Përse ka ende njerëz të cilët besojnë te horoskopi?
“Nuk ka asgjë të keqe të argëtohesh duke lexuar horoskopin, gjë që shumë njerëz e bëjnë, por duhet të tregoheni të kujdesshëm për të mos u ndikuar. T’i bazoni vendimet tuaja mbi këtë lloj informacioni, që nuk kanë asnjë bazë shkencore, mund të jetë shumë e rrezikshme”, shpjegon Massimo Polidoro, sekretari i CICAP (Comitato Italiano per il Controllo delle Affermazioni sul Paranormale – Komiteti Italian për Kontrollin e Pretendimeve Paranormale), që prej 20 vitesh mbledh dhe verifikon parashikimet e bëra nga astrologët. Astrologjia është një art i hamendjes sa i vjetër aq edhe i diskutueshëm. Të dhënat e para datojnë mijëra vjet më parë, në Mesopotami.
Megjithatë, progresi i shkencës ndër shekuj, nuk e ka prekur tërheqjen dhe as nuk e ka ulur interesin për të: miliona njerëz besojnë ende te kompetencat e supozuara profetike të astrologjisë. Mes tyre nuk kanë munguar edhe personazhet shumë të njohura si Ronald Regan: ish-presidenti amerikan, kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, nuk linte asnjëherë një takim pa u konsultuar me astrologen e tij të besuar, ashtu siç bënin një herë e një kohë mbretërit dhe perandorët, që përpara se të interpretonin çdo veprim të qeverisë duhet të njihnin pikëpamjet e yjeve. Dhe gjëja më e çuditshme është se, edhe sot e kësaj dite shumë agjenci mbështeten në profilet personale astrologjike për të zgjedhur stafin. Për shembull, disa vjet më parë, një i ri i sapodiplomuar ka denoncuar një agjenci në Torino, e cila e kishte përjashtuar atë vetëm prej shenjës së horoskopit, e cila sipas tyre, nuk ishte e duhura për pritshmëritë brenda stafit.
Një popull që mashtrohet lehtë?
Përse ka kaq shumë interes për parashikimet dhe profilet e karaktereve edhe pse dihet se ende nuk ka studime të thella shkencore? Po ata që e lexojnë horoskopin a i besojnë vërtet atij? Përgjigjja mund të qëndrojë në nevojën për të përcaktuar personalitetin tonë dhe atë të të tjerëve në botën në të cilën perceptojmë realitetin, duke modeluar në të, pjesë të pritshmërive tona, kështu thotë shkenca e psikologjisë.
Pak histori
Babilonasit qenë të parët, të cilët besuan se mes lëvizjeve të përjetshme të qiellit dhe ngjarjeve të përkohshme tokësore kishte një lloj lidhjeje. Dëshmia e parë e këtij besimi është libri “Enuma Anu Enlil”, ku trajtoheshin tentativat e para të interpretimeve të ngjarjeve qiellore të ndara në katër kategori të mëdha, çdonjëra e lidhur me një hyjni. Në kohët antike, universi ishte një mister absolut dhe çdo manifestim i tij, si kometat dhe eklipset, shkaktonte frikë te njerëzit, sepse ato interpretoheshin si dëshmi të një superfuqie, si shenja të ngjarjeve pozitive ose negative.
Profecia bëhet një çështje personale
Brenda disa shekujsh, astrologjia u përhap në Mesdhe dhe në shekullin e tretë para Krishtit, grekët filluan të parashikojnë jo vetëm rrjedhën e ngjarjeve, por edhe fatin e çdo individi bazuar në përputhjen e pozicioneve të planetëve (horoskopi). Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë që nga ajo periudhë, edhe sot e kësaj dite, për astrologjinë, simetria e qiellit (pozicioni i yjeve dhe i planetëve) në momentin e “lindjes” mund të ndikojë jetën e çdo individi.
Nuk e besoj…por e shoh!
Që planetët ndikojnë karakterin dhe personalitetin tashmë është një besim më i mirë pranuar sesa fakti se te yjet mund të lexohet një lloj forme e së ardhmes. Pjesa më e madhe e “klientëve” të horoskopit përbëhet nga kureshtar rastësor dhe dashamirë të rremë. Por cili është sekreti i suksesit të astrologjisë edhe tek ata të cilët në të vërtetë nuk e besojnë? Ndonjëherë edhe kjo kategori përfshihet nga një vlerësim i dobët për veten dhe për pasojë edhe ajo gjen prehje te “fati” i parashikuar nga astrologjia.