Ekonomia

Prezantohet drafti i strategjisë së menaxhimit të financave publike 2014-2020

Menaxhimi i financave publike në Shqipëri ka parë përmirësime ndër vite. Progresi i deritanishëm ka qenë më shumë në aspektin teknik dhe ligjor si zbatimi i sistemit elektronik të thesarit, ligji i ri organik i buxhetit dhe i prokurimeve publike etj. Por mbetet shumë për të bërë në forcimin e disiplinës së financave publike. Në ministrin e Financave u prezantua të martën drafti i parë i Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, në prani të ekspertëve ndërkombëtarë nga BE, Banka Botërore, FMN, etj.

Në prezantim merrnin pjesë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, si dhe Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian, Christian Danielsson, etj.

Ministri i Financave Shkelqim Cani gjate prezantimit te strategjise per menaxhimin e financave publike foto Flor Abazaj

Ministri i Financave Shkelqim Cani gjate prezantimit te strategjise per menaxhimin e financave publike foto Flor Abazaj

“Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike që po diskutojmë sot, fillimisht me partnerët tanë kryesorë ndërkombëtare, pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Gjej rastin të falenderoj të gjithë partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetjen e reformave të marra nga vendi ynë në kuadër të manaxhimit të financave publike”, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani në fjalën e tij.
Sipas tij, BE ka treguar gatishmërinë e mëtejshme për të mbështetur vendin tonë nëpërmjet “Budget Support”, në kuadër të IPA II, bazuar në përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik.
Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike, përshkruan iniciativat kyçe të reformës që do të zbatohet deri në vitin 2020. “Ne kemi filluar tashmë zbatimin e një sërë masash të rëndësishme të reformave në drejtim të forcimit të financave publike si pjesë e marrëveshjeve me FMN/BB, ku mund të përmendim efektet vjetore të kontrollit të angazhimeve dhe përmirësimin e menaxhimit të thesarit”, u shpreh më tej ministri Cani.
Ruajtja e stabilitetit makroekonomik renditet në krye të listës së prioriteteve të Qeverisë. Kuadri fiskal i qëndrueshëm dhe i matshëm do të sigurojë që ky objektiv të arrihet me sukses.

“Duke pasur parasysh këto objektiva, është thelbësore të sigurohet që shpenzimet publike të jenë të strukturuara në mënyrë te tillë që të maksimizohet ndikimi i zhvillimit në ekonomi. Prioritet të lartë do të ketë restaurimi i integritetit të procesit të PBA- së dhe rritja e rolit të saj si një gjithëpërfshirës për realizimin e buxhetit vjetor”, deklaroi Cani, duke shtuar, se në këtë kuadër kemi filluar aplikimin e masave për parandalimin e detyrimeve të prapambetura.
Ministria e Financave, sipas Canit, do të vazhdojë përpjekjet për forcimin e menaxhimit të të ardhurave duke riorganizuar kornizën legjislative si dhe reformimin e administratës tatimore dhe doganore. Ndërsa borxhi dhe menaxhimi i cash-it pritet të përmirësohet përmes miratimit të masave dhe procedurave më të mira si dhe përmirësimin e sistemeve elektronike.

Ministrja e Integrimit, Kljada Gjoshaj foto Flor Abazaj

Ministrja e Integrimit, Kljada Gjoshaj foto Flor Abazaj

“Falënderojme partnerët ndërkombëtare të zhvillimit të Shqipërisë, ne veçanti BE, FMN, BB, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. Shpresojmë që partneriteti jonë të ketë vazhdimësi në kontekstin e zbatimit efektiv të reformave të planifikuara”, tha në fund të fjalës ministri.
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, rikonfirmoji mbështetjen e partnerit tonë, Bashkimit Evropian në këtë hap të rëndësishëm që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë në procesin e integrimit.
“Caktimi i një fondi të veçantë për të mbështetur reformën e menaxhimit të financave publike përmes sektorit të mbështetjes buxhetore të asistencës financiare IPA II, është lajm i vërtetë i mirë jo vetëm për realizimin e kësaj reforme.Kjo është një shenjë e qartë se Bashkimi Evropian është i bindur se kjo qeveri do të mundësojë një përdorim të mirë të ndihmës financiare që vjen nga qytetarët evropianë”, u shpreh ministrja Gjosha.

Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian foto Flor Abazaj

Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian foto Flor Abazaj

Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian, shprehu mbështetjen e tij ndaj reformave te paraqitura në prezantimin mbi Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike.
Ai i vuri theksin te rëndësia që kanë këto reforma për vendin tonë, për sigurimin e një stabiliteti makroekonomik.
“Menaxhim më të fortë të financave publike, transparenca te raportimet financiare dhe reformat në administrimin e taksave duhet të mbeten prioritet”, u shpreh Danielsson, duke e vendosur më tej theksin te respektimi i të drejtave të autorit në një masë më të madhe apo dhe lufta ndaj korrupsionit. Sipas tij politikat e menaxhimit të financave publike në periudhën afatgjatë kanë rëndësi të veçantë në ekonomi dhe siguroi mbështetjen e institucioneve që përfaqëson.
Strategjia

Prioritet i lartë do te jepet për përmirësimin e sistemeve të kontabilitetit dhe raportimit, përmes përmirësimit të standardeve kombëtare, përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontabël të sistemeve ekzistuese (AGFIS në AFMIS) si dhe do të zgjerohet gradualisht përdorimi i këtyre sistemeve për të përfshirë një grup më të gjerë institucionesh buxhetore.
Transparenca, efektiviteti dhe efiçensa e shpenzimeve publike do të rritet me forcimin e mëtejshëm të auditimit të brendshëm dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm në nivelet e pushtetit qendror dhe vendor.
Rritja e përmirësimit të informacionit fiskal dhe riorganizimi i qasjes nga Parlamenti dhe palët tjera të interesuara, do të rrisë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e mbikëqyrjes së buxhetimit.
Në kuadër të mbikëqyrjes efektive të menaxhimit të financave publike, janë planifikuar masa të tjera strategjike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Parlamenti.
Ndëkohë që përgjegjësia kryesore i mbetet Ministrisë së Financave, funksionet e menaxhimit të financave publike do të koordinohen ngushtësisht me institucionet e tjera qeveritare, duke përfshirë Departamentin e Administratës Publike, Agjencinë e Prokurimit Publik, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, si dhe institucione të pavarura publike (KLSH dhe Parlamenti). Kështu përgjegjësia e përgjithshme për reformën e Menaxhimit të Financave Publike do të ndahet me subjektet e tjera qeveritare përkatëse.
Shqipëria renditet e 116-ta nga 177 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International” duke marrë 31 pikë nga 100 të mundshme. Pika më e dobët mbetet integriteti, ose thënë ndryshe korrupsioni. Korrupsioni ul ndjeshëm eficiencën e shpenzimeve publike dhe pengon zhvillimin e vendit. Për rrjedhojë, një nga temat qendrore të reformave të menaxhimit të financave publike është kufizimi i mundësive për korrupsion.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button