Presidenti i ri i Kilit ka lavdëruar Pinochetin, një diktator. Çfarë do të thotë kjo?
Ekspertët thonë se qëndrimet e presidentit të sapo inauguruar Jose Antonio Kast pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë me gjendjen aktuale politike (status quo-në).
Ishte një simbol i fshehur në sy të të gjithëve. Më 24 shkurt, dy javë para inaugurimit të tij si president i Kilit, Jose Antonio Kast prezantoi portretin e tij zyrtar.
Fotoja tregonte liderin 60-vjeçar të veshur me një kostum blu, me shiritin presidencial dhe me një stemë të dukshme të qëndisur në mes.
Kjo ishte e pazakontë, sepse asnjë president që nga rënia e Augusto Pinochet në vitin 1990 nuk kishte pozuar me stemën në shiritin presidencial. Udhëheqësi i fundit që e kishte bërë këtë ishte vetë Pinochet.
Për kritikët, kjo stemë ishte një tjetër shprehje e afërsisë së deklaruar të Kast me ish-liderin e linjës së ashpër.
Por ndërsa Kast betohet në detyrë të mërkurën, analistët pyesin nëse afrimi i tij me Pinochet është një nostalgji për diktaturat e së kaluarës në Amerikën Latine, apo thjesht një shenjë e pakënaqësisë me gjendjen aktuale politike.
Maria Fernanda Garcia, drejtoreshë e Muzeut të Kujtesës dhe të Drejtave të Njeriut në Kili, vuri në dukje se në mbarë botën duket se ka një zhvendosje drejt politikave më të ashpra.
Ajo ia atribuon këtë një “krize të demokracisë”, e cila po ndihmon që “një e kaluar plot tmerr në shumë pjesë të botës të kthehet në diçka që glorifikohet nga njerëz që nuk e kanë jetuar atë”.
“Nuk është ajo që prisnim pas mësimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe konflikteve e diktaturave të tjera,” shtoi Garcia.
Megjithatë, ajo ka vërejtur se veçanërisht të rinjtë po ndikohen nga narrativat reaksionare në rrjetet sociale.
“Sot rebelimi nuk është kundër luftës apo diktaturave, por rebelimi është kundër asaj që është e vendosur,” tha Garcia. “Dhe ajo që është e vendosur është demokracia dhe respekti për të drejtat e njeriut.”
Kush ishte Pinochet?
Kast fitoi zgjedhjet presidenciale të dhjetorit me numrin më të madh të votave në historinë e Kilit. Më shumë se shtatë milionë kilianë votuan për të në raundin përfundimtar, duke i dhënë mbi 58 për qind të votave.
Suksesi i tij erdhi pavarësisht kritikave që kujtonin deklaratat e tij të mëparshme, ku ai kishte shprehur respekt për Pinochet.
Madje, gjatë një gare të mëparshme, Kast kishte spekuluar se nëse Pinochet do të ishte gjallë, “ai do të kishte votuar për mua”.
Pinochet mori pushtetin në një grusht shteti ushtarak në vitin 1973, duke rrëzuar udhëheqësin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kilit.
Gjatë 17 viteve që pasuan, ai zhvilloi një fushatë represioni sistematik kundër kundërshtarëve politikë, duke çuar në vdekjen e më shumë se 3,000 personave. Mijëra të tjerë u burgosën dhe u torturuan.
Kast ishte i ri gjatë kohës së diktaturës. Por edhe atëherë ai mori pjesë në një fushatë rinore për ta mbajtur Pinochet në pushtet.
Megjithëse gjatë garës së fundit presidenciale Kast i minimizoi këto lidhje, marrëdhënia me Pinochet ka qenë pjesë e identitetit të tij politik për shumicën e karrierës së tij.
Felipe Gonzalez Mac-Conell, autor i librit Kast: E djathta ekstreme kiliane, shpjegon se ndikimi i qeverisë së Pinochet lidhet me përqafimin nga Kast të ekonomisë neoliberale dhe qasjen e tij konservatore ndaj çështjeve si krimi dhe të drejtat e grave.
“Ajo që ka përshkuar gjithë projektin e tij politik është një justifikim i vlerave kulturore të diktaturës, politikave ekonomike të diktaturës dhe i disa bashkëpunëtorëve civilë të saj,” tha Mac-Conell.
Madje, disa bashkëpunëtorë të Pinochet janë bërë pjesë e qeverisë së re të Kast.
Para inaugurimit, Kast emëroi dy ish-avokatë të Pinochet, Fernando Barros dhe Fernando Rabat, në kabinetin e tij.
Ata do të shërbejnë respektivisht si ministër i mbrojtjes dhe ministër i drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Pakënaqësi me status quo-në
Megjithatë, trashëgimia e grushtit të shtetit në Kili mbetet një temë përçarëse dhe ekspertët paralajmërojnë se është e vështirë të dihet se sa kilianë e mbështesin sot platformën e Pinochet.
Një sondazh i vitit 2023, nga grupi i kërkimit të tregut Mori Chile, zbuloi se më shumë se një e treta e kilianëvebesojnë se grushti i shtetit i vitit 1973 ishte i justifikuar.
Pinochet ka mbetur një figurë e fuqishme në politikën kiliane – dhe jo vetëm për shkak të Kast.
Gjatë fushatës presidenciale të 2025, për shembull, një tjetër kandidat i së djathtës ekstreme, Johannes Kaiser, shprehu gjithashtu mbështetje për grushtin e shtetit dhe mori 14 për qind të votave në raundin e parë.
Por sipas Mac-Conell, mbështetja për diktaturën nuk është domosdoshmërisht arsyeja kryesore pse votuesit zgjodhën Kast.
Ai beson se Kast erdhi në pushtet për shkak të disa faktorëve, përfshirë dobësitë e së majtës kiliane dhe pakënaqësinë me presidentin në largim Gabriel Boric.
Mac-Conell vuri në dukje gjithashtu se Kast krijoi partinë e tij si një alternativë ndaj status quo-së. Partia Republikane e tij konsiderohet më konservatore se establishmenti tradicional i së djathtës.

Një prirje rajonale?
Politologu peruan Jose Alejandro Godoy, i cili po shkruan një libër për autokracinë në Amerikën Latine, po studion nëse Kast është pjesë e një prirjeje më të gjerë në rajon.
Udhëheqës të tjerë të rëndësishëm në Amerikën Latine kanë përqafuar gjithashtu diktaturat e së kaluarës së vendeve të tyre.
Në Brazil, për shembull, ish-presidenti Jair Bolsonaro lavdëronte hapur diktaturën ushtarake të vendit.
Në Argjentinë, presidenti Javier Milei ka minimizuar krimet që çuan në vrasjen ose zhdukjen e rreth 30,000 personave në vitet 1970 dhe 1980.
Godoy argumenton se ngritja e këtyre liderëve nuk është domosdoshmërisht nostalgji për të kaluarën, por një pasqyrim i zhgënjimit të thellë me politikën aktuale.
“Njerëzit nuk besojnë se politika do të ndryshojë jetën e tyre në afatin e afërt apo të mesëm,” tha Godoy.
Mes kësaj apatie dhe mosbesimi, ai thotë se shfaqen figura që janë më afër një vizioni autoritar.
Godoy përmendi situatën politike në vendin e tij, Peru, ku në prill pritet të mbahen zgjedhje të reja presidenciale.
Një nga favoritët është Keiko Fujimori, vajza e ish-presidentit Alberto Fujimori, një lider i diskutueshëm që shpesh është dënuar si diktator.
Sloganet e fushatës së saj theksojnë forcën dhe stabilitetin.
“Le të vendosim rend në Peru,” thotë një slogan. Një tjetër është thjesht: “Forca e rendit.”
Fujimori u dënua në vitin 2009 për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë përdorimin e skuadrave të vdekjes.
Megjithatë, sipas Godoy, gjithmonë ka ekzistuar një pjesë e shoqërisë që i minimizon shkeljet e të drejtave të njeriut në favor të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Në Kili, shtoi ai, situata është e ngjashme: tërheqja e Kast nuk lidhet aq shumë me nostalgjinë për Pinochet, sa me dëshirën për rend dhe siguri, të cilën Kast e shfrytëzoi me programin e tij të ashpër për sigurinë publike dhe me propozimet për kufizimin e emigracionit.
“Shqetësimi është,” tha Godoy, “që sigurinë mund ta shkëmbesh me liritë civile.”




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.