Sesioni i ri parlamentar/ Balla: Negociatat me BE-në të mbyllen në 2027, Shqipëria anëtare në 2030
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka paraqitur objektivat e mazhorancës për sesionin e ri parlamentar, duke vendosur në fokus integrimin europian të Shqipërisë, reformën zgjedhore dhe miratimin e një ligji të ri për organizimin e Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla theksoi se mazhoranca dhe opozita duhet të dinë të ndajnë debatin politik të ditës nga interesat kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrugëtimin europian të vendit.
Në fjalën e tij, Balla iu referua edhe parimit “BESA”, të cilin e përkufizoi si besim, empati, shërbim dhe angazhim, duke theksuar se këto parime duhet të udhëheqin marrëdhënien e deputetëve me qytetarët.
“Në fillim të sesionit, tradita e ka bërë që secili prej krerëve të grupeve të paraqesë objektivat e veta. Më vjen mirë që i paskeni ndjekur propozimet tona, përfshirë këtu propozimin e radhës, me angazhimin që do ta votoni, me shpresën se do të votoni të gjitha ligjet e anëtarësimit. BESA nuk është një fjalë, është besim, empati, shërbim, angazhim. Katër parime që duhet të na udhëheqin në çdo kontakt tonin me qytetarin. Jo për të dëgjuar sa punë kemi bërë, por për të folur me njerëzit”, tha Balla.
Një tjetër prioritet i deklaruar prej tij është reforma zgjedhore, për të cilën Balla vlerësoi se kërkohet angazhimi i të gjitha forcave politike, duke theksuar se “roli i opozitës është i pazëvendësueshëm”.
Balla mbështeti gjithashtu idenë për miratimin e një ligji të ri për organizimin e Kuvendit, me synimin për të forcuar rolin e deputetit dhe angazhimin e tij në terren.
“E mbështes idenë e Kuvendit për një ligj për një rol të rëndësishëm të deputetit dhe rolin në terren. Shpresoj që ne të miratojmë ligjin për organizimin e Kuvendit brenda sesionit. Mazhoranca dhe opozita duhet të dinë të ndajnë mirë debatin mes debatit të ditës dhe interesit kombëtar. Ne mund të debatojmë, por për destinacionin europian të Shqipërisë kemi linjën e përbashkët. Koha që kemi përpara na kërkon një punë intensive. Çdo ditë duhet të na afrojë me Shqipërinë në BE brenda 2030. Është përgjegjësia jonë që ta gjejnë brezat e ardhshëm.”, u shpreh Balla.
Sipas tij, objektivi i mazhorancës është mbyllja e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda vitit 2030. Balla tha se synohet që negociatat të përmbyllen deri në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, ratifikimi nga 27 parlamentet e vendeve anëtare të bëhet gjatë vitit 2028 dhe Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2030.
“Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave deri në 2027 dhe Shqipëria pjesë e BE-së brenda 2030. Seanca e parë e këtij sesioni shërben për të shprehur objektivat. Të mbyllim negociatat për anëtarësim brenda krishtlindjet të vitit të ardhshëm, të mundësojmë ratifikimin nga 27 parlamentet e vendeve anëtare brenda vitit 2028 dhe ta ngremë flamurin tonë kombëtar kuqezi në qendër të Brukselit brenda vitit 2030. Duhet të avancojmë me reformën zgjedhore, kërkohet përpjekja e të gjitha forcave politike. Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. Përmbyllja e reformës territoriale që bëjmë një hap të rëndësishëm për një reformë që e nisëm në 2014 dhe që duhet të vazhdojë dhe në vitet në vijim“, theksoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.