Papa Fraçesku autorizon dekretin e martirizimit
Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Engjëll Masafra bëri sot të ditur, përmes një konference për shtyp të mbajtur në Arqipeshkvinë e Shkodrës, se Papa Fraçesku autorizoi shpalljen e dekretit të martirizimit të 38 Martirëve të kishës katolike, të vrarë në Shqipëri nga regjimi komunist gjatë viteve 1945-1974.
Në audiencën që Papa i ka dhënë kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit për “martirizimin e Shërbëtorit te Hyjit Vinçenc Prenushi i Urdhërit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokët martirë të vrarë ndërmjet 1945 dhe 1974”.
Martirët shqiptare; një biografi e shkurtër sipas Kishës Katolike
Imzot Vincenc Prenushi o.f.m. Arqipeshkëv i Durrësit. Lindi në Shkodër, më 4 Shtator 1885. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në kolegjin e françeskanëve në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri). Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars 1908. Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, i kolegjit françeskan, Guardian i Kuvendit të Shkodrës. Dy herë qe provincial. Më 19 mars 1936 u shugurua Ipeshkëv i Sapës e pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. U arrestua më 19 maj 1947 dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949.
Dom Anton Zogaj Ai lindi në Kthellë të Mirditës. Mbaroi seminarin Papnor në Shkodër (1920). U diplomua për filozofi në Trauning (Austri). U shugurua meshtar më 26.4.1932. Për meritat e tij e emëruan Sekretar pranë Ipeshkvisë së Durrësit. Në vitin 1945, komunistët e arrestuan. Dom Antonin e pushkatuan më 31.12.1946, në Porto Romano.
Imzot Frano Gjini Ipeshkëv, Abat i Mirditës, në Orosh lindi në Shkodër, më 20 Shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës kurse studimet teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak. Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit, seli që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së Postribës”. U dënua me pushkatim. U pushkatua më 11 mars 1948.
Marie Tuci Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen, Mirditë), më 12 Mars 1928. Shkollën e mesme e kreu te Motrat Stigmatine në Shkodër. U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949. Sipas dëshmive duroi tortura të rënda. Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950.
Atë Giovanni Fausti s.j. Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.
Imzot Jul Bonati Lindi në Shkodër, më 24 Maj 1874. Studioi në Firence. Njihte disa gjuhë të huaja. U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906. Ka përkthyer në gjuhën italiane librin e Atë Gjergj Fishtës: “Lahuta e Malcisë”. U arrestua në Durrës më 25 mars 1946, u torturua çnjerëzish. Vdiq më 5 nëntor 1951.
Dom Alfons Tracki Lindi më 2 Dhjetor 1896 në një familje me prejardhje polake. Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër si misionar. Luftoi traditat si prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunistë. Kontribuoi në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. U pushkatua më 18 korrik 1946.
Atë Gjon Shllaku Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në Universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoraturen. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofi së në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars.
Atë Karl Serreqi Lindi në Shkodër, më 2 Shkurt 1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. U arrestua më 9 tetor 1946. U dënua me vdekje më 18 janar 1947. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954.
Atë Mati Prendushi Lindi në Shkodër, më 2 Tetor 1881. Shkollën fillore, të mesme dhe liceun, i kreu në shkollën françeskane (Shqipëri). Studimet e filozofisë i kreu në Grac (Austri). U shugurua meshtar më 25.03.1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Qe provincial i Françeskanëve në Shqipëri nga viti 1943 deri në vdekje. Në 15.11.1946 qe arrestuar me akuzën se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës. U pushkatua më 11 mars 1948, tek varrezat e Rrmajit.
Dom Jozef Maksen Lindi në Worringen (Gjermani), më 2 Gusht 1906. Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës (Mirditë). Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe në fushën e të mësuarit dhe të kulturës. Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë e Perlatit (Mirditë). Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorrën nga burgu dhe pastaj nuk u mor vesh kurrë se ku e kishin dërguar.
Dom Lazer Shantoja Lindi në Shkodër, më 2 Shtator 1892. Studioi nga fillorja deri në lice në Seminarin Papnor Shqiptar dhe vazhdoi studimet e teologjisë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Qe sekretar i kreyiepsjhkvit Imzot Lazër Mjeda. Qe orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njerëzore e hyjnore. U arrestua në vitin 1945 në Sheldi. U zhduk nga burgu dhe nuk i dihet fundi.
Dom Lekë Sirdani Lindi në Gurës (Milot), më 1 Mars 1891. Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Pas arrestit, vuajti tortura. Vdiq më 26 dhjetor 1948 në veri të qytetit të Shkodrës.
Dom Luigj Prendushi Lindi në Shkodër, më 24 Janar 1896. Prej shkollës fillore deri në meshtari studioi në seminare të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio dhe Sarvano. U shugurua meshtar më 12 mars 1921. U kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Ipeshkvinë e Sapës. U akuzua se ishte “spiun i Vatikanit”, u arrestua në Naraç më 8 dhjetor 1946 dhe për të terrorizuar popullin, u pushkatua në Shelqet në praninë e fshatarëve, më 24 janar 1947.
Atë Ciprian Nika Lindi në Shkodër, më 19 Korrik 1900. Mbeti jetim, kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri. U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë guardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje. U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës. U pushkatua më 11 mars 1948.
Atë Serafin Koda Lindi në Janjevë (Kosovë), më 25 Prill 1893. Meshën e Parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua pas një takimi, që bënë françeskanët në Lezhë. Vdiq në Lezhë, ndër tortura, më 11.05.1947.
Atë Gasper Suma Lindi në Shkodër, më 23 Mars 1897. Shkollën e mesme e kreu te françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar, më 31 korrik 1921 dhe shërbeu në zonat më të vështira malore: Theth, Brigje të Hotit dhe Gomsiqe. U arrestua dhe vdiq në burgun e Shkodrës më 14 prill 1950. Eshtrat e tij prehen në Kishës Françeskane të Shkodrës.
Dom Anton Muzaj Lindi në Vrnakollë (Kosovë), më 19 Mars 1921. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër. Në vitin 1938 shkoi në Romë në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian. U shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946, u kthye në atdhe. Në vitin 1948 u arrestua dhe pas shumë torturave u lirua. Vdiq në Arqipeshkvinë e Shkodrës, për shkak të pasojave të torturave, në pranverë të vitit 1948.
Dom Dede Maçaj Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 Shkurt 1920. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës. U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Pas torturave, u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet.
Dom Dede Malaj Lindi në Mali Kolaj (Velipojë), më 16 Nëntor 1917. Pas shkollës fillore dhe të mesme, që kreu në Seminarin Papnor Shqiptar vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942. U kthye në Shqipëri në Ipeshkvninë e Shkodrës për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. Pasi dërgoi jashtë shteti listën e meshtarëve të pushkatuar, u arrestua dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare.
Mark Çuni, seminarist Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar, vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.
Atë Bernardin Palaj Lindi në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 Tetor 1894. Teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë; qe profesor dhe shkrimtar. Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. Në 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër.
Atë Daniel Dajani Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946.
Gjelosh Lulashi (laik) Lindi në Shosh (Dukagjin), më 2 Shtator 1925. Qe besimtar i thjeshtë, laik. Qe oficer ushtarak në spitalin e Shkodrës. Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar”. U arrestua dhe pushkatua më 4 mars 1946.
Dom Mikel Beltoja Lindi në Beltojë, më 9 Maj 1935. Shkollën fi llore e kreu në fshatin e tij dhe disa klasë të shkollës së mesme. U përgatit nga ana filozofike e teologjike privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar më 8 dhjetor 1961. U arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973. U pushkatua më 10 shkurt 1974.
Dom Ndre Zadeja Lindi në Shkodër, më 3 Nëntor 1892. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Një ndër Meshët e para të tij, e kremtoi në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë (rrëzë Kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama. Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar në famulli të ndryshme të Dioqezës. Qe i pari meshtar, që u pushkatua në Shkodër nga komunistët, të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945.
Dom Mark Gjani Lindi në Shën Gjergj (Pulaj), më 10 korrik 1909. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Bobio (Itali), ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars 1942. U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947.
Dom Dede Plani Lindi në Shkodër, më 21 Janar 1891. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Primiz (Austri) më 3 gusht 1919. Pas shugurimit të tij meshtarak u rikthye në atdhe. Ishte i mirë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1947 në Rrenc (Shkodër). Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948.
Dom Ejell Deda Lindi në Shkodër, më 22 Shkurt 1917. Studimet e para i kreu tek françeskanët, pastaj kaloi në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë. U shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve (Shkodër), ku kremtoi edhe Meshën e Parë të nesërmen, më 25 shkurt. Qe famullitar i Bushatit (Shkodër). U arrestua më 12 nëntor 1947. Vdiq në burg, më 12 maj 1948.
Dom Jak Bushati Lindi në Shkodër, më 7 Gusht 1890. Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofi në dhe teologjinë. U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Shërbeu në zonën e Mirditës për 26 vjet. U arrestua në vitin 1949. Pas shumë torturash vdiq në burg më 12 shtator 1949, para se të gjykohej.
Papa Josif Mihali Lindi në Elbasan, më 23 Shtator 1912. Studimet i kreu në seminarin “Benedikti XI”, në Grotaferrata (Itali). Dha një shembull shumë të mirë. Studimet e filozofi së dhe të teologjisë i kreu në seminarin e shën Atanazit (Romë). U shugurua në Romë, më 1 dhjetor 1935. Në Shqipëri erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i Kishës së shën Pjetrit në Elbasan. U arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik dhe u dërgua me punë të detyruar në Korçë ku vdiq më 26 tetor 1948.
Dom Marin Shkurti Lindi në Samrish, më 1 Tetor 1933. Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda. U shugurua meshtar në katedralen e Shkodrës, nga Imzot Çoba, më 8 dhjetor 1961. Pas mbylljes së kishave, ka zhvilluar fshehurazi shërbesën e tij në fshatra e qytete. Kërkoi strehim në Jugosllavi, por u tradhëtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.
Dom Ndoc Suma Lindi në Nënshat, më 31 korrik 1887. Studimet filozofi ke dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruck (Austri) bëri edhe dy vite të tjera studim. U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit Saverian. Meshën e Parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911. Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946 u arrestua, ndërsa kremtonte Meshën e shenjtë dhe u dënua me 30 vjet burg. Pas një paralize, në vitin 1953 dhe pasi bëri tetë vite burg, u lirua më 27 nëntor 1954. Njihej si një etnograf i madh. Kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita të vjetra shqiptare. Vdiq më 22 prill 1958.
Dom Pjetër Çuni Lindi në Shkodër, më 9 Korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa motive në Rrjoll më 27 korrik 1948. Pas torturave të rënda vdiq më 26 dhjetor 1948.
Dom Shtjefen Kurti Lindi në Ferizaj (Kosovë), më 25 Dhjetor 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg. Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje pse pagëzoi një fëmijë. U pushkatua më 20 tetor 1971.
Fran Mirakaj (laik) Lindi në Iballë (Pukë), më 13 Gusht 1916. Qe blegtor dhe shitës. Kishte të afërm e kushërinj jashtë shtetit, për këtë arsye u vu ne shenjestër nga sigurimi. Gjykata e Tiranës aprovoi dënimin e shpallur në Shkodër më 22 shkurt 1946. U pushkatua në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946.
Vëlla Gjon Pantalia Lindi në Prizren (Kosovë), i afërm me Nënë Terezën, më 2 Qershor 1887. Erdhi në Shqipëri në vitin 1906 në shkollën e jezuitëve, si vëlla në shoqërinë e Jezusit. Ka studiuar edhe në Soresina (Itali). Pas arrestimit të Etërve Fausti dhe Dajani, qe udhëheqësi shpirtëror i Kongregatës. U arrestua në vitin 1946 në Kuvendin e Fretërve (Gjuhadol) Vdiq ndër tortura më 31 tetor 1947.
Qerim Sadiku (laik) Lindi në Vuthaj (Shkodër), më 12 Shkurt 1919. Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” dhe ishte ndërlidhës mes malit e qytetit. U arrestua më 3 dhjetor 1945 dhe u torturua. U dënua me vdekje dhe u pushkatua, në grup, bashkë me Atë Gjon Skllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani, më 4 mars 1946.