Arte

Panairi i Librit 2017: “Nga fillimi në fund” nga Preç Zogaj

“Preç Zogaj, një punëtor i palodhur i fjalës shqipe, një punëtor i palodhur i medias shqiptare, një punëtor i palodhur dhe i talentuar i jetës sonë publike, përveçse mund të krenohet me krijimtarinë e tij artistike, me kolanën e publicistikës politike, mund të klasifikohet një ndër më pak se dhjetë librat nëpërmjet të cilëve ne mund të kuptojmë Shqipërinë në të shkuarën dhe të tashmen e saj”.

Henri Çili ka të drejtë kur i thotë të gjitha këto për Preç Zogajn, i cili, si askush tjetër, ka rrëfyer kohën në të cilën ka qenë protagonist.

Ashtu siç ka bërë edhe Eqerem bej Vlora, Eqerem Çabej, Sejfi Vllamasi apo Spartak Ngjela. Në këtë edicion të 20-të të Panairit të Librit që hapet sot në Pallatin e Kongreseve, “UET Press” sjell rrugëtimin prej gati tri dekadash të Preç Zogajt në publicistikën shqiptare, si një dëshmi e jashtëzakonshme e një dëshmitari okular të historisë sonë politike. Titullohet “Nga fillimi në fund”. Është një përmbledhje prej dy vëllimesh, përmes së cilës shpaloset i të plotë profili i Shqipërisë së pas viteve ‘90. “Janë libra voluminozë, më shumë se pesëqind faqe syresh, por secili dëshmi e sistemuar e një epoke, gjurmët e së cilës sa vijnë dhe zhduken.

Ndërkohë që kërkojmë të shohim gjurmët e komunizmit, ne po na zhduken gjurmët e tranzicionit. Shkronjat, fjalët, fjalitë e Preç Zogajt, formacionet e tij të ndërtimit të subjektit, të përshkrimit të personazheve realë të tranzicionit apo të fantazimit dhe romanizimit të ngjarjeve të tranzicionit shqiptar, janë nga prurjet më të mira të letërsisë publicistike shqiptare. Kjo tipologji librash është në zhdukje e sipër për shkak të faktit se kronika është bërë aq e dendur, aq intensive, aq me prurje, sa që jo vetëm nuk ka më shënjues të vëmendshëm të kësaj kronike, por sidomos nuk ka më luksin që të ketë një kualitet si Preç Zogaj për t’i marrë, përthyer, shkruar dhe dhënë publikut ngjarjet, personazhet dhe fenomenet e tranzicionit shqiptar”, shkruan Henri Çili në parathënien

“Nga fillimi në fund: 25 vjet, dhjetë libra 1 epokë”.
Përmes kësaj përmbledhjeje lexuesi mund të mësojë shumëçka për disa nga ngjarjet më të mëdha politike, parë në vetë të parë nga autori, një nga protagonistët kryesorë në politikën aktive shqiptare. Nano, Berisha, Rama, Ngjela, Mustafaj e shumë e shumë të tjerë vijnë përmes përplasjesh e përballjesh në një rrëfim mjeshtëror nga Preç Zogaj. Ai ka qenë aty dhe i ka parë nga afër nga shquar tensionin dhe grimasat në fytyrën e secilit, ka folur me ta dhe ka debatuar.
“Besoj se botimi final i kolanës së publicistikës politike të Preç Zogajt në këto dy vëllime i qëndron mirë bibliotekës së kujtdo. Në radhë të parë i qëndron mirë bibliotekës së bashkëkohësve, të cilët duan të shohin në këta libra nuanca, ngjarje, fenomene, kronikë, data, fakte, interpretime, të cilat nuk do t’i gjejmë dot më, kurrë, për shkak se ruli i kohës vazhdon i pamëshirshëm për t’i fshirë nga kujtesa, ndërsa shoqëria me strategjitë e saj të harresës, për të mbijetuar e vazhduar përpara në axhendën e saj”, thotë Çili. Kjo përmbledhje publicistike vjen e riparë dhe e pasuruar nga autori me të tjera fakte e detaje nga ngjarjet e kohës.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button