër etni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button