Politika

Përjashtohen dy kandidatë për anëtarë të AMA-s

PEza-320x211Vendet vakante

Komisioni i Medias skualifikon Ndriçim Mehmetin dhe Alketa Lamajn nga lista e kandidatëve

Nga Herion Mesi

Komisioni i Medias ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme procesin e shqyrtimit të kandidaturave finale për anëtarë të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, ku mazhoranca e këtij komisioni përjashtoi në dy mbledhje të ditës së djeshme, dy kandidatë të tjerë për anëtarë të Autoritetit të Medias Audiovizive. Ndriçim Mehmeti dhe Alketa Rama janë skualifikuar nga lista e kandidatëve për të qenë pjesë e bordit të AMA-s. Dy ditë më parë, mazhoranca në Komisionin e Medias, vendosi që të nisë e vetme këtë proces, pasi opozita vijon të mos marrë pjesë në aktivitetet parlamentare, një proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh. Në mbledhjen e parë, komisioni përjashtoi edhe Marjana Çelën dhe Zhaklina Pedron. Sipas formulës së miratuar me konsensus edhe të opozitës, mazhoranca do të skualifikojë kandidatët e saj deri sa të arrijnë te numri 13, nga 26 që janë në total, e më pas komisioni do të votojë dy kandidatët e mbështetur prej saj. Sipas kësaj marrëveshjeje, një nga anëtarët duhet të mbështetet nga opozita. Por demokratët vijojnë bojkotin e Kuvendit, dhe nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Medias.

Replikat për AMA-n

Një javë më parë, deputetët e majtë të Komisionit të Medias u bënë një ftesë publike kolegëve të tyre të djathtë që të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave që do të plotësojnë vendet vakante në AMA. Por, dy ditë më vonë, ftesës së mazhorancës për konsensusin e gjetjes së një formule të përbashkët për zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s, si dhe këshillit drejtues të RTSH-së, opozita i është përgjigjur negativisht. Anëtari demokrat i këtij komisioni, Luçiano Boçi, këtë kërkesë e konsideroi si vijim i kapjes së institucioneve të pavarura nga mazhoranca, teksa bëri me dije edhe një herë qëndrimin bojkotues të PD-së. “Kjo s’është gjë tjetër veçse një tjetër tentakulë e oktapodit Rama-Meta drejt këtyre institucioneve të pavarura. Prej më se një viti, opozita kërkon plotësimin e tri vendeve vakante për anëtarë të AMA-s, por mazhoranca kishte si qëllim vetëm heqjen e kryetares së institucionit. Opozita nuk mund të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta që duan të kapin institucionet rregullatore të medias, duke vënë nën kontroll e terror gjithë operatorët mediatikë!”, tha Luçiano Boçi. Por, përballë këtij qëndrimi bojkotues të opozitës në këtë proces, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, theksoi rëndësinë emergjente dhe nevojën publike të plotësimit me anëtarë të këtyre dy institucioneve. Sipas tij, opozita duhet të kuptojë që është emergjencë për nevoja publike, ligjore dhe institucionale që AMA dhe RTSH-ja të bëhen me kupola drejtuese dhe të plotësohen vendet bosh. Sepse, “të dyja këto institucione janë prej disa vitesh jashtë shinave ligjore dhe kushtetuese, pasi janë në pamundësi drejtimi dhe nuk marrin dot vendime. Qoftë kjo për AMA-n, qoftë për RTSH-në”, tha Peza.

Marrëveshja PS-PD

Nënkryetari i Komisionit të Medias tha se ekziston një zgjidhje ligjore, për të cilën janë vënë në dijeni të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar në ligjin për mediat audiovizive. Për herë të parë, deputeti socialist konfirmoi zyrtarisht se mes PS-së dhe PD-së ka pasur disa takime lidhur me këtë çështje gjatë muajve qershor dhe korrik. Një marrëveshje kjo që, sipas tij, nuk arriti të zyrtarizohet, për shkak se disa orë më vonë, opozita bojkotoi Parlamentin. “Ne do të zgjedhim dy anëtarë, një vend do t’ia lëmë bosh opozitës, sepse i takon sipas ligjit, dhe më pas do të vijojmë siç e ka ligji në seancë plenare për të zgjedhur edhe kryetarin e ri të AMA-s”, sqaroi Peza. Por duke qenë se apeli i mazhorancës për bashkëpunim ra në vesh të shurdhër nga PD-ja, e majta ka vendosur të veprojë e vetme, ku gjatë këtyre ditëve, Komisioni i Medias do të vijojë pa ndërprerje shqyrtimin e kandidaturave për plotësimin e vendeve bosh në AMA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button