Pensioni familjar, si të siguroni dokumentet e detyrueshme dhe ato shtesë
Kërkesa për përfitimin e pensionit familjar bashkë me dokumentet e nevojshme duhet të paraqitet pranë Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, të vendbanimit të aplikuesit.
Në lidhje me problematikën që hasin shumë persona në sigurimin e dokumenteve të duhura, autoritetet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar edhe institucionet ku duhet të paraqiteni për të siguruar dokumentet e detyrueshme dhe ato shtesë që duhet t’i bashkëngjiten kërkesës për përfitim.
Konkretisht, dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension familjar duhet të përfshijë: “Fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatë vdekjeje (të jetë shënuar shkaku i vdekjes), certifikatë familjare, certifikatë lindjeje personale të fëmijëve përfitues, certifikatë martese e të ndjerës (e detyrueshme vetëm për femrat), dokumente të cilat tërhiqen të gjitha pranë zyrave të gjendjes civile”. Gjithashtu në dosje duhet të përfshini edhe librezën e punës dhe atë të kontributeve të personit që është ndarë nga jeta, dokumente të cilat merren nga qendra përkatëse e punës.
Në listën e dosjes së detyrueshme duhet edhe vërtetimi për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak të të ndjerit, e cila lëshohet nga qendra e personelit të rekrutimit.
Në mungesë të librezës së punës dhe kontributeve, dokumentacioni shtesë që duhet të paraqisni përfshin:
“Deklaratë për vitet e punës që duhet ta ketë vetë personi, vërtetim nga qendra e punës për periudhat përkatëse, vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës që lëshohet po nga Qendra e Punës, vërtetimin e pagesës së papunësisë (asistencë) të tërhequr pranë Zyrave të Punës, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë, vërtetim për pagesën kalimtare për ish-ushtarakët, si dhe mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve, të cilën e disponon vetë personi.
Në rastet kur i ndjeri, apo e ndjera ka punuar si kuadër në ish-kooperativë bujqësore, duhet t’i bashkëngjisni kërkesës për përftim edhe vendimin e emërimit në punë, si kuadër që tërhiqet pranë Arkivës së Shtetit, si dhe diplomën e shkollës së mesme e të lartë të lëshuar nga drejtoritë arsimore dhe universitetet përkatëse.
Për të përfituar një pension familjar suplementar shtetëror duhet të paraqisni edhe: “Fotokopje të Kartës së Identitetit, certifikatë familjare, vërtetim i vjetërsisë në shërbim, detyrë, si dhe vërtetim i pagës referuese të detyrës, dhe vërtetimin e gjendjes gjyqësore”.
Si dokumentacion shtesë për përfitimin e pensionit familjar nga fëmijët kërkohet: “Vërtetim nga shkolla kur fëmija është 18-25 vjeç, vërtetim nga dega e tatim-taksave për pjesëtarët që janë në ngarkim që merret pranë Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave, vërtetim si kërkues pune që tërhiqet pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit”.
Ndërkohë, sa i takon përfitimit të kompensimit të energjisë elektrike, dokumentacioni shtesë që duhet të dorëzoni përfshin: “Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike, deklaratë për kompensimin e energjisë”.
Kushtet e përfitimit:
- Për të siguruar pension familjar, gruaja e ve duhet të ketë mbushur moshën 55 vjeç, të jetë e paaftë për punë, si dhe të ketë në ngarkim fëmijë deri në moshën 8 vjeç. Ndërsa burrat e ve, kanë të drejtë të kërkojnë pension familjar nëse kanë mbushur moshën 60 vjeç, janë të paaftë për punë si dhe kanë në ngarkim të mitur.
- Të drejtën për të përfituar pension familjar e ka edhe jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë. Po ashtu mund të përfitojnë edhe prindërit kur kanë arritur moshën 65 vjeç, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë. Mund të trajtohen me këtë pension edhe nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.