Përshkallëzimi në Gjirin Persik
Të gjitha shpresat e mundshme për një zgjidhje paqësore për Sirinë dhe Jemenin, grindja mes Arabisë Saudite dhe Iranit i largon tani edhe më shumë. Përfaqësuesit e vijës së fortë tek të dyja palët janë duke u forcuar.
Nuk është hera e parë që Arabia Saudite i ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kjo ka ndodhur edhe më 1988. Edhe asokohe u sulmua ambasada e Riadit në Teheran. Fuqitë rajonale u mblodhën sërish bashkë në vitin 1990: pasi armiku i përbashkët Saddam Hussein kishte marshuar në Kuvajt. Në dallim prej asaj kohe përshkallëzimi i konfliktit për dominancë mes Arabisë Saudite dhe Iranit ka sot pasoja për të gjithë rajonin. Kjo sepse të dyja shtetet janë të pështjelluara thellë në luftrat në Siri dhe në Jemen. Edhe në Irak ata përballen armiqësisht me njeri-tjetrin. Çdo shpresë për sukses në Siri varet prej afrimit mes sauditëve dhe iranianëve, thekson Julian Barnes-Dacey nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (European Council on Foreign Relations – ECFR). Eshtë dashur mjaft rafinesë diplomatike për t’i sjellë në një tryezë në Vjenë Teheranin dhe Riadin lidhur me të ardhmen e Sirisë. Zhvillimet e fundit, siç thotë për Deutsche Welle-n Barnes-Dacey, i kanë vështirësuar shumë shanset për përparim.
Shpërfillje e bonusit të besimit
Ndonëse Arabia Saudite ndërkohë ka theksuar, se nuk duhet të hiqet dorë nga bisedimet, Sebastian Sons nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) është skeptik. Në intervistë për Deutsche Welle-n Sons kritikon faktin, që të dyja palët e kanë shpërfillur tashmë bonusin e besimit: “Si rrjedhojë unë nuk mund ta imagjinoj, që në situatën aktuale të acaruar mund të arrihen suksese konkrete – qoftë javën e ardhëshme në bisedimet për Jemenin apo edhe në bisedimet për Sirinë në Vjenë.” Barnes-Dacey nga ECFR i sheh Arabinë Saudite dhe Iranin “pothuajse në një luftë ekzistenciale për dominancë rajonale”. Në të janë involvuar si përfaqësuesit e vijës së fortë sauditë ashtu edhe ata iranianë, të cilët refuzojnë dialogun dhe kompromiset e nevojshme për zgjidhjet paqësore dhe në vend të kësaj vazhdojnë të kapen pas polarizimit. Pas pushtimit të ambasadës saudite në Teheran Sons mendon se qendrojnë kundërshtarët e presidentit Rouhani, që duan të sabotojnë afrimin e tij diplomatik me Perëndimin dhe me aktorët rajonalë dhe “që preferojnë të vazhdojnë lojën saudite të polarizimit të mëtejshëm.”
Zhvendosje e ekuilibrit të pushtetit
Ekuilibri i pushtetit të dy rivalëve në Gjirin Persik kohët e fundit ishte zhvendosur në favor të Iranit. Ajo që u dhemb veçanërisht sauditëve është marrëveshja për programin atomik me Iranin. Teherani e ka rihapur rrugën për t’u kthyer në skenën ndërkombëtare. Njëkohësisht monarkia saudite, që duhet t’i bëjë ballë tani çmimit në rënie të naftës, konfrontohet me zhgënjimin e popullsisë së vet dhe i duhet të përjetojë distancimin e kamufluar, por megjithatë të dukshëm, të SHBA-së dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë. Njohësi i Arabisë Saudite Sons analizon: “Arabia Saudite e ndjen veten të rrethuar nga armiq të dominuar prej Iranit – pavarësisht nëse kjo është apo jo e vërtetë: Në Bahrain, në Siri, në Jemen dhe në Irak.” Në këtë kontekst në Riad mbivlerësohet dukshëm influenca e Iranit ndaj shiitëve në Bahrain, ndaj shiitëve sauditë e madje edhe ndaj rebelëve huti në Jemen. Sons diagnostikon në Riad një qendrim paranoiak kundrejt Iranit, që e bën të pamundur veprimin pragmatik dhe realpolitik dhe pengon, që të gjendet një emërues i vogël i përbashkët me Teheranin. Si fuqi drejtuese politike dhe fetare e sunitëve Riadi ndërkohë mund të verë në lëvizje disa nga aleatët e tij, që gjithashtu t’i ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Teheranin apo të paktën t’i pakësojnë ato: Bahrain, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sudani.
Ndërmjetësim i vështirë
Përkatësit mjaft i vështirë do të bëhet edhe ndërmjetësimi mes kundërshtarëve. Rusia vetë është ofruar si ndërmjetësuese. Por nuk do të mjaftojë një partner i vetëm, mendojnë ekspertët Barnes-Dacey dhe Sons. SHBA-ja është e pashmangshme, pavarësisht se ndërkohë Riadi e Uashingtoni kanë pasur fërkime.
Po evropianët? Ndoshta ata tani për tani nuk mund të bëjnë më tjetër, veçse të krijojnë një forum, në të cilin të mund të takohen të dyja palët dhe kësisoj të japin mundësinë për veprime diplomatik. Kjo vërtetë nuk është aq sensacionale sa pushtimi i një ambasade apo ekzekutimi në masë. Por më mirë kështu, siç e ka përshkruar një herë negociuesi iranian i marrëveshjes atomike Said Dshalili: tek endja e një tapeti – përparimi arrihet vetëm në segmente milimetrike.