Kronika

Pafajësi për ish-konsullen e Milanos

Prokuroria: Nuk gjetëm vepër penale për Nausika Spahiun. Ministria e Jashtme ankohet në gjykatë 

Nga Sokol Çobo

Nausika SpahiaProkuroria pushon hetimet për Nausika Spahiun, ish-konsullen në qytetin e Milanos në Itali, e denoncuar nga Ministria e Jashtme për shpërdorim detyre, vjedhje e pasurisë shtetërore, fshehje e veprës penale dhe pabarazi në tenderë. Burime nga Njësia Task-Forcë thanë për gazetën “Shqip”, se vendimi i pushimit i është komunikuar disa ditë më parë të hetuarës dhe palës kallëzuese (Ministrisë së Jashtme). Ndërkohë, kallëzuesit janë ankuar në gjykatë, ku kundërshtojnë vendimin e prokurorisë për pushimin e procedimit penal. Padia është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe mban numrin 1472, ndërsa gjyqtare e çështjes është Enkeledi Hajro, e emëruar rishtas gjyqtare në Tiranë, pasi më parë ka mbajtur disa poste në Ministrinë e Drejtësisë, gjatë kohës që drejtohej nga demokratët.

Kallëzimi për Spahiun

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Ministria e Jashtme denoncoi në Prokurorinë e Tiranës ish-konsullen e Milanos, Nausika Spahiun, për një sërë veprash penale. Ajo akuzohej për përfitime të paligjshme në kurriz të emigrantëve, ku sipas MPJ-së, emigrantët paguanin një shërbim të paligjshëm telefonik. Megjithëse nuk ishte kallëzuar penalisht, pjesë e hetimeve mund të ishte edhe Gjon Çoba, vëllai i ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, i cili ka punuar në këtë konsullatë. Spahia ishte në listën e konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë në katër shtete, të cilët me propozim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, më 29 shtator 2013 u liruan nga detyra nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Në mars të vitit 2012, kur ishte konsulle e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, vendosi të vërë shërbimin me pagesë të marrjes së takimit. Plot 15 euro, në kurriz të emigrantëve, qoftë për paraqitjen e kërkesave, pasaporta e certifikata, qoftë për tërheqjen e tyre. Nga data 12 mars, konsullata e Milanos nuk lejonte më njeri t’i afrohej derës pa telefonuar më parë në një numër telefonik për të prenotuar takimin. Për çfarëdo shërbimi konsullor për të cilin një shqiptar në Itali duhet t’i drejtohet konsullatës, nga lëshimi i një certifikate deri tek aplikimi për pasaportën biometrike, duhet të telefononte për të prenotuar takimin. Në rastin e pasaportës e të letërnjoftimit, pas aplikimit, duhet të telefonoje sërish për të prenotuar tërheqjen e dokumentit”, thuhet në kallëzimin e Ministrisë së Jashtme.

Sipas të njëjtave dokumenteve, konsullata e Milanos e kishte shtuar një taksë të paparashikuar nga ligji i çdo shërbimi konsullor: taksën e telefonatës në numrin me prefiksin 895. Një minutë telefonatë kushtonte rreth 1.5 euro. Pas vendosjes së kësaj procedure apo takse, Spahiu do të deklaronte në atë kohë se “e kemi vendosur si nevojë pas dyndjes së qytetarëve për aplikime për pasaporta e tërheqjet e tyre mbas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që nxori jashtë përdorimi pasaportat jobiometrike. Dyndja nuk na lejon administrim dinjitoz të punës e të shërbimit”.

Megjithatë, në kallëzim cilësohej se procedura e konsullatës në Milano nuk zbatohej nga konsullata në Milano. Mësohet se kjo “taksë” shërbimi u hoq në muajin tetor të vitit të kaluar. Për këtë çështje, e cila do të vazhdojë gjatë të mbesë në dyert e drejtësisë, ka folur edhe deputetit Taulant Balla. “Nga dokumentacioni, i cili gjendet i administruar në Konsullatën e Përgjithshme të RSH-së në Milano dhe arkivin e MPJ-së, rezulton që për lidhjen e kontratës më datë 02.03.2012, midis znj. Nausika Spahia në cilësinë e konsulles së përgjithshme të RSH-së në Milano dhe subjektit tregtar ‘Inter Call contact center sh.p.k.’, ish-konsullja e përgjithshme në Milano nuk ka gëzuar asnjë tagër dhe nuk ka marrë asnjë autorizim nga organet kompetente. Ish-konsullja, duke tejkaluar çdo kompetencë që i njeh ligji, vendos veton e saj dhe lidh një kontratë, e cila përveçse është në kundërshtim të hapur me aktet ligjore dhe nënligjore, përveçse është në kundërshtim të hapur me Kodin e Procedurave Administrative bie ndesh me të drejtën themelore të shtetasve shqiptarë, atë që me Kushtetutë iu garantohet mbrojtja e interesave të tyre jashtë territorit të RSH-së”, do të deklaronte Balla.

Përplasja

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se kallëzimi i Ministrisë së Jashtme është regjistruar në fund të muajit shkurt të këtij viti, për shpërdorim detyre. Procedimi penal ka pasur numrin 3029 të vitit 2014, ndërsa nuk ka pasur asnjë person të pandehur. Ministria pretendonte se kallëzimi ishte bazuar mbi raportin e auditit të brendshëm të MPJ-së, i cili ka konstatuar shkelje ligjore në veprimtarinë e zonjës Spahia gjatë ushtrimit të detyrës së saj si konsulle e përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Por, pas disa muajsh hetime, prokuroria vendosi të pushojë procedimin penal, ndërsa nuk ka të dhëna se ku është bazuar.

Më pas, vendimi i pushimit i është dërguar zonjës Spahia, si dhe Ministrisë së Jashtme. Kjo e fundit mësohet se ka pasur pakënaqësi nga ky vendim dhe, përveç “ankesës” në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ka kundërshtuar këtë vendim pushimi në gjykatë.

Precedenti 

Llalla dhe Bushati u “përplasën” edhe për paktin detar

Disa muaj më parë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Jashtme patën një letërkëmbim me njëra-tjetrën, në lidhje me një hetim të mundshëm të firmëtarëve të marrëveshjes detare me Greqinë në vitin 2009. Ministri Ditmir Bushati i dërgoi kryeprokurorit Adriatik Llalla një informacion zyrtar për zyrtarët që firmosën këtë pakt, që më vonë u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Por, akuza qendrore i dërgoi një letër Bushatit, ku i kërkonte që materialet t’ia dërgonte në formën e një kallëzimi penal. Ministria pretendonte se prokuroria duhet të vendoste nëse faktet e paraqitura kishin apo jo elemente të veprës penale ose prokurorët apo hetuesit mund të vendosnin për nisjen e një procedimi penal. Në këtë informacion, në akuzën qendrore, Ministria e Jashtme, krahas ushtarakëve, kërkonte që të hetohen edhe politikanët që kanë firmosur këtë marrëveshjeje. Akuza qendrore heton presidentë, kryeministra, ministra apo deputetë dhe nisur nga kjo e “drejtë”, zyra që drejtohet nga Llalla mund të verifikojë edhe politikanë me imunitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button