Pas gati pesë orësh dëshmi, Arben Ahmetaj del nga SPAK: Sqarova pozicionin tim, do vij sa herë të duhet
Pas daljes nga prokuroria Ahmetaj ishte fjalëpak: “Sqarova pozicionin tim do të vij sa herë të më kërkojnë.”
Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK më herët gjykata e posaçme ka vendosur nën sekuestro preventive dy prona të Ahmetajt konkretisht një vilë në Hamallaj e një në Palasë. Ambientet vilave iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit.
Ndaj ahmetajt Spak ka nisur dy procedime të cilat tashmë janë bashkuar në një të vetëmi pari lidhet me akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me inceneratorin e Elbasanit, dhe për pastrim parash dhe korrupsion, pas kallëzimit që i është bërë nga gazetari Adriatik Doçi. SPAK ka analizuar veprimet e Ahmetajt për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. Prokuroria ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterat e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit.
Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit dhe nëse përkojnë me periudhat kur dyshohet se ka frekuentuar hotele luksoze të paguara nga Klodian Zoto pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit. Ahmetaj është nga personat e fundit që pyetet për inceneratorin e Elbasanit, teksa SPAK është drejt përfundimit të hetimit për këtë çështje.