Politika

PD me strukturë si qeveria “Berisha”

Këshilli Kombëtar do të konstituohet pas dy javësh. PD-ja, drejt zgjedhjes së Kryesisë së re

NGA HERION MESI

Basha-BerishaDy ditë nga shpallja e listës së 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, mësohet se ky organ i ri do të konstituohet pas dy javësh, ku do të bëhet dhe përzgjedhja e kupolës drejtuese të partisë më të madhe të opozitës. Burime nga Këshilli Kombëtar i PD-së thanë dje për gazetën “Shqip” se Këshilli, ashtu siç dhe parashikohet në Statutin e PD-së, do të mblidhet në javën e tretë të këtij muaji ku do të përcaktojë emrat e bashkëpunëtorëve të kryetarit Lulzim Basha.

Departamentet

Sipas ndryshimeve të fundit në statutin e kësaj partie, është parashikuar që kryesia e re do të funksionojë si një organ kolegjial që do ndahet edhe në departamente të veçanta. Dhe do të jetë pikërisht Këshilli Kombëtar, që u shpall dy ditë më parë që do të zgjedhë strukturat e tjera drejtuese, çka do të thotë se konfigurimi i anëtarëve të këtyre forumeve, do të përcaktojë edhe nëse mund të ketë ose jo surpriza të tjera në lidhje me ata që mund të garojnë për postet qendrore, si nënkryetarët apo sekretarin e përgjithshëm. Sa i përket ngritjes së departamenteve të veçanta dhe të sekretariateve, që do të monitorojnë çdo veprimtari të qeverisë, mësohet se departamentet do t’i përgjigjen në mënyrë të barabartë numrit të ministrive që ka sot kabineti qeveritar “Rama”. Burime nga PD-ja theksuan se duke iu referuar pikërisht çështjeve që ata do të mbulojnë, këto departamente do të monitorojnë çdo vendimmarrje të ministrave, por gjithashtu do të hartojnë dhe platforma alternative që demokratët do t’i propozojnë herë pas here qeverisë, sipas zhvillimeve në vend. Në këto departamente do të mblidhen informacione që do të kenë të bëjnë me rendin, sigurinë, punësimin, ekonominë, shërbimet, investimet, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë etj. Paralelisht me këto zhvillime, demokratët kanë nisur nga puna për hartimin e një programi të qartë elektoral, për të cilin një rol të veçantë do të kenë pikërisht kryetarët e rinj të degëve të PD-së në të gjitha rrethet e vendit. Kjo, pasi puna e të zgjedhurve vendorë në PD do të matet me aftësinë e tyre për të hartuar programe konkrete dhe efikase zhvillimi në nivel vendor në çdo rreth. Për këtë arsye, krerët e rinj janë ngarkuar nga kryetari Basha që hartojnë një axhendë të aktivitetit të tyre dhe të degëve që ata drejtojnë, ku u është kërkuar që të jenë të informuar mbi të gjitha ngjarjet që ndodhin gjatë ditës në zonat që ata mbulojnë. Për degët në zonat rurale, PD-ja do të mbledhë informacione edhe lidhur me situatën e vaditjeve, të kullimit, për farërat, për kontrollin ushqimor, e për gjithçka që ka të bëjë me jetesën në fshat. Një tjetër pikë e rëndësishme për demokratët është dhe sigurimi i informacioneve që vijnë nga radhët e shtresave klasike të djathta, si pronarët apo ish të përndjekurit politikë, të cilët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e degëve të PD-së, që duhet të jenë të mirinformuar për problemet që këto kategori hasin nga qeverisja e majtë. Dhe për përballimin dhe menaxhimin e të gjitha informacioneve në të gjitha degët, ashtu si dhe në selinë qendrore, janë ngritur një sërë departamentesh të veçanta, të cilat përpunojnë informacionet e ditës, duke i përmbledhur ato në raporte ditore që do i përcillen qendrës së PD-së në Tiranë nga kryetari i degës. Gjithashtu, në funksion të platformës opozitare, krerët e degëve, përveç mbledhjes dhe përpunimit të përditshëm të informacionit rreth zhvillimeve në degën dhe rrethin përkatës, duhet të reagojnë sistematikisht në mediat e tyre lokale apo në rrjetet sociale për çdo shqetësim në zonën ku ata janë emëruar kryetarë. Dhe puna e secilit prej kryetarëve të degëve të PD-së do të jetë nën monitorimin e qendrës, e cila do të bëjë edhe matjen e performancës të secilit prej 54 kryetarëve të degëve të PD-së. Të gjitha këto kontribute do të integrohen në projektin e madh të PD-së, pikërisht në programin elektoral të saj. Krahas departamenteve, në statutin e ri është parashikuar që të ngrihen edhe sekretariatet e partisë, të cilat do të koordinojnë punën e selisë qendrore të PD-së. Për ngritjen e këtyre strukturave janë marrë edhe masat brenda selisë qendrore të Partisë Demokratike, ku pas përfundimit të rindërtimit të godinës së ish-SHQUP-it, kryetari i PD-së, Basha, ka parashikuar që në katin e parë të selisë të vendosen departamentet, si edhe sekretariatet, të cilat do të koordinojnë edhe punën e partisë më të madhe të opozitës. Nga ana tjetër dhe sekretariati që do të zëvendësojë Kryesinë, i cili do të funksionojë rreth kryetarit të partisë, do të ketë kompetenca e hapësira të mirëpërcaktuara. Këto dy hallka do të përbëjnë dhe kolonat thelbësore të PD-së, pasi për demokratët, hapja e partisë është një koncept më i gjerë sesa përtëritja e partisë me anëtarë të rinj, por lidhet me afrimin në PD të përfaqësuesve të shtresave klasikisht të djathta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button