Opinion

Përse Berisha nuk e kërkon shkarkimin e Llallës?

ANDREA STEFANI

Andrea-Stefani-Ato shoqëri që nuk ndëshkojnë krimin janë të dënuara të bien nën thundrën e tij. Kjo përvojë historike i qëndron si shpatë mbi kokë shoqërisë shqiptare, tani që u mbushën 4 vjet nga masakra e 21 janarit dhe drejtësia për të nuk është vendosur. Madje qeveritarët përgjegjës për masakrën janë hedhur në sulm duke fajësuar për krimin opozitën e djeshme dhe kryeministrin e sotëm. Flamurtari i këtyre akuzave, si përherë në këto 24 vjet, është bërë anakroniku Sali Berisha. Por veçoria e zhvillimeve të fundit është fakti se tashmë edhe vetë Berisha po kërkon “drejtësi” për 21 janarin! Dhe shpjegon se ai që e pengon drejtësinë të zbulojë dhe ndëshkojë fajtorët e masakrës qenka kryeministri Edi Rama. Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë përmes logjikës së fakteve se përse ky është një tjetër mashtrim i Berishës në vargun e gjatë të mashtrimeve që mbajnë autorësinë e tij.

 =***

Njeriu që ka qenë më i interesuar për t’u bërë drejtësia është ai që u rrethua në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit 5 orë të tëra vetëm e vetëm për ta larguar me dhunë nga zyra – thotë për veten Sali Berisha. Dhe pastaj shton se hetimin, e nisur edhe me specialistë ndërkombëtarë, e bllokoi Edi Rama ngaqë nuk pranonte të depononte dhe prandaj, e bllokoi ish-kryeprokuroren Ina Rama. Ne, menjëherë na kujtohet bllokimi që Berisha i bëri marrjes në pyetje të drejtuesve të Gardës. Për sa u takon specialistëve ndërkombëtarë na kujtohet hedhja në koshin e plehrave e ekspertizës së FBI nga juristë të Berishës në mënyrë që të “vërtetohej” po teza e Berishës se protestuesit janë vrarë me “rikoshetë” pra, “pa dashje”. Madje edhe tani Berishës i shpëton një tjetër lapsus, kur thotë se vrasja e katër protestuesve ishte një “fatkeqësi”. Ashtu?! Po si mund të jetë fatkeqësi vrasja e njerëzve që kanë ardhur për të përmbysur (sikundër akuzon Berisha) qeverinë me dhunë?! Logjikisht, ose protestuesit ishin pjesëmarrës në një puç dhe vrasja e tyre i bie të jetë drejtësi dhe Garda ka vepruar sipas ligjit, ose ata nuk ishin të tillë dhe vrasja është jo një fatkeqësi (kjo e fundit vjen vetëm nga forca që nuk i zotërojmë dot) por një krim. Berisha duhet të zgjedhë mes dy opsioneve dhe të mos tregohet hipokrit duke shprehur “dhimbjen” për të vrarët që dihet se nuk i dhembin aspak! “Dhimbja” e shprehur prej tij është fyerja më ekstreme që u bëhet familjarëve të martirëve të 21 janarit, drejtësisë dhe së vërtetës.

 ***

Nuk është e para herë që Berisha akuzon kundërshtarët politikë për faje e krime që rëndojnë mbi të: Piramidat financiare i ngritën të majtët, revolta që erdhi më pas u organizua nga të majtët, Azem Hajdarin e vranë të majtët, madje edhe protestuesit më 21 janar i vranë të majtët. Fillimisht i vranë me pistoleta nga afër, më pas doli se opozita i paksa vrarë me plumbat e gardistëve të Berishës po që paskan bërë rikoshetë! Kjo është logjika alogjike e Berishës prandaj duhet ta lëmë mënjanë këtë lëmsh të bërë edhe çorap dhe të argumentojmë se përse Berisha mashtron kur thotë se është i interesuar për drejtësi për 21 janarin, por që e penguaka Edi Rama. Le të pranojmë, për një moment, se është vërtet kështu. Atëherë pyetja shtrohet: Si mund të pengojë Edi Rama drejtësinë për 21 janarin? Në radhë të parë duke bllokuar rihapjen e një hetimi për masakrën. Por një gjë të tillë Rama mund ta arrijë vetëm duke kapur dhe duke keqpërdorur kryeprokurorin e sotëm Adriatik Llalla. Pra, duke akuzuar Ramën se po bllokon drejtësinë për 21 janarin, Berisha ka akuzuar indirekt kryeprokurorin Llalla se është vënë në shërbim të kryeministrit kundër drejtësisë! Dhe pas kësaj, pasi dëgjon Berishën të betohet se e konsideron “absolutisht të domosdoshme e jetike drejtësinë”, nuk mund të mos shtrosh pyetjen: Përse Berisha nuk kërkon në Parlament shkarkimin e kryeprokurorit Llalla?

***

Kur ballafaqon llafet e kazanit të Berishës me atë që ndodh në realitet, nuk mund të mos zbulosh paradoksin. Berisha “vuan” se nuk ka drejtësi për 21 janarin, por ndërkaq, e mburr Kryeprokurorin, pikërisht atë që është sot përgjegjësi kryesor përse drejtësia nuk po mund ta thotë fjalën e vet. Ndërkaq Rama që, sipas kazanologjisë së Berishës, po i shpëton drejtësisë me anë të kryeprokurorit Llalla, shihet qartë se nuk është i kënaqur me të. Ndryshe nuk do të mendonte dhe punonte që për 21 janarin të angazhohej edhe një grup i huaj hetimi dhe ndoshta edhe gjykimi. E gjithë logjika, tej llafeve të kazanit për “rrethime” që nuk u panë, për “sulme” që nuk u bënë dhe për marrje karrigesh pushteti që nuk u morën, të çon në përfundimin se Berisha nuk kërkon shkarkimin e Llallës se ndihet i mbrojtur prej tij. Strategjia për kapjen e institucioneve të pavarura që kur ishte në pushtet, vazhdon të japë frute për Berishën. Presidenti kthen ligjet e mazhorancës në emër të “Kushtetutës”, prokuroria mbyll dosjet që kriminalizojnë pushtetin e djeshëm aq sa edhe europianët po humbasin durimin dhe po forcojnë tonet për nevojën e antikorrupsionit që nuk po duket gjëkundi. Dhe se sa i vlefshëm është sot Llalla për Berishën do ta shikoni nëse mazhoranca merr ndonjë nismë për shkarkimin e kryeprokurorit. Atëherë do shikoni përsëri Berishën të sokëllijë kundër pushtetit që po sulmon për të kapur “institucionet e pavarura” që në fakt, nuk po e luftojnë korrupsionin siç ua kërkon Kushtetuta dhe detyra për të cilat i ka krijuar vullneti publik dhe i paguan buxheti i tij. Po përse nuk e bëjnë detyrën institucione të pavarura si prokuroria? Sepse janë të varura nga kapoja i korrupsionit dhe krimeve të pushtetit të djeshëm, Berisha!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button