Pas Samitit IV/ Strategjia e re 2026–2030, ministri Hoxha: Bashkëpunimi me diasporën, në shërbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur si prioritet kryesor institucional hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030 dhe të planit përkatës të veprimit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i linjës, Ferit Hoxha, i cili përmes një komunikimi në rrjetet sociale sqaroi se ky dokument po finalizohet pas përfundimit të punimeve të Samitit IV të Diasporës.
Sipas kryediplomatit shqiptar, drafti i ri po pasuron strukturën e tij duke reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura nga bashkëkombësit gjatë dhe pas ditëve të samitit. Në këtë kuadër, javën e kaluar është zhvilluar edhe një takim teknik me Grupin Ndërinstitucional të Punës për të çuar përpara projektstrategjinë.
Shtyllat kryesore, gjuhë, investime dhe inovacion
Procesi i hartimit të këtij dokumenti strategjik synon të prekë disa nga dimensionet më jetike të marrëdhënies mes shtetit mëmë dhe emigracionit. Diskutimet me grupet e ndryshme të interesit janë orientuar drejt objektivave konkrete që lidhen me promovimin e investimeve ekonomike, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe ndërtimit të një ure të strukturuar bashkëpunimi që mundëson thithjen e trurit dhe të ekspertizës. Ministri Hoxha nënvizoi se përmes kësaj platforme synohet krijimi i mekanizmave efektivë për angazhimin e profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe për transferimin e njohurive, ekspertizës dhe inovacionit në funksion të zhvillimit të Shqipërisë.
Dokumenti do të kalojë për konsultim publik
Për të garantuar që strategjia të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe t’u përgjigjet nevojave reale, dokumenti nuk do të mbylllet në zyrat e administratës. Në javët në vijim, projektstrategjia do të vihet në dispozicion të qytetarëve, organizatave të diasporës dhe ekspertëve për një proces të gjerë konsultimi publik.
Lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e tij strategjike në rrugëtimin integrues të vendit, Ministri Ferit Hoxha u shpreh:
“Vetëm të gjithë së bashku, në atdhe dhe në Diasporë, si dhe në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, mund të ndërtojmë një Strategji që përcakton, në një nivel më ambicioz, drejtimet kryesore të bashkëpunimit me diasporën shqiptare në planin institucional, ekonomik dhe social, edhe në shërbim të objektivit tonë madhor kombëtar, anëtarësimi në Bashkimin Evropian.”
Me këtë hap, institucionet synojnë që kontributi i gjithkujt të jetë i mirëpritur, duke bërë që dokumenti përfundimtar të pasqyrojë sa më mirë prioritetet e shqiptarëve kudo që ata jetojnë dhe punojnë nëpër botë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.