Sporti

Panik në Serbi: Të bëhemi gati për tifozë kosovarë në Beograd

plisat-320x179Rivalët e Shqipërisë shqetësohen nga “Plisat”, por edhe vetë tifozët e tyre

Nga Ermal Kuka

Lajmërimi i bërë në faqen e tifozëve kosovarë “Plisat” për praninë në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, ka krijuar panik në Serbi. Mediat vendase e kanë cilësuar si problematike këtë situatë, të pakënaqur nga njëra anë që Shqipëria do të ketë mbështetje të zëshme në stadiumin e Beogradit, falë tifozëve të saj. Nga ana tjetër, serbët duken shumë më të shqetësuar nga incidente të mundshme në stadium, të ndërgjegjshëm se UEFA nuk do të tolerojë shfaqje nacionalizmi radikal, për të cilat tifozët e Serbisë janë shquar gjatë viteve të fundit. Sekretari i FSHF, Ilir Shulku, ka konfirmuar se ka zhvilluar takimin me “Plisat”, por ka lënë gjithçka të hapur për udhëtimin e tyre apo jo, pasi më parë duhet të diskutojë edhe me Federatën Serbe si dhe UEFA-n që sugjeron zhvillimin e ndeshjeve pa praninë e tifozëve udhëtues.

Artikulli i faqes së internetit serbe alo.rs. ka ngritur alarmin, duke bërë të qartë se ndeshja e 14 tetorit do të jetë e rëndësishme për kombëtaren serbe, por njëkohësisht do të ketë një ngarkesë të madhe emocionale për çështje nacionalizmi. Sipas saj, problemet nisin nga tifozët kosovarë, të cilëve nuk u intereson kombëtarja e Kosovës, por ajo e Shqipërisë. “Shqetësimi kryesor për probleme dhe rrezikshmëri të lartë shumë lehtë mund të bëhen mbështetësit nga Kosova, të mbledhur në grupimin ‘Plisat’, të cilët ndjekin ndeshjet e FK Prishtinës dhe Shqipërisë. Në fakt, të premten pasdite në Tiranë, ata kanë arritur një akord me sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, dhe mund të jenë rreth 1500 vetë të pranishëm në stadium për të mbështetur Shqipërinë”, shkruan kjo faqe interneti, e cila ka publikuar edhe lajmërimin e “Plisave” në faqen e tyre në Facebook për udhëtimin e mundshëm drejt Beogradit në ditën e kësaj ndeshjeje.

Portali serb paralajmëron se ky është një lajm shqetësues për Serbinë, sidomos për autoritetet sportive dhe ato policore në këtë vend, të cilat duhet të përgatiten për një delegacion me rreth 1500 tifozë kosovarë për këtë sfidë. “E dimë që më parë se Federata e Futbollit të Serbisë, pas ngjarjes të huliganëve në Xhenova, është vazhdimisht nën monitorim nga organet disiplinore të UEFA-s, të cilat me siguri nuk do të tolerojnë djegien e flamujve të rivalëve, fyerjet apo këngët nacionaliste “Ubij Šiptara” (Të vrasim shqiptarët). Ndaj drejtuesit e Federatës sonë do të kenë një test të vërtetë me organizimin e kësaj ndeshjeje”, shkruhej në materialin e publikuar nga portali serb.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka konfirmuar për gazetën Shqip se ka zhvilluar një takim me “Plisat” rreth kësaj ndeshjeje, por nuk i ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare grupimit të tifozëve kosovarë. “Jam takuar me një delegacion të tyre, pasi ata kërkojnë të jenë të pranishëm në Beograd për të mbështetur kombëtaren. Nuk u është kthyer një përgjigje përfundimtare, pasi për një ndeshje kaq delikate duhet diskutuar edhe me Federatën Serbe dhe UEFA-n. Nuk ka asnjë akord mes palëve për sa u përket tifozëve, por disa kohë më parë, UEFA na ka sugjeruar që dy ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tifozëve udhëtues, duke parë edhe nuancat jashtë futbollit që mund të marrin këto sfida”, – tha Shulku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button