Politika

PD: Bizneset mbyllen, konsumi bie, papunësia rritet…

“Përballë gjendjes së rënduar ekonomike qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë, propagandën ministrore për t’i mbushur mendjen shqiptarëve që po jetojnë në pranverën ekonomike. Megjithëse shifrat dhe të dhënat, të zhveshura nga propaganda bajate, flasin krejt të kundërtën”. Kështu e nisi deklaratën e saj mbi gjendjen ekonomike të vendit deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Ajo thekson se “Qendra Kombëtare e Biznesit tregon për rritje të bizneseve të çrregjistruara për këtë 5 mujor me 25 përqind” dhe shton se “papunësia është rritur në nivelin e 17.7%”, “falë politikave të “suksesshme” të qeverisë rilindase”.

“Përballë fodullëkut rilindas të dhënat nga Instituti i Statistikave raportojnë për një rënie të konsumit gjatë gjithë vitit 2015, për herë të parë kjo që nga viti 1998. Ndërsa të dhënat e përpunuara nga Komisioni Europian, tregojnë se jemi të parafundit në rajon me rënie prej -0.2% në 2015 në krahasim me vitin 2014. Shqiptarët kanë konsumuar 0.17% më pak se sa viti 2014 gjatë vitit të shkuar dhe aktualisht vendi është në buzë të greminës të deflacionit, kurse qeveria propagandon se kemi dalë nga kriza. Ministri e quan pozitive rënien me 6% të eksporteve për të katër muajt e 2016 që në vlerë monetare përkthehen në 6.2 mld lekë më pak të ardhura. Ndonëse e pranon me gjysmë zëri, se efekti i vërtetë i rritjes së importeve ka ardhur si pasojë e investimit të fundit serioz në vend që është TAP. Një investim që është përgjigja më e mirë për dështimin e plotë që kjo qeveri ka në raport me investimet e huaja të cilat vjet ishin 5.7% më pak se sa viti 2013”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate nënvizoi se paga reale ka shënuar zbritje: “Megjithëse qeveria pretendon se Shqipëria ka dalë nga kriza, për herë të parë në 15 vite paga reale shënoi zbritjen më poshtë se sa norma e inflacionit duke rënë me -0.1%. Për të mos folur më pas për skemën abuzive dhe çalamane të pensioneve, që e ka kthyer moshën e tretë në shtresën më në nevojë të shoqërisë. Punëtorë të keqpaguar, pensionistë më të varfëruar dhe një skemë sociale që përfundon në xhepat e ministrave apo kryetarëve të bashkisë. Kjo është Pranvera e Rilindjes që qeveria aq shumë propagandon. Ndërkohë që ashtu siç pritej, Ahmetaj heshti dhe nuk tha asgjë kur u pyet nëse do të ketë rritje pagash e pensionesh!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button