Ekonomia

Pagesat për punonjësit e naftës dhe të gazit. Kriteret e reja për daljen në pension

Ligji i ri: Dokumentet që duhet të dorëzohen për të siguruar statusin si naftëtar dhe ish naftëtar. Nëpërmjet këtij statusi sigurohet ulja e moshës së pensionit dhe përfitimi i shtesave, por edhe sigurimi i shpërblimeve të caktuara financiare, trajtimeve mjekësore falas brenda dhe jashtë vendit, etj

Pranvera Kola – DITA

Punonjësit e sektorit të naftës dhe të gazit duhet të bëjnë gati dokumentacionet e duhura për të përfituar statusin si naftëtar dhe ish naftëtar, nëpërmjet të cilit jo vetëm që do mund të sigurojnë të ardhurat shtesë në paga dhe shpërblime financiare, por edhe daljen në pension me kritere lehtësuese.

Ditën e djeshme është zbardhur në Fletoren Zyrtare të Qeverisë ligji për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit, ku përcaktohet kriteret e reja të llogaritjes së pensioneve dhe shtesave përkatëse, shpërblimeve financiare për ata që janë në marrëdhënie pune, si dhe trajtimeve mjekësore brenda e jashtë vendit, në rastet e konstatimit të sëmundjeve.

Statusin e punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe të gazit, si dhe të gjithë ata persona që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohëzgjatjes së punës në këtë industri.

Që të gjithë këta persona do të pajisen me dëshminë përkatëse zyrtare që konfirmon këtë status, dokumenti i të cilës lëshohet nga komisioni i ngritur për këtë qëllim pranë ministrisë përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit.

Dokumentet që duhet të dorëzoni për “Statusin”

Për të vërtetuar statusin si naftëtar, ose ish-naftëtar, duhet të paraqiteni pranë komisionit përkatës duke dorëzuar dokumentet e kërkuara për secilën kategori përfituese.

Në ligj saktësohet se për ish-naftëtarin, kërkohet libreza e punës e shoqëruar nga një vërtetim i posaçëm zyrtar, i lëshuar nga ndërmarrja, ose institucioni ku ka qenë i punësuar personi, i konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, ku përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës dhe kohëzgjatja e punës.

Ndërsa për ish-naftëtarin që ka dalë në pension, duhet vërtetimi i posaçëm që lëshohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe konfirmohet nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës.

Personat që janë të punësuar aktualisht në këtë industri, duhet të dorëzojnë librezën e punës, të shoqëruar me vërtetimin e posaçëm, të lëshuar nga ndërmarrja dhe institucioni ku janë të punësuar.

Ky dokument duhet të saktësojë të dhënat konkrete mbi lloji e punë dhe kohëzgjatjen e saj. Më tej, ligji saktëson se: “Ish naftëtarët dhe naftëtarët që janë në marrëdhënie pune, konsiderohet punë në industrinë e naftës e të gazit edhe periudha e punës në të njëjtin profesion, ose ekuivalente me të, në shtete të tjera, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore”.

Mosha e daljes në pension dhe kushtet e përfitimit

Sipas ligjit të ri, kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të industrisë së naftës dhe të gazit, punonjësit që plotësojnë këto kushte sa i takon moshës dhe vjetërsisë së punës: “Burrat që mbushin moshën 60 vjeç dhe kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 20 vjet në punë janë në këtë lloj industrie.

Gratë kanë të drejtë të përfitojnë pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 25 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 15 vjet të njohura në këtë profesion”.

Bëjnë përjashtim nga këto kushte, të gjithë ata persona që kanë kryer punë si operator (përgjegjës kyçi) dhe ndihmësoperator (punëtor pastrimi), traktorist në brigadat e remontit nëntokësor të puseve të naftës e të gazit, kryesondator, pontist dhe punëtor i kyçit në shpimin e puseve të kërkimit dhe të zhvillimit të vendburimeve, punonjës në repartet e koksit të rafinerive të naftës dhe punëtorët e pastrimit të brendshëm të rezervuarëve, depove dhe cisternave të naftës në industrinë e përpunimit të naftës dhe të gazit.

Mosha e daljes në pension për këto kategori është 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë dhe me periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë për burrat dhe 25 vjet e më shumë për gratë dhe vjetërsi në këto profesione sa gjysma e vjetërsisë së përgjithshme. Masa e pensionit do të caktohet sipas formulës së diktuar nga ligji i sigurimeve shoqërore.

Për rastet kur punonjësit gëzojnë statusin e naftëtarit dhe dalin në pension, ose kanë dalë në pension, përfitojnë shtesë pensioni në masën 1 për qind për çdo vit pune, por jo më shumë se 40 për qind të pensionit të pleqërisë.

Afatet e dorëzimit të kërkesave për të mos vonuar pensionin

Personi, i cili kërkon të dalë në pension, e përfiton atë që: “Nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte, si dhe nga data e paraqitjes së kërkesës, në rastet kur kërkesa paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit”.

Kur konstatohet se pensionisti ushtron veprimtari të ndryshme ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohen në bujqësi, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve mujore të pensionit të pleqërisë.

Pensionet e caktuara, por që nuk janë tërhequr mund të merren në çdo brenda një periudhe 3 vjeçare. Pas këtij afati nuk keni më të drejtë që të kërkoni marrjen e këtyre pagesave. Ndërsa përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

Po ashtu edhe e drejta e organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga data e marrjes së tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit.

Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit. “Personi, i cili ka përfituar pension dhe kompensime në mënyrë e me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër.

Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal”.

Paraqitja e kërkesës për pension

Përfitimi i pensionit jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij.

Po në ligj përcaktohet se për personat që dalin të papunë me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përfitimi financiar, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu, ligji ngarkon Këshillin e Ministrave që të miratojë politika dhe masa mbështetëse për punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit për plotësimin e nevojave të tyre për strehim.

Sikundër ndodh me të gjitha llojet e tjera të pensioneve, edhe pagesat e punonjësve të naftës dhe gazit do të përfitojnë çdo vit nga skema e indeksimit.

Pagesat e kontributeve

Për personat, të cilët kryejnë punë në industrinë e naftës dhe të gazit do të paguhet kontribut shtesë në masën 5 për qind të pagës bruto.

Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi.

Ndërsa kontributi i sigurimeve shoqërore në masën 5 për qind mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave të përcaktuara.

Paga dhe shtesat mbi pagë dhe vjetërsia e punës

Vendimi i zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare vë në dukje se paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit, përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës dhe reflekton të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, si dhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin e saj në shëndet.

Kjo pagë nuk mund të jetë kurrsesi më e vogël se 150 për qind e pagës minimale në shkallë vendi. Njihet si vjetërsi në punë, për efekt shpërblimi dhe përfitimi financiar, si dhe përfitimi nga sigurimet shoqërore, periudha e punës e kryer në profesionet përkatëse të kësaj industrie, të cilat janë të vërtetuara sipas dokumentacionit të kërkuar.

Shpërblimi financiar pas ndërprerjes së punës

Personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi punës të përcaktuar, që për burrat është mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet dhe që janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në punësim, kanë të drejtën e një përfitimi financiar, i cili, në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se 80 për qind e pagës minimale në shkallë vendi.

Masa, kohëzgjatja dhe procedura e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa personat që gëzojnë këtë status, por me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes, apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet.

Trajtimet mjekësore brenda dhe jashtë vendit për sëmundjet

Përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend.

Ministria e Shëndetësinë detyron kompanitë që operojnë në industrinë e naftës dhe të gazit të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialistë që trajtojnë problematikën shëndetësore të shkaktuar nga puna në këtë industri, në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt, ose indirekt nga puna në industrinë e naftës e të gazit.

Përfituesit e statusit të naftëtarit përfitojnë kurim falas në institucionet publike, apo private që janë në marrëdhënie me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme dhe të Kujdesit Shëndetësor.

Nëse kurimi nuk ofrohet nga këto institucione, përfituesit e statusit kurohen në institucione private brenda vendit që ofrojnë këtë kurim dhe financohet nga Buxheti i Shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar.

Ndërsa për sëmundjet që vërtetohet direkt, ose indirekt nga puna në industrinë e naftës dhe të gazit, që nuk kurohen brenda vendit, përfituesit e statusit duhet të kurohen falas jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet po nga buxheti i shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar.

Përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25 për qind të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi.

Përfitime të tjera nga privatizimet 

Personat që gëzojnë statusin e punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit, janë përfitues në privatizimin e industrisë së naftës dhe të gazit në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit e të kategorizimit të punës.

Kriteret, masa dhe procedurat e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet e koncesioneve në industrinë e naftës dhe të gazit, në marrëveshjen e koncesionit duhet të përcaktohet detyrimi i koncesionarit për të krijuar një fond profesional pensioni, sipas ligjeve që administrojnë këto fonde, me jo më pak se 10 për qind të pagës bruto të punonjësve.

Organet e pushtetit vendor, në zonat ku banojnë përfituesit e statusit të naftëtarit kujdesen për punësimin e tyre në rast papunësie dhe krijimin e kushteve për përfituesit e pensionit.

  • “Ish-naftëtar” është shtetasi që ka punuar në industrinë e naftës dhe të gazit në profesionin dhe punën e përcaktuar në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, ish-punonjësit e uzinave mekanike të naftës dhe personeli inxhiniero-teknik, që kanë punuar në ish-ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, mekanikës, institutet gjeologjike dhe teknologjike, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës.
  • “Naftëtar” është shtetasi që punon në industrinë e naftës e të gazit në profesionin dhe punën e përcaktuar në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, punonjësit e uzinave mekanike të naftës dhe personeli inxhiniero-teknik, që punon në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, mekanikës, institutet gjeologjike dhe teknologjike, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button