Kronika

Pranimet në universitete/ Provimet që duhet të jepni për të fituar degën që doni

Plotësimi i formularit A1 dhe A1Z. Para se të vendosni për dy lëndët që do të jepni si provime me zgjedhje, duhet të studioni me kujdes kriteret e pranimeve të miratuara nga secili universitet, duke u ndalur veçanërisht në grupin e lëndëve prioritet, të detajuar për çdo program studimi. 

 

Para se të listoni dy lëndët që doni jepni si provime me zgjedhje në Maturën e 2017-ës gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z, duhet të konsultoheni me kriteret e pranimit të shpallura tashmë prej të gjitha universiteteve publike në vend.

Kjo, pasi provimet me zgjedhje shërbejnë si kriter pranimi në pjesën dërrmuese të degëve që ofrojnë institucionet e arsimit të lartë publik.

Ekspertët e arsimit theksojnë se maturantët duhet të orientohen në përzgjedhjen e lëndëve, të cilat janë përcaktuar si prioritet nga fakulteti që preferojnë të ndjekin.

Përzgjedhja e lëndëve të duhura ju ndihmon që të siguroni më shumë pikë, të cilat do të jenë të nevojshme për të fituar degën që preferoni.

Lëndët prioritet për degët e 6 fakulteteve të Universitetit të Tiranës

Referuar kritereve të miratuara pranimet e vitit të ri akademik 2017-2018, për shpalljen e fituesve në degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, do të përdoret formula, sipas të cilës: 80 për qind të peshës në përzgjedhje do ta ketë mesatarja e shkollës së mesme, ndërsa 20 për qind të ndikimit, e ka mesatarja aritmetike e lëndëve të Maturës Shtetërore (rezultatet e provimeve me zgjedhje dhe atyre të detyruara).

Për degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, shpallja e fituesve ndalet në një kriter të vetëm, që është mesatarja e shkollës së mesme, duke përfshirë edhe rezultatet e provimeve të maturës. Krahas mesatares së shkollës së mesme, e cila do të ketë 50 për qind të ndikimit për shpalljen e fituesve në degët e Fakultetit të Drejtësisë, rëndësi e veçantë u kushtohet edhe lëndëve prioritet, të cilat po ashtu vlerësohen me 50 për qind të ndikimit.

Konkretisht, 5 janë lëndët prioritet për degën e drejtësisë, gjuhë dhe letërsi shqipe, histori, qytetari, ekonomi, si dhe gjuhë e huaj e parë. Secila prej këtyre lëndëve vlerësohet me 10 për qind të peshës në ndikimin final të përzgjedhjes së fituesve.

Ndaj gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z, si provime me zgjedhje duhet të përzgjidhni këto lëndë, të cilat ju sigurojnë më shumë mundësi për të qenë fitues. Ndërsa për të fituar në degët e Fakultetit Ekonomik, krahas mesatares së thjeshtë të shkollës së mesme, 50 për qind e ndikimit varet edhe nga rezultatet e lëndëve prioritet.

Për këtë fakultet, prioritet janë ekonomia dhe matematika që vlerësohen me 15 për qind secila, si dhe gjuha e huaj dhe fizika me nga 10 për qind të ndikimit. Çka do të thotë se për të studiuar në këto degë si provime me zgjedhje duhet të jepni matematikën dhe ekonominë. Dy janë kriteret që do të zbatohen për degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Së pari mesatarja e thjeshtë aritmetike e përgjithshme që do të ketë 50 për qind të vlerësimit, e cila përbëhet 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore.

Ndërsa nota mesatare e gruplëndëve 50 për qind të e vlerësimit (kurrikula bërthamë). Në gruplëndët përfshihen lëndët që janë prioritet sipas programeve specifike të studimit që siguron ky fakultet. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar lëndët që janë prioritet për të gjitha degët e këtij fakulteti, si dhe për degët e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Lëndët prioritet për degët e Universitetit të Mjekësisë

Sipas vendimeve të marra nga drejtuesit e këtij universiteti, kriteri i notës mesatare mbetet i pandryshuar, çka do të thotë se të drejtën për të konkurruar për degët e këtij universiteti do ta gëzojnë vetëm maturantët dhe kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8, në rastet kur konkurrojnë për programet “Bachelor”.

Gjithashtu është përcaktuar ndikimi që do të kenë mesataret e provimeve të maturës, si dhe mesataret e lëndëve preferenciale që do të jepen si provime me zgjedhje.

Sipas përcaktimeve të bëra nga ekspertët e këtij universiteti, nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore vlerësohet me 35 për qind të ndikimit, mesatarja aritmetike e shkollës së mesme (për të gjitha vitet) vlerësohet po me 35 për qind të ndikimit, ndërsa mesatarja  aritmetike e lëndëve formuese, të zhvilluara gjatë viteve të shkollës së mesme vlerësohet me 30 për qind, e ndarë përkatësisht për tre lëndët: “Kimi 10 për qind, biologji 10 për qind, si dhe fizikë 10 për qind”.

Kështu, nëse një kandidat jep provim lëndët me zgjedhje: Kimi (bërthamë), Fizikë (bërthamë), Biologji (bërthamë), nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.15.

Për rastet kur jep po këto lëndë si provime me zgjedhje, por që janë të nivelit të thelluar, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.25. Ndërsa në rastet kur kandidati jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga këto tre lëndë të përmendura, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1”.

Çka do të thotë se më shumë vlerë gjatë plotësimit të formularit A1 apo A1Z, për dy provimet me zgjedhje, do të kenë lëndët preferenciale që janë të nivelit të thelluar. Kjo pasi këto lëndë vlerësohen me një koeficient më të lartë, se sa të njëjtat lëndë që janë të nivelit bërthamë, apo krahasuar me lëndët e tjera që dëshironi të jepni.

Lëndët prioritet për degët e Universitetit Politeknik

Përzgjedhja e kandidatëve, që do të aplikojnë në një program studimi në degët e këtij universiteti, do të bëhet duke ju referuar në masën 70 për qind notës mesatare të shkollës së mesme, si dhe në masën 30 për qind mesatareve aritmetike të peshuara të tre lëndëve preferenciale, matematikë, fizikë dhe kimi, në të tre vitet e shkollës së mesme, sipas koeficentëve të dhënë për secilën lëndë.

Mesatarja e matematikës dhe fizikës vlerësohen me koeficientin më të lartë (nota mesatare e thjeshtë e secilës lëndë në të gjitha vitet e shkollës së mesme përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore në provimet e detyruara dhe në  provimet me zgjedhje).

Ndërsa kimia është po ashtu lëndë preferenciale por vlerësohet me koeficient më të ulët.

Në këto kushte, krahas mesatares së shkollës së mesme, gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z, nëse doni të fitoni studimet në degët e këtij universiteti jepni si provime me zgjedhje matematikën dhe fizikën, pasi vlerësohen me koeficientin më të lartë dhe ju sigurojnë më shumë pikë. Mjaft i rëndësishëm është edhe koeficienti i llojit të shkollës së mesme.

Kriteret për fituesit në degët e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Autoritetet e këtij universiteti kanë përcaktuar tashmë formulën zyrtare se si do të përzgjidhen fituesit e rinj të garës së pranimeve për 2017-ën.

Aplikimi në programet e fakulteteve të këtij universiteti do të bëhet në bazë të meritës së kandidatit (mesatarja e shkollës së mesme e sipas vendimit të qeverisë, koeficientit të përcaktuar për shkollën nga vjen (përputhshmëria me fushat dhe programet e studimit të këtij universiteti), notës për lëndët me zgjedhje, si dhe kuotave të përcaktuara për çdo program studimi.

Referuar kritereve të miratuara, saktësohet se mesatarja e shkollës së mesme, si dhe koeficienti për llojin e shkollës së mesme do të koeficentohen me 90 për qind, ndërsa nota e lëndëve me zgjedhje koeficientohet me 10 për qind. Kështu formula shpalljes së fituesve do të jetë: (mesatare e shkollës së mesme + koeficient i shkollës së mesme * me 0.9)+ (notat e lëndëve me zgjedhje * 0.1).

Çdo program studimi i këtyre fakulteteve ka të përcaktuar edhe koeficientin me të cilin vlerësohet shkolla e mesme që maturanti ka kryer.

Çka do të thotë se më shumë shanse për të qenë fitues në degët e këtyre fakultete kanë maturantët që kanë ndjekur profile të ngjashme të shkollave të mesme.

Gara për fituesit në Universitetin e Arteve dhe atë të Sporteve

Ndryshe nga sa ndodh për strukturat e përmendura më lartë të arsimit të lartë, për këto dy universitete, krahas mesatares ndikim të veçantë në shpalljen e fituesve do të kenë pikët e konkurseve individuale që do të zhvillojë secili kandidat përgjatë sezonit të verës.

Për të qenë pjesë e kësja gare, maturantët dhe kandidatët e tjerë që duna të ndjekin këto degë, duhet që të sigurojnë fillimisht mesataren e kërkuar nga qvereia për të hyrë në garë, dhe më pas të fitojnë nivelin e kërkuar të pikëve gjatë fazave specifike të konkursit. Autoritetet e këtyre dy institucioneve janë ende në diskutime, lidhur me kriteret e zhvillimit të konkurseve, të cilat do të bëhen publike në një tjetër moment.

KRITERET PËR FITUESIT NË FAKULTETIN E SHKENCAVE TË NATYRËS

  • Mesatarja e thjeshtë aritmetike e përgjithshme 50 për qind të vlerësimit, e cila përbëhet 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore.
  • Nota mesatare e gruplëndëve 50 për qind të e vlerësimit (kurrikula bërthamë). Në gruplëndët përfshihen lëndët që janë prioritet sipas programeve të studimit që siguron ky fakultet.
  • Programi i studimit Biologji
  • Biologji 30%.
  • Kimi 10%.
  • Fizikë 5%.
  • Matematikë 5%.

Programi i studimit Bioteknologji

  • Biologji 20%.
  • Kimi 10%.
  • Fizikë 10%.
  • Matematikë 10%.

Programet e studimit Kimi, Kimi Industriale dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore

  • Kimi 20%.
  • Biologji 10%.
  • Fizikë 10%.
  • Matematikë 10%.

Programi i studimit Matematikë

  • Nota mesatare e tri viteve të lëndës Matematikë 50%.

Programi i studimit Fizikë

  • Fizikë 20%.
  • Matematikë 20%.
  • Kimi 5%.
  • Biologji 5%.

Programi i studimit Informatikë; Teknologji Informacioni dhe Komunikimi

  • Matematikë 25%.
  • TIK 10%.
  • Fizikë 10%.
  • Biologji 5%.

Programi i studimit Inxhinieri Matematike dhe Informatike

  • Matematikë 30%.
  • Nota mesatare e matematikës në maturën shtetërore 20%.

 

KRITERET PËR TË FITUAR NË DEGËT E FAKULTETIT TË SHKENCAVE SOCIALE
1) Nota mesatare e thjeshte e tri viteve të shkollimit 50 për qind të vlerësimit.
2) Nota mesatare e thjeshte e tri provimeve të maturës të detyrueshme (gjuhë dhe letërsi, matematikë,gjuhë e huaj ) që vlerësohen me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve.
3) Një provim me zgjedhje nga lista e provimeve me zgjedhje 10% e vlerësimit:
• Qytetari.
• Sociologji.
• Filozofi.
• Psikologji.
• Histori (nga kurrikula bërthamë ose e avancuar).
• Gjeografi (nga kurrikula bërthamë ose e avancuar).
• Biologji (nga kurrikula bërthamë ose e avancuar).
• Ekonomi (nga kurrikula bërthamë ose e avancuar).
• Teknologji (nga kurrikula bërthamë ose e avancuar).

Shënim: Nëse maturanti jep dy provime me zgjedhje nga lista e kriterit të tretë, atëherë llogaritja bëhet duke marrë notën mesatare të tyre).

LISTA E INDEKSEVE TE PROFILEVE/DEGEVE, MSH-2017

Udhëzimi për maturën e vjeshtës

Bashkë me paketën informuese të plotësimit të formularëve A1 dhe A1Z, MAS ka detajuar gjatë ditës së djeshme edhe udhëzimin me datat dhe kriteret e dhënies së provimeve të maturës në sezonin e vjeshtës. Katër janë kategoritë që kanë të drejtë të marrin pjesë në provimet e sezonit të vjeshtës, që janë:

“Maturantët dhe kandidatët të cilët rezultuan mbetës në një, ose më shumë provime të maturës shtetërore 2017 të sezonit të qershorit, maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë të vitit shkollor, por me kushtin që provimet e këtyre lëndëve t’i shlyejnë brenda datës 22 gusht.

Në sezonin e vjeshtës do të hyjnë dhe të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti, por që nuk kanë shlyer detyrimet e maturës, si dhe kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, dhe kanë të njësuar dokumentet shkollore nga MAS.

Këta të fundit do të regjistrohen në shkollën ku kanë kryer studimet e mesme, ose në shkollat që u cakton drejtoria rajonale e arsimit. Provimi i parë i detyruar në lëndën e gjuhës së huaj për sezonin e vjeshtës do të zhvillohet në datën 26 gusht.

Tre ditë më pas, përkatësisht në datën 29 gusht, maturantët do të zhvillojnë provimin e dytë të detyruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Më pas në datën 1 shator do të japin provimin e tretë të detyruar në lëndën e matematikës, për të përfunduar me datën 6 shtator me dhënien e provimeve me zgjedhje.

Testi për secilin nga provimet e detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë.

Sipas udhëzimit të MAS, testet e dy lëndëve me zgjedhje kanë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button