Papa Leone XIV pret presidentin francez Macron
Papa Leone XIV priti sot në një takim presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin Apostolik të Vatikanit, në Romë, sipas “Vatican News”.
Gjatë diskutimeve në Sekretariatin e Shtetit, ata shkëmbyen pikëpamje mbi situatat e konfliktit në të gjithë botën me shpresën e rivendosjes së bashkëjetesës paqësore përmes dialogut dhe negociatave.
Presidenti francez, Emmanuel Macron mbërriti në Oborrin e San Damasos rreth orës 10:00 të mëngjesit.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Brigitte, Macron pati gjithashtu një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Ai kaloi rreth dy orë në Vatikan gjithsej.
Kjo është hera e parë që Papa Leone dhe Macron takohen personalisht. Më herët, gjatë pontifikatit të Papa Françeskut, presidenti francez e vizitoi Vatikanin tre herë.
Presidenti francez shfrytëzoi rastin për t’i dhuruar Papa Leone një fanellë të nënshkruar të ekipit kombëtar francez të basketbollit.
Ky nuk ishte një gjest i vogël. I zgjedhur një vit më parë, Papa amerikan është një tifoz i madh i sportit.
“Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretariatin e Shtetit, u përmendën marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Selisë së Shenjtë dhe Francës. Diskutimet më pas u përqendruan në çështje të rëndësishme ndërkombëtare, me një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatat e konfliktit në të gjithë botën, duke shprehur shpresën se bashkëjetesa paqësore mund të rivendoset përmes dialogut dhe negociatave”, thuhet në një deklaratë nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron mbërriti dje në Romë. Kreu i Pallatit Élysée u shoqërua nga një delegacion i madh që përfshinte edhe ministrin e Jashtëm Jean-Noël Barrot. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.