Përse zgjedh Revolucionin Amerikan dhe jo atë Francez!
Revolucioni Francez shihet si frymëzim për disa të rinj akademikë që duan të rrëzojnë rendin e vjetër feudal të politikës shqiptare. E vërteta e hidhur është se ky revolucion prodhoi gijotinën, terapinë e shokut dhe diktaturat komuniste. Nëse ata kërkojnë të gjejnë shembuj iluminues për vendin apo frymëzues kundër diktatit të çfarëdo lloj forme, më mirë të shohin drejt Amerikës
Nga Dr. Bledar Kurti
Me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, shumë prej miqve të mi në Facebook, tashmë e kanë bërë traditë, vendosjen në statuset e tyre urimet personale për këtë ditë të shënuar dhe sigurisht, duke e mbyllur me sloganin kaq romantik dhe historik të Revolucionit Francez “Liberté, égalité, fraternité,” (Liri, Barazi dhe Vëllazëri.)
Revolucioni Francez (1789-1799) është pa asnjë dyshim një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne dhe impakti që pati në rrjedhën politike të shumë vendeve të botës, apo dhe vetë emancipimit të individit, është i paçmueshëm. Por, vihet re si nga historianët liberalë, ashtu edhe nga opinionistët romantikë shqiptarë, një theksim i tepruar, thuajse patetik, i dashurisë për lirinë, barazinë dhe vëllazërinë alla revolucionare, duke e manifestuar atë ku të munden, në komente apo shkrime, dhe duke heshtur totalisht në atë që fshihet pas këtij slogani poetik.
Fatkeqësisht, Revolucioni Francez shihet si trendy, si frymëzim për disa të rinj akademikë që duan të rrëzojnë rendin e vjetër feudal të politikës shqiptare. Ata e konsiderojnë veten si iluministë që luftojnë të shpërndajnë dijen dhe dritën në errësirën ndërshekullore shqiptare. E vërteta e hidhur është se Revolucioni Francez, prodhoi disa të këqija të mëdha që sunduan bindshëm përmbi të mirat që mendojmë se na la si trashëgimi.
E vërteta e hidhur është se ky revolucion prodhoi gijotinën, terapinë e shokut, dhe diktaturat komuniste më çnjerëzore në historinë e njerëzimit.
Nëse të rinjtë akademikë apo aspirantë në politikë, kërkojnë të gjejnë shembuj iluminues për vendin apo frymëzues kundër diktatit të çfarëdo lloj forme, më mirë të shohin drejt Amerikës. Revolucioni i parë, dhe i vetmi i suksesshëm i frymëzuar nga iluminizmi, ishte në botën e re, në Amerikë, kur kolonitë angleze u revoltuan kundër sundimit britanik, duke fituar pavarësinë dhe duke themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1776.
Ky revolucion kushtoi jetë njerëzish në këmbim të lirisë, sakrificë në ruajtje të fesë, vetëmohim në ruajtje të pronës, patriotizëm në ruajtje të vlerave universale dhe altruizëm në krijimin e një shteti që vazhdon të inspirojë botën me shembullin e pashoqë të republikës dhe demokracisë.
Por, në Francë, në vitin 1789, populli i Parisit u ngrit deri në një kryengritje të përgjakshme kundër mbretit Luigji XVI (Louis XVI) dhe oborrit të tij mbretëror. Nën britmat “Liri, Barazi, Vëllazëri” revolucioni u kthye gjithnjë e më radikal me përplasje shumë të përgjakshme, dhe udhëheqësit e zjarrtë si Dantonit, Marat, Robespierre dhe pasuesit e tyre, u përpoqën të shkatërronin një rend feudal mijëravjeçar, për të krijuar një republikë utopike të qytetarëve të barabartë në disa muaj të shkurtër.
Mbreti dhe shumica e oborrit të tij, së bashku me mijëra klerikë, aristokratë dhe intelektualë, humbën kokën në gijotinë. Brenda pak viteve, revolucioni mbaroi. Marat u vra. Dy presidentët e Republikës të saposhpallur franceze, Danton dhe Robespierre, gjetën vdekjen nga gijotina që kishin shpikur vetë para Katedrales së Notre Dame.
Ajo që ndodhi në Francë i tmerroi monarkët e vendeve të tjera, sepse menduan se demokracia, nën kuptimin e sundimit të popullit, do të infektonte shtetet e tyre. Në 1799, një gjeneral në rritje, Napoleon Bonaparte, mori pushtetin në Francë, i dha fund terrorit dhe shpejt ndryshoi republikën e re me një perandori autoritare, kurorëzoi veten si Perandori i ri i Francës, në vitin 1804, por kësaj here e mori kurorën sipas pushtetit të vet dhe jo me anë të së drejtës hyjnore si dikur, pasi Revolucioni Francez ishte edhe revolucion kundër fesë, fakt që inspiroi edhe Enver Hoxhën të luftonte fenë në Shqipëri në vitet 1960.
Në këtë Revolucion kundër fesë, Krishterimit në veçanti, nën sloganin e “arsyes” dhe “të drejtave të njeriut” 16 000 deri në 40 000 njerëz u ekzekutuan, kishat u vandalizuan, vendet e shërbesave u kthyen në pijetore, varret e aristokratëve dhe familjeve mbretërore u dhunuan dhe u shkatërruan si simbole të tiranisë feudale. Dhomat e rrëfimit u dogjën. Kambanat e kishave, grilat dhe parmakët e hekurt u shkrinë për t’u shndërruar në armë. Kalendari i ri nisi me lindjen e Republikës dhe jo të Krishtit. U zëvendësua e diela, dita e ringjalljes së Krishtit, me atë që quhej dècadi.
Në vend të festave fetare u vendosën festime pagane. Një nga festat më të rëndësishme ishte Festivali i Arsyes, i datës 10 nëntor 1793, që drejtohej nga një aktore vendase e veshur si perëndesha e lirisë në Katedralen e Notre Dame në Paris, një shembull që u mor nga qytetet e tjera. Zoti nuk kishte më vend në Francë.
Përtej Atlantikut, vetë shoqëria dhe qeveria amerikane në fillim e lavdëruan këtë përpjekje historike të Francës. Por kur në vitin 1792, ajo gjykoi dhe ekzekutoi mbretin Luigji XVI dhe u përfshi në një dhunë revolucionare, madje edhe vetë etërit amerikanë kishin opinione të ndryshme jo vetëm mbi Revolucionin Francez, por edhe se si SHBA do ta trajtonte Francën që nga Lufta për Pavarësi.
Debati i madh që përfshiu të gjithë opinionin dhe politikën amerikane mbi metodat e Revolucionit Francez, dëshmon se një pjesë e madhe e popullit dhe etërve amerikanë ndanin deri diku të njëjtën filozofi me Revolucionin Francez, por jo me metodat e përdorura.
Amerikanët druheshin se me mbështetjen e Revolucionit Francez, përveç filozofisë që mbartte ai revolucion, mund të infektonte edhe Amerikën me dhunën që kishte treguar në rrugët e Parisit. Ndaj, sado përkrahës së iluminizmit të ishin, etërit amerikanë nuk donin kurrsesi atë lloj dhune, dhe mbi të gjitha pushtetin e popullit dhe rrëzimin e elitave, në të cilën bënin pjesë edhe ata.
Në një letër të Aleksander Hamilton drejtuar Marquis de Lafayette shkruhet: “Kur mendoj për masakrat e tmerrshme dhe sistematike të jakobinëve … kur i gjej doktrinat e ateizmit tejet të avancuara dhe të shpallura në sheshe dhe të duartrokitura me zë të lartë … e pranoj se jam i lumtur të besoj se nuk ka asnjë ngjashmëri midis qëllimeve në Amerikë dhe atyre në Francë; dallimi është aq sa është ndryshimi midis lirisë dhe shthurjes”.
Revolucioni Amerikan dhe Revolucioni Francez erdhën si rrjedhojë e së njëjtës filozofi dhe morën frymëzim nga filozofitë e reja të shekullit të tetëmbëdhjetë, por, në Amerikë, shoqëria përbëhej nga njerëz fetarë, të rritur me vlera dhe traditë të krishterë, ndaj dhe amerikanët nuk i lanë duart me gjak siç ndodhi në Francë, ku feja u dhunua deri në palcë.
Utopia e prodhuar nga Revolucioni Francez frymëzoi Revolucionin Bolshevik të vitit 1917, i cili ashtu sikurse ai Francez i vitit 1789, ekzekutoi familjet mbretërore, shërbëtorët e tyre i hodhën në pus, prodhoi diktatorët më famëkeq në histori dhe instaloi regjimin komunist, që do ishte më gjakatari në Rusi, në të gjitha vendet e Europës Lindore, Azi, Amerikë Latine, etj.
Kurse Revolucioni Amerikan la pas shembuj frymëzues lirie dhe pavarësie, identiteti fetar dhe tradite të një populli, si edhe kryevepra filozofike dhe politike si Deklarata e Pavarësisë, e cila nis kështu: “Kur në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore, bëhet e nevojshme për një popull të zgjidhë lidhjet politike që ka pasur me një popull tjetër, dhe të marrë nën pushtetin e tokës, qëndrimin ndarës dhe të barabartë që Ligjet e Natyrës dhe Natyra e Perëndisë ua kanë dhënë, një respekt të thellë për opinionet e njerëzimit, duke u kërkuar atyre të shpallin shkaqet që i detyrojnë të ndahen.
Ne besojmë se këto të vërteta janë të vetëshpallura, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, që janë pajisur nga Krijuesi me disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat Jeta, Liria dhe përpjekja për të arritur Lumturinë.”
A ishte Deklarata Amerikane e Pavarësisë perfekte? Sigurisht se jo. Ajo nisi si një hap i madh drejt lirisë dhe u deshën shekuj të perfeksionohej në zbatueshmëri. Por ajo nuk inspiroi kurrë gjak, nuk lindi diktatorë dhe nuk prodhoi gijotinë. Kur hartoi Deklaratën, Thomas Jefferson si fillim shkroi “e drejta e pronës”, por më pas e fshiu dhe e zëvendësoi me “përpjekja për të arritur lumturinë”, në mënyrë që ta bënte më frymëzuese edhe për ata që nuk kishin prona.
Në të shkruhet se “të gjithë njerëzit janë të barabartë”, por edhe kjo ishte e pavërtetë, pasi kjo vepër humaniste politike dhe filozofike u shkrua nga dikush që ishte pronar i qindra skllevërve. Në fakt, Deklarata e Pavarësisë u shkrua me qëllimin për të siguruar pavarësinë dhe të drejtat e njerëzve të bardhë, meshkuj, të lirë dhe të pasur.
“Të gjithë njerëzit janë të barabartë” përjashtonte skllevërit, femrat dhe të varfrit. Kjo nuk ishte habi, pasi të gjithë firmëtarët e Deklaratës ishin të pasur: 25 juristë, 15 tregtarë, 8 pronarë plantacionesh, 3 mjekë, 4 pronarë tokash, fermerë dhe biznesmenë, etj.
Deklarata e Pavarësisë nuk ishte gjithëpërfshirëse. Jefferson shkroi një paragraf në Deklaratën e Pavarësisë, e cila akuzonte Mbretin për transportin e skllevërve nga Afrika në drejtim të kolonive, duke shtyrë kështu ndalimin e një tregtie të tillë. Kjo përbënte një indinjatë morale kundër skllavërisë dhe tregtisë së skllevërve.
Paragrafi i Jefferson u hoq nga Kongresi Kontinental, sepse pronarët e skllevërve nuk ishin vetë dakord që të mbyllej tregtia e skllevërve.
Përdorimi i frazës “të gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë”, ndoshta nuk ishte një përpjekje e qëllimshme për të dalë në një deklaratë për femrat.
Femrat ishin jashtë konsideratës për të qenë të përfshira. Politikisht, ato ishin të padukshme. Ndonëse nevojat praktike u jepnin femrave një autoritet të caktuar në shtëpi, në fermë, apo punë të tjera, ato nënvlerësoheshin dhe përjashtoheshin nga çdo e drejtë politike dhe barazi civile.
Por, SHBA e kaloi gradualisht ndër shekuj përsosmërinë e vlerave shoqërore, integritetin dhe lirinë e individit, i zgjidhi me veten problemet themeltare të lirisë së individit përmes debateve filozofike dhe intelektuale, apo edhe me luftë civile, dhe vazhdon të jetë frymëzim për mbarë botën e lirë apo të ndrydhur.
Që nga themelimi, koncepti i saj për lirinë ka qenë i ndryshëm nga ai që frymëzonte revolucionet gjakatare në Europë. Kësisoj, do ishte mirë që shtetet e mëdha si SHBA dhe Franca të jenë inspirim për të gjithë ne, dhe të meritojnë respektin e patjetërsueshëm, por për sa u përket disa ngjarjeve historike, akademikët e rinj apo të vjetër, duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj të dyja anëve të medaljes.
Përtej Atlantikut, vetë shoqëria dhe qeveria amerikane në fillim e lavdëruan këtë përpjekje historike të Francës. Por kur në vitin 1792, ajo gjykoi dhe ekzekutoi mbretin Luigji XVI dhe u përfshi në një dhunë revolucionare, madje edhe vetë etërit amerikanë kishin opinione të ndryshme jo vetëm mbi Revolucionin Francez, por edhe se si SHBA do ta trajtonte Francën që nga Lufta për Pavarësi
-Utopia e prodhuar nga Revolucioni Francez frymëzoi Revolucionin Bolshevik të vitit 1917, i cili ashtu sikurse ai Francez i vitit 1789, ekzekutoi familjet mbretërore, shërbëtorët e tyre i hodhën në pus, prodhoi diktatorët më famëkeq në histori dhe instaloi regjimin komunist, që do ishte më gjakatari në Rusi, në të gjitha vendet e Europës Lindore, Azi, Amerikë Latine, etj.
-Në 1799, një gjeneral në rritje, Napoleon Bonaparte, mori pushtetin në Francë, i dha fund terrorit dhe shpejt ndryshoi republikën e re me një perandori autoritare, kurorëzoi veten si Perandori i ri i Francës, në vitin 1804, por kësaj here e mori kurorën sipas pushtetit të vet dhe jo me anë të së drejtës hyjnore si dikur, pasi Revolucioni Francez ishte edhe revolucion kundër fesë, fakt që inspiroi edhe Enver Hoxhën të luftonte fenë në Shqipëri në vitet 1960.
-A ishte Deklarata Amerikane e Pavarësisë perfekte? Sigurisht se jo. Ajo nisi si një hap i madh drejt lirisë dhe u deshën shekuj të perfeksionohej në zbatueshmëri. Por ajo nuk inspiroi kurrë gjak, nuk lindi diktatorë dhe nuk prodhoi gijotinë. Kur hartoi Deklaratën, Thomas Jefferson si fillim shkroi “e drejta e pronës”, por më pas e fshiu dhe e zëvendësoi me “përpjekja për të arritur lumturinë”, në mënyrë që ta bënte më frymëzuese edhe për ata që nuk kishin prona