Tiranë 32°C · Pjesërisht vranët 02 July 2026
S&P 500 7,483 ▼0.22%
DOW 52,305 ▼0.03%
NASDAQ 26,040 ▼0.66%
NAFTA 67.66 ▼1.34%
ARI 4,076 ▼0.16%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1385 EUR/GBP 0.8581 EUR/CHF 0.9216 EUR/ALL 94.0045 EUR/MKD 61.6917 EUR/RSD 117.3368 EUR/TRY 53.1640 EUR/JPY 185.09 EUR/CAD 1.6184 EUR/USD 1.1385 EUR/GBP 0.8581 EUR/CHF 0.9216 EUR/ALL 94.0045 EUR/MKD 61.6917 EUR/RSD 117.3368 EUR/TRY 53.1640 EUR/JPY 185.09 EUR/CAD 1.6184
₿ CRYPTO
BTC $61,252 ▲ +4.47% ETH $1,646 ▲ +4.6% XRP $1.0808 ▲ +3.86% SOL $81.5400 ▲ +8.65%
S&P 500 7,483 ▼0.22 % DOW 52,305 ▼0.03 % NASDAQ 26,040 ▼0.66 % NAFTA 67.66 ▼1.34 % ARI 4,076 ▼0.16 % S&P 500 7,483 ▼0.22 % DOW 52,305 ▼0.03 % NASDAQ 26,040 ▼0.66 % NAFTA 67.66 ▼1.34 % ARI 4,076 ▼0.16 %
EUR/USD 1.1385 EUR/GBP 0.8581 EUR/CHF 0.9216 EUR/ALL 94.0045 EUR/MKD 61.6917 EUR/RSD 117.3368 EUR/TRY 53.1640 EUR/JPY 185.09 EUR/CAD 1.6184 EUR/USD 1.1385 EUR/GBP 0.8581 EUR/CHF 0.9216 EUR/ALL 94.0045 EUR/MKD 61.6917 EUR/RSD 117.3368 EUR/TRY 53.1640 EUR/JPY 185.09 EUR/CAD 1.6184
02 Jul 2026
Breaking
Opinion

Paradoksi i politikës bujqësore shqiptare: sektori më i madh në ekonomi, mbështetja më e ulët në rajon

green tractor on brown grass field under blue sky during daytime
Foto ilustruese nga Randy Fath

Nga: Edvin Zhllima

Çdo pranverë, shpallja e skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë shoqërohet me të njëjtin debat. Fermerët dhe organizatat e tyre ftohen të diskutojnë se cilat kultura do të mbështeten, sa do të jetë subvencioni për hektar apo për krerë bagëti dhe cilat kategori do të përfitojnë më shumë. Ky debat është i rëndësishëm, por shpesh mbetet i kufizuar te mënyra se si ndahet fondi, duke lënë në plan të dytë një pyetje shumë më themelore: pavarësisht rritjes vjetore, a është vetë fondi i mjaftueshëm për të ndryshuar të ardhmen e bujqësisë shqiptare?

Politika bujqësore nuk matet vetëm nga lista e masave që shpallen çdo vit. Ajo matet edhe nga burimet që një shtet zgjedh të investojë në një sektor që ka rëndësi ekonomike, sociale dhe territoriale. Për sa kohë që Shqipëria vazhdon të mbështesë bujqësinë me nivelin më të ulët të financimit për hektar në rajon, debati mbi kriteret e skemës do të mbetet i pamjaftueshëm. Pyetja kryesore nuk është vetëm kush përfiton nga fondi, por nëse vetë fondi është në gjendje të ndryshojë të ardhmen e bujqësisë shqiptare dhe ta bëjë fshatin një vend ku ia vlen të jetosh, të investosh dhe të ndërtosh të ardhmen.

Kjo bëhet më e qartë kur Shqipëria krahasohet me fqinjët e saj. Shqipëria është vendi ku bujqësia ka peshën më të madhe në ekonomi në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sektori gjeneron rreth 16% të Vlerës së Shtuar Bruto, punëson rreth 35% të forcës së punës dhe siguron 12.5% të eksporteve totale të vendit. Në shumë zona rurale, bujqësia nuk është vetëm aktivitet ekonomik; ajo është baza e jetesës së komuniteteve të tëra. Megjithatë, pikërisht ky sektor mbështetet me nivelin më të ulët të financimit publik për hektar tokë bujqësore të përdorur në rajon.

Në vitin 2025, mbështetja publike për bujqësinë në Shqipëri arriti në rreth 106 milionë euro. Kjo përkthehet në vetëm 90 euro për hektar tokë bujqësore, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor. Rritja e fondit gjatë vitit 2025 ishte një zhvillim pozitiv, por madhësia e tij mbetet modeste në raport me nevojat e sektorit.

Nga shuma totale prej 106 milionë eurosh, rreth 51 milionë euro janë pagesa direkte. Pagesat direkte janë forma më e drejtpërdrejtë e mbështetjes që qeveria u jep fermerëve. Qëllimi i tyre nuk është domosdoshmërisht të paguajnë për një produkt të caktuar, por të mbështesin të ardhurat e fermës dhe të krijojnë stabilitet ekonomik, në mënyrë që fermerët të vazhdojnë aktivitetin, të investojnë dhe të përshtaten me standardet e tregut. Për këtë arsye, niveli i pagesave direkte është një nga treguesit më të rëndësishëm të angazhimit financiar të shtetit ndaj bujqësisë.

Megjithatë, kjo mbështetje shpërndahet në një numër përfituesish prej më pak se 55 mijë fermerësh. E ndarë mesatarisht, mbështetja për fermë mbetet më pak se 1,000 euro në vit. Në këtë nivel, subvencionet funksionojnë më shumë si një instrument kompensues sesa si një instrument transformues.

Kjo është edhe arsyeja pse mbështetja aktuale ka ndikim të kufizuar mbi një nga sfidat më të mëdha të vendit: largimin e popullsisë nga zonat rurale. Vendimi i një familjeje për të qëndruar në bujqësi nuk merret vetëm mbi bazën e një subvencioni vjetor prej disa qindra eurosh. Ai varet nga mundësia për të siguruar të ardhura të qëndrueshme, për të investuar, për të pasur akses në tregje, përpunim, këshillim, infrastrukturë dhe shërbime publike.

Krahasimi rajonal është domethënës. Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në ekonomi dhe në punësim në rajon, por mbështetja për hektar mbetet më e ulëta. Një sektor që mban një të tretën e vendeve të punës në vend vazhdon të financohet në fund të tabelës rajonale (shih tabelën). Sipas të dhënave të krahasimit rajonal, Shqipëria mbështet bujqësinë me rreth 90 euro/ha, krahasuar me 292 euro/ha në Serbi, 170 euro/ha në Kosovë, 150 euro/ha në Maqedoninë e Veriut, 145 euro/ha në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe 105 euro/ha në Mal të Zi. Mesatarja e thjeshtë rajonale është rreth 159 euro/ha, që do të thotë se mbështetja në Shqipëri është afërsisht 43% më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor.

Krahasimi nuk mbaron vetëm me Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri, mbështetja publike përfaqëson rreth 3% të GVA-së bujqësore. Në Bashkimin Evropian, transferet nga Politika e Përbashkët Bujqësore (PBB) përfaqësojnë mesatarisht rreth 20% të GVA-së bujqësore, ndërsa edhe vendet me nivelin më të ulët të mbështetjes zakonisht investojnë 8–12% të GVA-së së sektorit. Në vende ku bujqësia ka rëndësi strategjike për kohezionin territorial ose përballet me kufizime natyrore – si Irlanda, Finlanda, Greqia, Rumania dhe, në disa vite, Kroacia – mbështetja nga PBB arrin ose tejkalon 40% të GVA-së bujqësore.

Prandaj, debati duhet të zhvendoset nga pyetja se si ndahet një fond i kufizuar drejt pyetjes më themelore: sa duhet të rritet gradualisht mbështetja publike për bujqësinë dhe si duhet të orientohet ajo drejt investimeve, rritjes së produktivitetit, përmbushjes së standardeve, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe integrimit në tregjet evropiane. Një skemë më e mirë nuk mund të prodhojë ndryshim strukturor nëse fondi që e financon mbetet i pamjaftueshëm.

Kostoja e pezullimit të IPARD-it

Dobësia financiare e skemës kombëtare u bë edhe më e dukshme pas pezullimit të programit IPARD III. Në vitin 2023, Komisioni Evropian pezulloi zbatimin e programit pas konstatimit të mangësive serioze në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të fondeve. Më pas, u kërkua nga Komisioni rikthimi i rreth 33.5 milionë eurove të financuara në kuadër të IPARD II, ndërsa Shqipëria humbi aksesin në një program investimesh me vlerë 146 milionë euro, nga të cilat 112 milionë euro ishin grant i Bashkimit Evropian.

Pasoja nuk ishte vetëm financiare. Qindra investime të planifikuara në ferma, agro-përpunim dhe infrastrukturë rurale u shtynë ose nuk u realizuan. Besueshmëria e institucioneve shqiptare në administrimin e fondeve të para-anëtarësimit u dëmtua, ndërsa deri më sot nuk ka pasur një proces të qartë të identifikimit dhe mbajtjes së përgjegjësisë institucionale për dështimet që çuan në pezullimin e programit. Ekziston pritshmëria që programi IPARD të mund të rifillojë deri në fund të këtij viti, nëse autoritetet shqiptare arrijnë të plotësojnë kërkesat e Komisionit Evropian për forcimin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit. Por rifillimi i programit është vetëm hapi i parë. Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm rikthimi i IPARD-it, por ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme, transparente dhe profesionale që të jenë në gjendje të administrojnë dhe të disbursojnë fondet në kohë, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Nëse integrimi është objektiv, edhe buxheti duhet të ndryshojë

Nëse Shqipëria synon që bujqësia e saj të integrohet realisht në Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian, sfida nuk kufizohet vetëm tek përafrimi i legjislacionit apo rikthimi i fondeve IPARD. Integrimi kërkon edhe një konvergjencë graduale të nivelit të investimit publik.

Një objektiv realist deri në vitin 2030 do të ishte trefishimi i mbështetjes publike në një vlerë minimale prej 300 milionë euro në vit, ose afërsisht 10% të GVA-së bujqësore dhe rreth 270 euro për hektar. Edhe ky nivel do të mbetej nën mesataren e Bashkimit Evropian, por do ta afronte Shqipërinë me standardet financiare të rajonit dhe do të krijonte bazën për modernizimin e fermave dhe përgatitjen për anëtarësim.

Kjo ngre një pyetje të rëndësishme për politikëbërjen publike. A është bujqësia një prioritet buxhetor në përputhje me peshën që ka në ekonomi dhe në shoqëri?

Në këtë kontekst, energjia advokuese e organizatave të fermerëve shpesh konsumohet gjatë disa muajve të konsultimeve për mënyrën e ndarjes së një fondi të kufizuar, në vend që të përqendrohet te zgjerimi gradual i vetë fondit. Shumë prej kërkesave vazhdojnë të fokusohen te subvencionimi i inputeve, mbështetja për sasinë e prodhuar apo të tregtuar dhe masat e mbrojtjes së tregut. Këto kërkesa janë të kuptueshme nga këndvështrimi i fermerëve, por një pjesë e tyre janë të vështira për t’u harmonizuar me rregullat e Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe me detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, ekspertet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në diskutimet teknike për skemat e mbështetjes, me të drejtë mbështetsin parimet dhe kufizimet e Politikës së Përbashkët Bujqësore. Megjithatë, roli i Ministrisë në përcaktimin e madhësisë së buxhetit është i kufizuar. Siç thotë një shprehje popullore, “bukën e gatuan me aq miell sa ka në magje”. Deri më sot, pavarësisht ndryshimit të ministrave të Bujqësisë dhe objektivave të tyre e fuqisë advokuese, mbështetja publike nuk ka ndjekur ritmin që do të kërkonte një transformim i vërtetë i sektorit. Përtej cdo dëshire nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vendimet për madhësinë e buxhetit nuk merren në tryezat teknike ku diskutohet skema e subvencioneve, por gjatë hartimit të politikave fiskale dhe buxhetit të shtetit. Kjo është një përgjegjësi që ndahet mes Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Kuvendit. Këto të fundit edhe pse ka qenë e dukshme nevoja qoftë ekonomike (mbështetja e konkurrueshmërisë) e qoftë sociale (ngadalësimi i migrimit e rritja e papabarazive fshat qytet) për rritjen e mbështetjes, nuk kanë siguruar mbështetjen e duhur për ndërtimin e një vizioni afatgjatë ku bujqësia të trajtohet si një investim strategjik për zhvillimin ekonomik, sigurinë ushqimore dhe integrimin evropian.

Por përgjegjësia nuk mbaron te institucionet. Në mungesë të një presioni të qëndrueshëm nga organizatat e fermerëve dhe komunitetet rurale, bujqësia rrezikon të mbetet çdo vit në fund të listës së prioriteteve buxhetore. Në politikë, prioritet bëhet rrallë ai që nuk ka zë.

Përgjatë këtyre dekadave, fermerët dhe fshatarësia shqiptare nuk kanë arritur të ndërtojnë një presion të qëndrueshëm publik dhe institucional për të mbrojtur interesat e tyre. Edhe gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë dhe disa qytete të tjera, ku u artikuluan një sërë pakënaqësish ekonomike e sociale, mungesa e një zëri të organizuar të fermerëve dëshmoi edhe një herë dobësinë e përfaqësimit kolektiv të sektorit. Ndryshe nga disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, ku organizatat e fermerëve kanë ushtruar presion të vazhdueshëm mbi qeveritë për rritjen e mbështetjes publike, në Shqipëri mobilizimi mbetet i kufizuar. Nëse kjo prirje vazhdon, presioni shoqëror për rritjen e investimeve publike në bujqësi ka të ngjarë të mbetet i dobët, duke e bërë më të vështirë që sektori të fitojë peshën buxhetore që kërkon.Top of FormBottom of Form

Kërkesat për më shumë mbështetje financiare për bujqësinë janë të pandashme nga kërkesat për zhvillimin e zonave rurale. Megjithatë, edhe pse “zhvillimi rural” është pjesë e diskursit politik prej vitesh, Shqipëria ende nuk ka një përkufizim zyrtar të zonës rurale. Kjo tregon se fshati vazhdon të mbetet në periferi të politikëbërjes. Në këtë realitet, heshtja dhe mobilizimi i kufizuar i fermerëve rrezikojnë ta thellojnë edhe më tej këtë mungesë vëmendjeje. Ky do të ishte një paradoks i hidhur për një sektor që gjatë tranzicionit ka mbajtur një pjesë të madhe të barrës sociale dhe ekonomike të vendit, por që vazhdon të mbetet ndër më pak të mbështeturit nga politikat publike. Nëse kjo nuk ndryshon, rreziku nuk është vetëm një bujqësi më pak konkurruese, por një fshat që humbet gradualisht peshën e tij në debatin dhe vendimmarrjen publike.

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.