Ekonomia

Partneriteti publik-privat në TVSH: A ia vlen?!

aaaaNga Ornela Liperi

Blerina Hoxha

Skema miliona euroshe e propozuar nga Ministria e Financave dhe kompania Mpos dhe reagimi i ekspertëve të teknologjisë së informacionit: Ky nuk është projekt me kosto të larta dhe mund të bëhej nga vetë administrata. Të gjitha elementët që janë shprehur në këtë partneritet janë në funksion ose me investime të vogla mund të vihen në punë nga administrata. Dyshime nëse do të japë efekt në rritjen e të ardhurave, pasi përvoja ka treguar se përdorimi i kuponit tatimor nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me TVSH-në

Të ardhurat nga TVSH e brendshme për 11-mujorin 2015 u rritën me 9.2%, sipas statistikave fiskale të qeverisë, ndërsa një vit më parë zgjerimi vjetor i këtij zëri ishte 10%. Me shumë pak punë, në një ekonomi që në afatin e mesëm pritet të rritet 4-4.5% në vit dhe një inflacion të targetuar rreth 3%, zëri më i rëndësishëm në të ardhurat e qeverisë mund të arrijë të zgjerohet mbi 11%. Ky është dhe kufiri mbi të cilin kompania, që i ka propozuar Ministrisë së Financave, përmes një skeme Partneriteti Publik-Privat (PBB), në fushën e administrimit të TVSH-së, do të fillojë të marrë pjesën e vet të fitimit, sipas skemës që është bërë publike së fundmi…

…Ministria e Financave njoftoi zyrtarisht javën e kaluar nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik Privat, në fushën e administrimit tatimor. Institucioni që harton politikat fiskale të vendit tha se ka bërë një studim fizibiliteti shumë të detajuar, nga i cili kanë dalë edhe termat e referencës, që do të shpallen shumë shpejt. Do të shpallim tenderin e hapur ndërkombëtar, ku ftojmë të gjitha bizneset private, shqiptare apo të huaja, të marrin pjesë në këtë tender. Ministria pranoi se ka marrë një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS. Thelbi i propozimit është një platformë teknologjike, që zëvendeson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore.

Dy janë elementët më të diskutueshëm në këtë nismë të Ministrisë. -Së pari raporti kosto-përfitime. Ministria e Financave ditën e parë, kur prezantoi projektin tha se nuk kishin të dhëna se sa ky sistem do të rriste të ardhurat nga TVSH, por u mjaftua me faktin se skema e shpërblimit të kompanisë partnere do të ishte në varësi të performancës. Një ditë më pas, zëvendësministrja e financave, znj.Irena Beqiraj tha se të ardhurat shtesë nga investimi i partnerit privat do të ishin 180 milionë dollarë në 10 vjet. Ndarja e kësaj rritjeje do të varet nga formula e shprehur në termat e referencës, pra nëse në vitin e parë rritja do të jetë 0-4% mbi 11%, atëherë partneri do të marrë maksimalisht 90% të shtesës. Nëse rritja do të jetë nga 4-6% (mbi 11%) do të marrë maksimalisht 65% dhe po arriti nga 7-10% (gjithnjë mbi 11%) partneri privat të marrë 45% të shtesës” tha Beqiraj.

Por, a mund ta bëjë vetë shteti këtë investim. Renald Risto, ish drejtori i IT në Drejtorinë e Tatimeve është i sigurt që po. Ai thotë se ky nuk është projekt me kosto të larta dhe mund të bëhej nga vetë administrata. Të gjitha propozimet në këtë partneritet janë në funksion, ose me investime të vogla mund të vihen në punë nga administrata. Një tjetër element që ai shton është lidhja e munguar e konstatuar mes përdorimit të kuponit tatimor dhe rritjes së të ardhurave nga TVSH.

Florion Mima, ish zëvendës ministër i financave shkon edhe më tej kur thotë se Shqipëria e ka arritur maksimumin e rendimentit të mbledhjes së TVSH-së, në rreth 9% të Prodhimit të Brendshëm bruto dhe evazioni është gjetkë.

Ndërsa aksioni anti-informalitet i nisur në shtator nuk dha rezultatet që priteshin, ajo që ishte më e domosdoshme, përpara se të “nxitohej” drejt PPP-së për TVSH-në ishte një analizë e thellë se ku ka çaluar administrimi i saj dhe taksave të tjera që “mbajnë” shtetin.

Në fund të vitit 2015, të ardhurat totale nga TVSH ishin 125 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 1.5%, me ecurinë më të dobët që u shënua nga doganat (që mbledhin 76% të TVSH-së në total), si rrjedhojë e tkurrjes së importeve. TVSH sjell 33% të totalit të të ardhurave në buxhet.

-Së dyti, a cenohen të dhënat kombëtare përmes këtij partneriteti. Një grup pune i Ministrisë së Financave, rreth dy vjet më parë ka konkluduar se “sistemi i propozuar bie ndesh me parimet themelore të funksionimit të sistemit aktual dhe me tiparet kryesore ligjore të tij propozon zgjidhje jo të përshtatshme”. Grupi i punës në Ministrinë e Financave ka argumentuar se, koncesioni duhet miratuar me ligj, pasi neni 155 i Kushtetutës kërkon që përjashtimi nga taksa, etj, të bëhet me ligj. Shkresa paralajmëron që duke qenë se praktika kërkon që ky koncesion të miratohet me ligj, kjo e ve dhe vetë shtetin në pozitë delikate edhe në rastet kur dhënia e koncesioneve është miratuar me praktika të këqija etj.

Neni 155 i Kushtetutës thotë shprehimisht se “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”. Kjo nënkupton se me Kushtetutë, të drejtën e të tatuarit e ka shteti dhe kontrollin e administrimit e ka shteti. “Të dhënat janë thelbi i shtetit, nëse humb kontrollin, atëhere ke humbur të drejtën kushtetuese”, pohojnë ekspertë të njohur të tatimeve.

Ministria e Financave nga ana e saj ka sqaruar se nuk po jep asnjë lëshim të të drejtave ekskluzive të shtetit tek privati, siç është mbledhja e TVSH, por është një investim i madh në interes të shtetit dhe të publikut.

Në literaturën botërore njihet koncepti i “tax farming”, i përdorur që në kohët e lashta.

Propozimi

Në një dokument teknik të Ministrisë së Financave të vitit 2014 përshkruhet dhe propozimi i pakërkuar dhe argumentimet pse duhej bërë ai. Tre ishin argumentet kryesore mbi të cilët mbështetej propozimi, së pari zëvendësimi i serverit qendror dhe përshtatja e kasave, së dyti, fatura elektronike dhe së treti, lotaria tatimore.

Serveri dhe kasat

-Së pari, në dokument përshkruhej si jofunksional sistemi i kasave fiskale dhe pjesa më e madhe dhe rreth 60% e dokumentit flet për zëvendësimin e kasave fiskale.

Megjithatë, mësohet se projekti ka evoluar në kohë dhe kompania do të investojë në serverin dhe programet qendrore të tatimeve dhe financave, ndërsa kasat ekzistuese do të përshtaten me serverin e ri. Të paktën ky është propozimi që u ka shkuar shoqërive të autorizuara të kasave fiskale (aktualisht janë 4 shoqëri të tilla funksionale).

Ministria e Financave ka bërë të ditur se përmes Partneritet Publik- Privat synon të ketë një platformë të re teknologjike, e cila mundëson transmetimin në kohë reale, jo vetëm të kuponit tatimor, pra jo vetëm të transaksioneve me pakicë, por ajo që është më e rëndësishme, të transaksioneve me shumicë, që janë transaksionet biznes me biznes.

Burime nga kompania Mpos, që ka dërguar propozimin e pakërkuar, pohojnë se sistemi zëvendëson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale. Sistemi aktual quhet Nexus. Ky sistem operohet prej disa vitesh në DPT dhe është sistemi në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore. “Ky sistem ka pasur shumë mangësi si dhe ka rezultuar me probleme të shumta teknike. Sistemi i propozuar ka si qëllim eliminimin e këtyre problemeve”.

Renald Rista, ish-drejtor i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe një njohës i mirë i sistemeve dhe serverëve në tatime, pohon se sistemi aktual i kasave fiskale përfshin programin kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Nexus dhe të gjitha kasat fiskale të instaluara deri tani. (Pas aksionit anti-informalitet, distributorët e autorizuar pohojnë se numri i kasave në përdorim ka patur nje rritje massive duke arritur në rreth 100 mijë.)

Rista shtron pyetjen se përse duhet të bëhet me koncesion gjithë kjo lëvizje me kosto kaq të madhe, kur këtë gjë mund ta bëjnë shoqëritë aktuale (pa pagesë)? Tatimet do të ishin vetëm monitorues të procesit. “Në opinionin tim kjo po bëhet për të monopolizuar një proces të detyrueshëm (kasat fiskale) dhe duke vjelë paratë nga biznesi për mirëmbajtjet dhe shteti si koncesion.”

Një fakt tjetër interesant, sipas Ristës, është se përdorimi i kuponit tatimor nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me TVSH-në. Kasat fiskale masin qarkullimin e bërë me para në dorë sipas nenit 54 dhe 55 të ligjit të procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë. Ato nuk masin xhiron, TVSH-në apo qarkullimin (qarkullimi i biznesit është shitje me para në dorë, plus shitje me faturë e bankë, plus eksporte). Kasat fiskale kanë qëllim të masin vetëm shitje me para në dorë dhe jo elementet e tjera (deri këtu nuk ka lidhje me TVSH-në). Forma e prezantuar në kuponin tatimor (njësi – sasi- çmim TVSH) është që konsumatori të kuptojë strukturën e çmimit dhe jo për të llogaritur TVSH-në. Kuponi tatimor nuk është dokument dhe si i tillë nuk mund të përdoret nga biznesi për të kredituar apo për të paguar TVSH-në.

“Nuk e kuptoj si mund të japësh me koncesion një projekt që nuk ka lidhje deri tani me TVSH-në dhe mbledhjen e taksave, nga ku koncesionari të marrë mbrapa përqindje nga TVSH-ja e mbledhur mbi parashikimin 11% në vit”, thotë ish-shefi i IT-së i Tatimeve.

Faturat elektronike

-Së dyti, në dokument përshkruhet gjenerimi i faturave tatimore të TVSH (ato që biznesi i blen me blloqe në tatime me çmimin 100 lekë) sipas kërkesave të biznesit. Kjo nënkupton që nëse një biznes do të lëshojë 100 fatura sot, do t’i blejë këto fatura te koncesionari. Ky është koncepti i faturës elektronike dhe pretendohet se do lehtësojë biznesin, pasi nuk do t’i shkruajë me dorë faturat por me kompjuter. Kjo pjesë zë rreth 10% të dokumentit.

Edhe Ministria e Financave ka pohuar se instalimi i faturës elektronike është një kërkesë bashkëkohore që ndihmon administratën tatimore në punën e saj të përditshme, por është edhe një kërkesë e biznesit sepse ul edhe kostot e të bërit biznes.

Rista pohon se ky propozim është i pavend dhe aspak serioz, pasi faturat elektronike mund të gjenerohen nga sistemi i ri i implementuar tashmë nga tatimet dhe që ka kushtuar më shumë se 10 milionë euro, investimi fillestar dhe disa miliona të tjera në vazhdim. Është i njëjti proces përmes të cilit programet e kontabilitetit si ‘Alfa’, ‘Financa 5’ apo ‘Bilanc’, gjenerojnë faturat dhe këto programe kushtojnë 200-500 euro.

Sipas tij, gjenerimi i faturës elektronike është një kamuflim që të duken sa më shumë elemente ne te cilat ndikon koncesioni.

 Lotaria

-Së treti, propozimi përmban lojën promocionale të kuponit tatimor (shorteu), që zë rreth 10% të dokumentit. Risto shpjegon se Loja promocionale ka qenë si ide e tatimeve dhe Ministrisë së Financave që në vitin 2011 e huazuar nga Turqia. Por, që të realizohej për qëllimin e rritjes së sensibilizimit të biznesit dhe konsumatorëve për përdorimin e kuponit tatimor, kjo lojë duhej të lidhej me kuponët tatimorë (pra për çdo kupon të lëshuar të kishte një numër “serial” identifikues unik, i cili do të identifikonte kuponin). Kjo gjë mund të realizohej si nga sistemi i brendshëm i tatimeve “Nexus” (i cili duhet të mbante të regjistruar të gjithë serialet) edhe nga shoqëritë e kasave (çdo kasë të gjeneronte një numër unik për çdo kupon) duke bërë ndryshimin e programit në kasë. Problemi qëndronte, shpjegon Risto, se duheshin përditësuar të gjitha kasat dhe më pas të fillonte loja promocionale (për çdo kasë shoqëritë e autorizuara instalonin programin e ri pa pagesë) Ky ndryshim te çdo kasë ishte shumë i vështirë për t’u bërë pasi bizneset nuk shkonin vetë te shoqëritë e kasave dhe nëse fillonte si proces do të merrte më tepër se dy vjet për t’u realizuar (pasi kasat do të përditësoheshin atëherë kur bizneset do të kryenin kontrollet periodike). Por meqënëse vendosja e kasave arriti deri në 85% të bizneseve dhe përdorimi i tyre u bë i dukshëm, nuk u pa më e arsyeshme të implementohej loja promocionale.

Projekti pa kosto të larta, mund të bëhej nga vetë administrata

Si një njohës i sistemit informatik të tatimeve, Risto thotë se ky nuk është projekt me kosto të larta dhe mund të bëhej nga vetë administrata. Të gjitha ato propozime që kanë shprehur në këtë partneritet janë në punë, ose me investime të vogla mund të vihen në funksion nga administrata. “Unë nuk kam parë deri më sot një lidhje mes TVSH-së dhe këtij projekti përveç ndarjes. Është e pabesueshme si mund të trajtohet tatimi më i rëndësishëm i të ardhurave të buxhetit si plaçkë dhe ta ndajnë sipas përqindjeve”.

Kumbaro i Iva Elektronik: Gjenerimi i çdo kuponi në serverin e tatimeve është utopik

Sistemi i raportimit të kuponëve në tatime ka nevojë për përmirësime, por gjenerimi i çdo kuponi në server është utopik, tha për Monitor, Ilir Kumbaro, administratori i kompanisë së kasave Iva Elektronik, duke iu referuar nismës së fundit të Ministrisë së Financave që synon raportimin në kohë reale të kuponëve në serverin e tatimeve, i cili do të administrohet nga një kompani private sipas mënyrës së re të bashkëpunimit me Partneritet Publik-Privat. Aktualisht transmetimi i të dhënave të kasës bëhet një herë në ditë dhe shpeshherë transmetimi ka probleme dhe jo për faj të kasave por të serverit qendror në tatime. Por nëse çdo kupon tatimor do të raportohej në kohë reale, gabimet në transmetim do të shumëfishoheshin për faj të serverit, shpjegoi Kumbaro. Nëse serveri qendror do të kishte probleme, kjo do të fuste bizneset në një kaos që nuk është për faj të tyre. Ai pohoi se së fundmi, këtë projekt e ka aplikuar edhe Turqia, por ka dështuar.

Administratori i një prej kompanive të mëdha të kasave në vend tha se sistemi ka nevojë për përmirësim dhe reflektim. Por nëse serveri apo rrjeti telefonik mobil mund të mos punojë në një moment të caktuar, kjo e bën shumë të vështirë raportimin e të dhënave sipas variantit të propozuar nga Ministria e Financave.

Aktualisht kasa e bën mbylljen ditore në mënyrë manuale dhe kështu duhet bërë – pohon Kumbaro, pasi personi që administron kasën mban përgjegjësi ligjore për kryerjen e këtij veprimi. Ka disa eksperienca rajonale, në këtë drejtim pohon ai, p.sh, Serbia, e cila ka instaluar një sistem ku kasa kontrollohet nga serveri. Çka do të thotë se raportimi i kasës bëhet në një moment që vendos administratori i serverit dhe administratori i kasës vetëm thotë ok. Kumbaro pohon se edhe me metodën aktuale, tatimet i marrin të gjithë të dhënat. Në rast se transmetimi nuk bëhet për dy ose tre herë, atëherë kasa bllokohet dhe tatimet në këtë rast nuk humbin asnjë info. Pretendimi i qeverisë për deklarimin e vonë të faturës tatimore nuk qëndron, pasi kryqëzimi i faturave mund të bëhet një herë në muaj dhe kjo është e mjaftueshme për të zbardhur rrjedhjen e deklarimit të TVSH-së. Nga ana tjetër, tatimet kanë bërë një raport ku kanë klasifikuar gabimet në raportim nga kasat në katër vitet e fundit. Nga grafikët shihet se, gjatë vitit 2014 janë vërejtur 8577 gabime. Nga të dhënat shihet se në 90% të gabimeve, problemi qëndron te serveri i tatimeve. Pasi mbi dy mijë gabime kanë ndodhur vetëm një ditë dhe janë të përqendruara në pak orët që serverët nuk kanë punuar.

Kumbaro tha se, kompanitë e kasave kanë tentuar t’i ofrojnë bashkëpunim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të realizonin bashkërisht luftën ndaj informalitetit dhe të organizonin lotarinë e kuponit tatimor, por propozimet e tyre janë refuzuar, por nga ana tjetër, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka ofruar bashkëpunim, por që ka mbetur një tentativë e parealizuar. Një nga komponentët e skemës së re të administrimit të TVSH me koncesion ka të bëjë edhe me organizimin e suksesshëm të Lotarisë Tatimore, por ky funksion mund të kryhej shumë mirë nëse qeveria do të bashkëpunonte me kompanitë e kasave, tha Kumbaro.

Në një letër që të pesë operatorët e autorizuar per shitjen e kasave fiskale, i kanë dërguar drejtoreshës së tatimeve dhe ministrit të Financave në janar 2015, thuhet se “me sa jemi në dijeni, Drejtoria e Tatimeve apo Ministria e Financave, prej kohësh kanë organizuar takime apo konsulta me subjekte vendas apo të huaj në lidhje me lotarinë me kuponin tatimor, por në asnjë rast nuk janë organizuar me shoqëritë e autorizuara”.

“Në fund të vitit 2014 kërkuam takim në Drejtorinë e Tatimeve në lidhje me shqetësimet që ka për kasat, por takimi nuk u realizua. Ministri i Financave ka gjetur kohë të na presë, por jo drejtoresha e Tatimeve”, pohoi për “Monitor”, z. Ilir Kumbaro, administrator i IVA Elektronic. “Problemet që kanë vetë, ua shkarkojnë të tjerëve”, pohon ai. “Serveri që komunikon me kasat ka dy vjet që nxjerr probleme dhe jo çdo problem që ka në komunikim serveri me kasën është për shkak të kasës”, pohon ai. “Duke mos e kuptuar problemin, ata kujtojnë se problemi jemi ne”, vazhdon ai.

Kompanitë e kasave, licencat mbarojnë në 2017

Të pesë kompanitë e kasave që operojnë në treg e kanë vlefshmërinë e licencës deri në vitin 2017. Por në projektin e qeverisë nuk ka siguri që këto kompani të vijojnë bashkëpunimin me koncesionarin e ri. Aktualisht kasat e instaluara tek biznesi arrijnë një vlerë prej 30 milionë eurosh, – vlerësojnë administratorët. Sakaq, kompania që ka propozuar koncesionin e pakërkuar në Ministrinë e Financave për administrimin e TVSH-së, MPOS, ju ka bërë një propozim të shkruar kompanive të kasave për bashkëpunim. Në themel të propozimit krahas serverit qendror pranë çdo kase, do të instalohej pajisja e TVSH-së për transmetimin e të dhënave. Por siç duket, projekti final i qeverisë është vetëm për serverin dhe nuk përfshin pajisjet. Gjithsesi grupet e interesit sidomos administratorët e kompanisë së kasave dhe biznesi nuk e dinë ende se si do të funksionojë skema re e administrimit të TVSH-së.

Mima: TVSH nuk ka nevojë për administrim, ja ku është evazioni

Duke marrë në konsideratë rendimentin fiskal të vendit tonë, Shqipëria nuk ka problem me grumbullimin e TVSH. Ish-zv.ministri i Financave Florion Mima pohon se, TVSH-ja mbifaturohet në krahasim me tatimet e tjera. “Në diskutimet e përhershme me FMN kur ne ishim në qeveri, maksimumi i mbledhjes së TVSH duhet të ishte në 8% të PBB, ndërsa aktualisht Shqipëria mbledh mbi 9% të PBB nga ky tatim” tha Mima. Grumbullimi i TVSH në këtë nivel është i krahasueshëm me rajonin, ndaj në këtë moment bie pretendimi se serveri po instalohet për një administrim më të mirë të TVSH-së, e për pasojë përmirësimin e arkëtimeve në buxhet, kur dihet se evazioni është i përqendruar në tatime dhe të tjera, pohon eksperti i opozitës.

Shqipëria ka problem me evazionin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe në tatimet e taksat e pronës. Në 2015, të ardhurat nga kontributet zunë vetëm 4.9% të PBB-së, ndërsa mesatarja rajonale është 10%. Gjithashtu Shqipëria nuk mbledh as 1% të PBB për taksën e pronave, kur në vendet e zhvilluara, të ardhurat nga ky zë janë më shumë se 6%.

Mima tha se, aktualisht, TVSH administrohet nga personat e tatueshëm (bizneset që paguajnë tatimin). Ata e mbledhin, e ndërmjetësojnë dhe e raportojnë TVSH për llogari të shtetit dhe e bëjnë falas, kështu që nuk është fare e logjikshme që këto kompetenca të delegohen tek një subjekt privat. Administrimi i tatimeve dhe taksave është një funksion primar i qeverisë dhe nuk mund të delegohet tek një kompani private, pohoi ai.

Mima tha se, rrotacioni politik i 2013-s la përgjysmë një projekt shumë të madh të qeverisë së atëhershme për administrimin fiskal. “Kishim një projekt që të krijonim Drejtorinë Taksave Direkte dhe drejtorinë e taksave indirekte dhe kështu do të përqendrohej i gjithë zinxhiri i informacionit për secilin tatim, çka do të sillte edhe rendimentin që ne kishim planifikuar në rritjen e të ardhurave tha Mima. Ai pohoi se ky projekt u bë pas dështimit të premtimit të bashkimit të tatimeve dhe doganave në një ent të vetëm, pasi ky perqendrim nuk “u lejua” nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button