Pensionistët në vështirësi në Cërrik: Paratë na ikin për ilaçe dhe ushqime
Pensionistët në Cërrik thonë se pensionet nuk mjaftojnë për të përballuar ilaçet, ushqimet dhe faturat e shtëpisë.
Disa prej tyre tregojnë se detyrohen të heqin dorë edhe nga medikamentet, pasi shpenzimet mujore tejkalojnë të ardhurat.
Pensioni mbaron përpara se të mbarojë muaji. Për shumë të moshuar në Peqin, pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për ilaçe, ushqime dhe faturat e shtëpisë, ndërsa për shpenzime të tjera nuk mbetet pothuajse asgjë. Një pensioniste tregon se vetëm për medikamente shpenzon rreth 50 mijë lekë në muaj nga pensioni prej 93 mijë lekësh. Kur shpenzimet shtohen, thotë ajo, detyrohet të heqë dorë edhe nga ilaçet.
“93 mijë lekë. Por jo, o shpirt, asnjë lloj shpenzimi, unë 50 mijë lekë marr ilaçe. Asnjë lloj shpenzimi, mos të kemi fëmijët, kemi vdekur, kemi mbaruar. Është shumë e vështirë, çfarë është e vështirë, thotë. Shumë më të shtrenjta, më të shtrenjta se në Tiranë janë çmimet. Më të shtrenjta se në Tiranë. Ka raste dhe ilaçet i lëmë pa marrë se s’i përballojmë dot, të vërtetën, se kemi frikë”, është shprehur një zonjë.
Të njëjtën vështirësi tregojnë edhe pensionistë të tjerë. Sipas tyre, çmimet nuk janë në raport me pensionet dhe të ardhurat mujore mjaftojnë vetëm për nevojat më të domosdoshme.
Pensionisti: Çdo gjë është shtrenjtë. Kudo që të shkosh, çmimet janë të larta.Gazetarja: A janë çmimet në raport me pensionin?Pensionisti: Absolutisht jo.Gazetarja: Pse?Pensionisti: Atë e di politika e shtetit që ndjek.Gazetarja: Si ia bën një pensionist, i përballon të gjitha shpenzimet?Pensionisti: Mos më pyet më. Ka siklete shumë, nuk përballohet. Atë sa e merr dhe e çon direkt te ilaçet dhe ato qiratë, drita, ujë, faturat. Nuk mbyllen dot. I ikën 174 mijë. Po ja, afërmendsh, nuk na mjaftojnë, po çfarë të bëjmë! Sa të duash e vështirë është. Me 174 mijë lekë të marrësh ilaçet, të marrësh këto, të marrësh ato, për një muaj, bëhet? S’bëhet gjë. Po ato janë më kryesoret: ilaçet, ushqimet.
Ilaçet, ushqimet, energjia elektrike dhe uji janë shpenzimet që marrin pjesën më të madhe të pensionit. Për disa familje, mbështetja e fëmijëve është e vetmja mënyrë për të përballuar muajin.
“Shumë e vështirë është. Po kemi fëmijët jashtë shtetit dhe bashkëshortja e ka pak të mirë, se ka qenë mësuese e drejtoreshë. Kurse vetë rrobaqepës, 157 mijë lekë. Ku përballohen gjërat, vetëm në spitalet që ke vetë e që ke gruan, ku të kapin me dorë. Se flasin në televizor që s’ka, nuk të kap me dorë po si dhe lekë. Kjo të vret më shumë, se për operacione shkojnë 2 milionë e gjysmë, 3 milionë lekë, s’përballohet”, është shprehur një pensionist tjetër.
Për pensionistët e intervistuar nga Euronews Albania, rritja e kostos së jetesës matet me zgjedhjet që detyrohen të bëjnë çdo muaj: të blejnë ilaçet, të paguajnë faturat apo të kursejnë edhe për ushqimet bazë. Në fund, pensioni mbetet i njëjtë, ndërsa shpenzimet, thonë ata, jo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.