Paketa “Sigura në Shkolla”, AKU kontrolle masive në fast-food-e, byrektore e çerdhe në të gjithë vendin
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU këtë të martë ka dalë me një njoftim teksa ka bërë me dije se në prag të fillimit të vitit të ri shkollor ka nisur një aksion të gjerë inspektimesh në të gjithë vendin, në kuadër të zbatimit të paketës së “Sigurisë në Shkolla”.
Sipas njoftimit, objekt i kontrolleve janë subjektet e tregtimit të ushqimit që ndodhen pranë institucioneve arsimore, si fast-food-et, byrektoret, piceritë dhe marketet, si dhe mjediset ku përgatitet ushqim për grupe të veçanta, duke përfshirë çerdhet, kopshtet dhe shkollat.
Sipas AKU-së, plani i masave synon të parandalojë çdo rrezik që lidhet me ushqimet që konsumohen nga fëmijët dhe nxënësit.
Njoftimi i plotë:
Në prag të fillimit të viti të ri shkollor në sistemin parauniversitar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në zbatim të paketës së “Sigurisë në shkolla” dhe kërkesave të Ligjit Nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin” i ndryshuar, dhe Ligjit të Inspektimit Nr. 99/2024, i ndryshuar po ushtron inspektime në të gjithë vendin në subjekte ushqimore me aktivitet fast-food, byrektore, piceri, markete dhe pika tregtimi, pranë institucioneve arsimore si dhe në subjekte ku përfshijnë grupe të veçanta si: kopshte, shkolla dhe çerdhe, në të cilat përgatitet ushqim.
Inspektimet kanë për qëllim verifikimin e përmbushjes së kërkesave të sigurisë ushqimore, me vëmendje të veçantë ndaj kushteve të higjienës, ruajtjes së afateve të përdorimit të produkteve ushqimore, evidentimit të gjurmueshmërisë, evidentimit të kushteve higjieno-sanitare, kontrollit të etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe marrjes së mostrave për tregues fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë në produkte ushqimore.
Me këtë plan masash, synohet të kontribuohet në krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit, duke parandaluar rreziqet që lidhen me ushqimet e tregtuara dhe që konsumohen pranë shkollave.
Në vijim të këtyre inspektimeve, AKU do të ndërmarrë edhe fushata ndërgjegjësuese drejt operatorëve të biznesit ushqimor, fushata informuese/ndërgjegjësuese në sistemin parauniversitar, me fokus në elementë kryesorë të sigurisë ushqimore, mbi respektimin e rregullave dhe zgjedhjeve të sigurta ushqimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.