PORTRET – Mladiç alias simboli i mizorisë në kohë lufte
HAGË, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Ratko Mladiç, i cili vdiq sot në Hagë, e konsideronte veten si hero të popullit serb, por për drejtësinë ndërkombëtare ai përfaqësonte kuintesencën e së keqes për krimet e kryera nga forcat nën urdhrat e tij gjatë luftës në Bosnje, nga rrethimi i Sarajevës deri te masakra e Srebrenicës.
Mladiç kaloi vitet e fundit në burg, pasi u arrestua në vitin 2011 dhe u dënua në vitin 2017 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnje, i cili shkaktoi 100 000 të vrarë midis viteve 1992 dhe 1995.
Dënimi u konfirmua në apel më 8 qershor 2021.
Mes këtyre mizorive ishte masakra e 8 000 burrave dhe adoleshentëve myslimanë në Srebrenicë, një gjenocid sipas drejtësisë ndërkombëtare dhe masakra më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ish-Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al Hussein, e kishte përshkruar ish-gjeneralin si kuintesencën e së keqes.
I arrestuar në vitin 2011 pas 16 vitesh arrati, ushtari trupvogël dhe arrogant e përfundoi jetën në qeli, si një plak i sëmurë.
Por, deri në vdekjen e tij, ai mbeti në sytë e një pjese të komunitetit serb lajmëtari i kauzës së popullit serb.
”Të vizatosh me gjak”
Në Beograd, emri ose fytyra e tij janë vizatuar me grafite në dhjetëra mure.
“Unë jam gjenerali Mladiç. Kam mbrojtur vendin tim dhe popullin tim”, kishte deklaruar ai që në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIJ), i cili u mbyll në vitin 2017.
Për pjesën tjetër, ky burrë, herë i zemëruar dhe brutal, herë i gëzuar dhe gazmor, sipas atyre që e kanë njohur, kishte shpjeguar një ditë se kufijtë “gjithmonë janë vizatuar me gjak dhe shtetet janë përcaktuar me varre”.
Ai konsiderohet arkitekti i tretë i spastrimit etnik gjatë luftës që e ndau Bosnjën sipas vijave të ndarjeve komunitare.
Nga Beogradi, presidenti Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në paraburgim në vitin 2006, ndezi Ballkanin me retorikën e tij “serbomadhe”, ndërsa manovronte me komunitetin ndërkombëtar; në “kryeqytetin” e tij në Pale, pranë Sarajevës, psikiatri Radovan Karaxhiç, ideologu i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2019 me burgim të përjetshëm, përhapte propagandën e tij fanatike.
Ratko Mladiç ishte krahu i tyre i armatosur, i vetmi nga treshja i lindur në Bosnje, më 12 mars 1943, sipas pretendimit të tij, ndërsa drejtësia ndërkombëtare e konsideron vitin 1942 si vitin e lindjes.
– Ushtari nga fshati –
Jetim i një partizani të vrarë nga ustashët kroatë pro-nazistë, ai e kuptoi shumë herët se donte të bëhej ushtar dhe në moshën 22-vjeçare u bë një nga oficerët më të rinj të ushtrisë jugosllave.
Kur shpërtheu lufta, pasi kishte luftuar kundër kroatëve, ai u transferua shpejt në Bosnje, kryeqyteti i së cilës, Sarajeva, iu nënshtrua një rrethimi prej gati katër vitesh.
Më shumë se 10 000 banorë, përfshirë disa qindra fëmijë, do të vriteshin nga plumbat e snajperëve ose predhat që binin nga lartësitë e mbajtura nga forcat e Mladiçit.
Megjithatë, shumë serbë të Bosnjës i relativizojnë, madje i mohojnë, mizoritë e kryera.
Mbështetësit e tij vazhdojnë të përhapin imazhin e një ushtari nga fshati, të dashuruar me tokën e tij, respektues të kodeve të nderit ushtarak, i cili nuk kishte si objektiv tjetër veçse një Jugosllavi të bashkuar dhe më pas mbrojtjen e “popullit të tij” kundër atyre që ai i quante “turq”, boshnjakët myslimanë.
Më 8 janar 2024, disa dhjetëra tifozë futbolli, të mbledhur në urën e famshme të Vishegradit, në lindje, për të festuar përvjetorin e entitetit serb, brohoritën emrin e gjeneralit ndërsa hidhnin një fishekzjarr të madh. Po atë mbrëmje, gjatë një ceremonie zyrtare në Banja Luka, në veri, me të njëjtin rast, përmendja e emrit të tij dhe atij të Karaxhiçit nga udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u prit me duartrokitje të gjata.
”Hakmarrje ndaj turqve”
Në vitin 1994, vajza e tij Ana, studente e mjekësisë, vrau veten.
Disa dëshmitarë kanë vlerësuar se Ratko Mladiç ishte bërë më brutal pas vdekjes së saj, e cila ndodhi një vit para Srebrenicës.
Pas marrjes së enklavës myslimane nga trupat e tij në korrik 1995, ai shfaqet në pamjet e kohës duke iu drejtuar grave dhe të moshuarve.
“Mos kini frikë. Ngadalë, ngadalë, lërini gratë dhe fëmijët të largohen të parët”, u thotë ai. Në një tjetër pamje shihet duke i prekur me dorë faqen një fëmije të vogël boshnjak, në mënyrë atërore.
Pamje të tjera e tregojnë në Srebrenicë me qëndrim luftarak, duke u gëzuar për këtë “hakmarrje ndaj turqve”.
Pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it, Ratko Mladiç qëndroi në Bosnje, i mbrojtur në strehën e tij në Han Pijesak, një bazë gjysmë e futur nën tokë në një pyll me pisha në lindje të vendit.
Më pas u vendos në Beograd, i mbrojtur nga ushtria.
Zyrtarisht i kërkuar, ai nuk fshihej shumë, krasiste trëndafilat, shkonte në furrë buke, darkonte në restorant dhe ndiqte ndeshje futbolli. Kur Milosheviçi u largua nga pushteti në vitin 2000, Mladiç kaloi në ilegalitet.
Arrestimet dobësuan rrjetet e tij dhe, për Serbinë, e cila synonte të hynte në Bashkimin Evropian, ai u bë një problem.
Më 26 maj 2011, ai u kap te një kushëri në një fshat në veri të Serbisë dhe më pas u dorëzua.
Para transferimit të tij në Hagë, ai kishte kërkuar të shkonte te varri i vajzës së tij, Ana./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.