Opinion

Pagjumësia e dekan Dhorit

Hysamedin Ferraj
Hysamedin Ferraj

I kërkoj ndjesë lexuesit për serinë e shkrimeve me Theodhori Karaj, dekanin e FSHS, por, siç thoshte Deleuze, ai më shumë është personazh social dhe koncept, sesa thjesht individ. Si fenomen social dhe si koncept ka rëndësi për mendimin publik shqiptar, nëse ky dëshiron të reflektojë për shoqërinë që kemi ndërtuar. Kësaj here për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet “punës” dhe “ligjit”.
Dekani Karaj del se është për vite të tëra pa gjumë, i lodhur dhe dërrmuar nga puna e tejligjshme. Aktet ligjore e nënligjore i kërkojnë të bëjë 1.500 orë pune në vit, aq sa të plotësohet norma prej tetë orësh pune në ditë, normë të cilën dekani e realizon dhe madje e tejkalon. Mirëpo, tej e përkundër akteve ligjore e nënligjore, dekani bën edhe 1.800 orë pune shtesë në vit: dekani udhëheq njëkohësisht ndoshta mbi njëzet, por, po e lëmë njëzet doktorantë për tezën e doktoratës; nga financa publike secila i llogaritet dhe i paguhet për 90 orë pune (20×90=1.800), rreth 9 orë në ditë përgjatë vitit, që bashkë me normën si pedagog dhe dekan i bëhen mbi 17 orë pune në ditë (8+9=17). As kjo llogari nuk është e plotë: dekani ka një OJF, e cila i merr afërsisht edhe 3-4 orë pune në ditë, duke e çuar punën ditore në 21 orë. I mbeten tri orë gjumë në njëzet e katër orë. Ndoshta nuk është pak, pasi thuhet se të majtë e të djathtë, Marksi ose Theatcher, gjeni dhe talente të tjera, flinin vetëm tri-katër orë në njëzetekatër. Mirëpo, dekani jep mësim edhe në universitetet publike nëpër rrethe, edhe në universitetet private, duke punuar kështu së paku rreth 30 ose më shumë orë në 24.
Kjo punë sigurisht që i shpërblehet: përtej pagës së përmuajshme, në fund të vitit vetëm për udhëheqje doktoratash i firmos vetes një pagesë prej 20 milionë lekësh të vjetër e të bërë copë-copë në fakultetin ku është dekan, njëlloj siç i firmosin pagesa universitetet e tjera publike e private, nëpër rrethe e në kryeqytet. Për rrjedhojë, gjithnjë ankohet se është i lodhur, se po e vuan postin që mban dhe vazhdueshëm i delegon kompetencat te të tjerët gjatë kohës që është në fakultet (jo në gjumë).
Gjithnjë kam menduar se shumë prej ligjeve dhe akteve që kanë pasuar prej tyre, e pengojnë punën dhe punëtorin të punojë e të japë aq sa mundet. Duke pasur parasysh se Dhori punon shumë më tepër sesa i kërkon dhe lejon ligji, na jepet mundësia të reflektojmë për këtë marrëdhënie të supozuar ndërmjet punës dhe ligjit në vendin tonë. Këta nuk lejojnë që një udhëheqës shkencor të drejtojë më shumë se pesë punime doktorale njëkohësisht, mirëpo Dhori ka provuar se mund të udhëhiqen mbi njëzet të tillë, duke realizuar paralel edhe punën si dekan dhe pedagog. Kush ka të drejtë?
Me sa duket, ligji dhe aktet e nxjerra në vijim të tij kanë pasur parasysh njeriun mesatar dhe jo gjenitë ose talentet që mund të punojnë mbi 24 në 24 orë. Me sa duket, ligji ka pasur parasysh se pa qenë gjeni njeriu mesatar, nuk mundet të mbajë mend as titujt e njëzet temave doktorale dhe aq më pak të zotërojë literaturën që ekziston për secilën, ta konsultojë me studentin që udhëheq, të rrahë mendimet me të, t’i këshillojë autorë dhe përvijime të reja argumentimesh etj. Pra, ligji duket se ka pasur parasysh cilësinë e udhëheqjes dhe të punimeve doktorale e jo vetëm sasinë (as të parave që jepen nga studentët ose merren nga udhëheqësit). Rasti i Dhorit tregon se ligji e pengon këtë sasi, dhe madje kërkon cilësi në vend të sasisë (!), duke penguar prodhimin e sa më shumë doktoratave… pa cilësi. Çka nuk kujtohet ai dreq ligji!
Këtu nis kontributi origjinal shqiptar në filozofinë botërore, jo vetëm në filozofinë e ligjit, por të vetë konceptit të kohës. Mbas ligjit ka pasuar një vendim të ministrit të Arsimit, që nuk lejon të udhëhiqen nga një person më shumë se pesë doktorata njëkohësisht. Njerëzit e etur për punë, si Dhori, konceptin e njëkohësisë e kanë interpretuar “para e mbas vendimit”: nëse para vendimit kishte tashmë njëzet udhëheqje, pas vendimit merr edhe pesë të tjera, vazhdon të udhëheqë njëzetepesë doktorata, por këto udhëheqje nuk janë më të njëkohshme! Në këtë interpretim, vendimi bëhet ndarësi absolut i kohësisë: kohësia nuk ka më asnjë dëftim te koha fizike, as të matur me orë që i duhen udhëheqësit për të bërë punën. Ndërsa vendimi mund të ketë pasur parasysh këto të fundit, se në një matje njëzetekatërorëshe të kohës, udhëheqësit nuk i del koha fizike të udhëheqë aq punime doktorale sa Dhori dhe njëkohësisht të realizojë punët e tjera si dekan, pedagog etj. Mirëpo, në relativizimin e kohës nga “Dhori” është parashtruar problemi i ngjeshjes kohore: cilado qoftë njësia e matjes, njësia më e madhe është më e vogël dhe e tkurrshme brenda kësaj – mbi njëzetekatër (orë) mund të tkurret në më pak se aq dhe të dalë kohë edhe për gjumë; mbi njëzet e pesë udhëheqje njëkohësisht mund të tkurren në më pak se pesë njëkohësisht etj.
Në këtë interpretim “punëdashës”, meqenëse ligjet dhe vendimet nuk kanë fuqi prapavepruese, koncepti “njëkohësisht” i vendimit nuk mund të ketë asnjë realitet tjetër, siç mund të jetë udhëheqja “njëkohësisht” e jo më shumë se pesë punimeve doktorale, pavarësisht para apo pas vendimit, duke vendosur njëkohësinë e numrit të udhëheqjeve dhe jo pikën e ndarjes kohore. Duke vendosur në qendër njëkohësinë e udhëheqjeve, vendimi mund të ketë pasur parasysh vijimësinë kohore: pavarësisht se njëzet udhëheqje ishin marrë para dhe pesë mbas vendimit, i njëjti person vijon të udhëheqë njëzet e pesë të tilla. Ndërsa nga “Dhori” vendimi është lexuar e zbatuar sipas konceptit të mosvijimësisë kohore: e kaluara nuk ka vijimësi dhe asnjë ndikim mbi kohën e tashme ose të ardhme – udhëheqjet e mëparshme dhe të tashme nuk mundet të jenë, as të vendosin njëkohësinë e kohës së vet.
Më tej, vendimi mund të ketë pasur parasysh lidhjen ndërmjet kohës dhe cilësisë së punimeve doktorale, mirëpo sipas “Dhorit” kjo as nuk mundet të ketë qenë, sepse në interpretimin e tij njëkohësia ka të bëjë vetëm me sasinë para e pas vendimit: pas vendimit nuk do të marrë më shumë se pesë njëherësh, por pesë e nga pesë në çdo rast, prandaj, edhe nëse për tri vite, sa parashikohet të zgjasë punimi, i grumbullohen pesëdhjetë udhëheqje, këto nuk janë të njëkohshme, sepse nuk janë marrë në të njëjtin çast kohor. Madje, në këtë interpretim, as vetë çasti kohor i matur me konvencione të tilla si orë, ditë, vite etj., nuk kanë kuptim, sepse është matje e kohës fizike dhe e supozon udhëheqësin edhe si trup fizik. Mirëpo, siç e pamë në fillim, ky soj i njeriut del përtej konvencioneve të matjes kohore dhe udhëheqësi nuk ka trup fizik: mund të punojë më shumë se njëzetekatër orë në njëzet e katër orët e ditës e të natës. Pa gjumë.
Siç shihet, ndonëse si shumë shqiptarë Dhori e urren filozofinë, duke na shtruar probleme ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në filozofinë botërore, madje në një prej fushave më të vështira, atë të kohësisë: të kohës fizike dhe afizike, kohës dhe trupit, vijimësisë kohore, njëkohësisë, kohës dhe punës, ligjit dhe kohës, sasisë kohore dhe parave që merr në kohë etj., pavarësisht se gjithë këtë kontribut të spërdredhur teorik mund ta ketë dhënë për hir të këtyre të fundit në konkretësinë e tyre. Pavarësisht se i gjithi duket në shërbim të udhëheqjes, njëkohësisht të sa më shumë punimeve doktorale prej tij dhe që i paguhen mirë nga të tjerët, megjithatë ky interpretim na kontribuon si shoqëri që të shohim efektet e sjelljes së tillë po të jetë masive. Në fund të fundit, sjellja thotë se ligjet nuk janë asgjë, interpretimet në favorizim të vetes ose të tij janë gjithçka. Ja pse është kaq interesant si personazh publik dhe ia vlen të mbetet si ilustrim në debatin serioz mediatik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button