Ekonomia

Projekti 618 milionë euro i gazsjellësit IAP, Shqipëria dhe Mali i Zi me sytë nga BE për financimin

Gazsjellësi Jonian-Adriatik ka mbledhur në Tiranë palët e përfshira direkt në këtë projekt siç janë vendet që do të ndërlidhë si dhe ambasadorë dhe donatorë. Në fjalën e tij Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka vënë theksin tek gazifikimi dhe rritja e sigurisë energjetike të vendit.

Në takim morën fjalën edhe ambasadorët Donald Lu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Romana Vlahutin e Delegacionit të BE në Tiranë, të cilët vlerësuan ecurinë e deritanishme të projektit TAP si dhe projektet e gazifikimit për të cilat Shqipëria ka shprehur ambicie.

Projekti IAP

Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik(Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë mesistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).

Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 mil. EUR. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë Euro.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të beje te mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë jugore dhe Bosnjë e Hercegovina, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.

Ky projekt transmetimi per furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.

Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkon në drejtim të veriut duke arritur Tiranën, duke vazhduar me tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe shkon në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloçe në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veri-perëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit(Kroaci).

Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, në bashkërendim edhe me DG ENERGY, kanë përgatitur dhe kanë paraqitur një propozim të përbashkët për financim nga WBIF (Raundi 15) për projektet kryesore teknike të pjesës Shqipëri dhe Mali i Zi të projektit IAP.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button