Politika

PBDNJ nis tërheqjen nga postet në qeveri

Zv.ministri i Jashtëm, Alqi Puli kërkon dorëheqjen te Dule

Nga Artemisa Hoxha

Kryeministri-Edi-Rama-dhe-nenkryetari-i-Kuvendit-Vangjel-DuleZëvendësministri i Jashtëm në radhët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Alqi Puli, pritet të lërë këtë post, pas kërkesës që ka paraqitur në zyrën e kreut të PBDNJ-së, për dorëheqjen e tij. Lajmi është konfirmuar nga vetë zoti Puli, i cili në një prononcim për gazetën “Shqip”, sqaron edhe arsyet e lënies së këtij posti, teksa shton se kërkesa për dorëheqjen e tij ndodhet në zyrën e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe ende nuk është dorëzuar në sekretariatin e Ministrisë së Jashtme. E teksa këshilli kombëtar i OMONIA-s, pas miratimit në Kuvend të reformës administrativo-territoriale, ndarje e cila pjesërisht është kundërshtuar nga PBDNJ-ja, ka vendosur ngrirjen e dorëheqjeve në administratë të përfaqësuesve të partisë në koalicionin qeveritar, Puli nuk mohon se një nga arsyet e dorëheqjes ka të bëjë edhe me këtë qëndrim. Ndërkohë që burime pranë Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se deri dje, zëvendësministri i Jashtëm, Puli, ka qenë në detyrë dhe se deri më tani nuk ka asnjë kërkesë të tij për dorëheqjen nga ky post. “Është i vërtetë lajmi që unë kam kërkuar dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm. Kërkesa ndodhet në zyrën e kryetarit të PBDNJ, z. Vangjel Dule. Tashmë është në dorë të tij kjo kërkesë nëse do të dorëzohet në ministri në kuadër të bashkëpunimit qeveritar. Arsyeja e dorëheqjes është për çështje të ndryshme, ku njëra prej tyre është dhe vendimi i këshillit të OMONIA-s. Ende nuk ka një vendim zyrtar për marrëdhëniet me qeverinë”, thotë zëvendësministri i Jashtëm. Nga ana tjetër, Puli sqaron se një tjetër arsye e largimit të tij nga ky post ka të bëjë me faktin e kandidimit të tij si kryetari i organizatës së pakicës greke në vendin tonë OMONIA. “Por, nga ana tjetër, është i vërtetë edhe lajmi që do të kandidoj për kreun e OMONIA-s”, tha zv.ministri i Jashtëm për gazetën “Shqip”. Aktualisht në krye të OMONIA-s është Vasil Bollano, i cili u rizgjodh në janar të 2011-s sërish në krye të kësaj organizate me një mandat trevjeçar, mandat që mbaron këtë vit. Ndërkohë që pas miratimit të reformës territorialo-administrative, OMONIA i ka kërkuar PBDNJ-së që të ngrijë dorëheqjet në administratën shtetërore. Kjo organizatë, ka kërkuar pak kohë më parë që dorëheqjet e përfaqësuesve të PBDNJ-së nga postet e larta t’i shtyjë “deri në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm drejtues të OMONIA-s dhe PBDNJ-së, ku do të vendoset për të ardhmen e bashkëpunimit me koalicionin qeverisës. Pas emërimit të Vangjel Dules në postin e nënkryetarit të Kuvendit, kësaj partie iu dhanë edhe tri poste zv.ministrash. Jani Babi, zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Oljana Ifti, zëvendësministre e Mjedisit dhe Alqi Puli, në postin e zv.ministrit të Punëve të Jashtme, janë tre përfaqësuesit e PBDNJ-së në nivelin e dytë të qeverisjes. Por, gjatë ditës së djeshme, dy partitë minoritare, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia e Minoritetit Etnik Grek për Ardhmërinë, janë takuar në Sarandë për të diskutuar edhe mundësinë e një bashkimi të tyre. Mësohet se takimi është në kuadër të organizimit të një aktiviteti përgatitor për kongresin e OMONIA-s. PBDNJ-ja drejtohet nga Vangjel Dule, ndërsa Kristo Kiço ka drejtuar MEGA-n. Ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga kjo mbledhje me mundësin e largimeve të punonjësve të PBDNJ-së nga administrata shtetërore, që do të sillte kështu largimin e PBDNJ-së nga koalicioni qeveritar.

Deklarata

Largimi i PBDNJ nga koalicioni, Rama: Dulen do ta kem mik

Pas miratimit të reformës administrativo-territoriale në Kuvend, kreu i PBDNJ-së nuk shmangu mundësinë që kjo parti të dilte nga koalicioni qeveritar. Deklaratës së Dules, kreu i qeverisë iu përgjigj se do të ndiente keqardhje nëse miku i tij do të dilte nga koalicioni. “Vangjel Dulen e kam pasur mik dhe do ta kem, pavarësisht në cilin koalicion do të jetë. Do të isha i keqardhur që me reformën që duhet të ndihet mirë çdo shtetas shqiptar, por dhe shtetasit shqiptarë me kombësi greke, të ishte sebep për t’u larguar nga koalicioni. Ne jemi në një koalicion, por nuk jemi në një kazermë. Në këtë rast, këndvështrimet tona ishin të papërkueshme”, ka thënë Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button