Projekti i ri, autobusë elektrikë për transportin urban në Tiranë
Në Ditën Ndërkombëtare “Pedalo për në punë”, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me shoqatën “Together for life”, organizuan një marshim sensibilizues me biçikleta me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e mjeteve alternative të transportit, si një nga faktorët kontribues në ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Deëi Van De Weerd, theksoi se me hapjen e Bulevardit të Ri nuk ka arsye që qytetarët t’i shmangen përdorimit të biçikletave dhe mjeteve të transportit publik, i cili është modernizuar. “Sot linja e Tiranës së Re i është rikthyer itinerarit normal. Kemi shkuar nga 200 në 290 autobusë dhe brenda këtij mandati po bëjmë çmos që të fusim një linjë autobusësh elektrikë me 0 ndotje për qytetin, që do të ishte ndoshta transporti më i pastër që kemi pasur ndonjëherë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.
Veliaj deklaroi se falë mbështetjes dhe nismave të Bashkisë së Tiranës, numri i atyre që përdorin biçikletat është trefishuar. “Sot jemi në një situatë ku komuniteti i atyre që përdorin biçikletën, është trefishuar. Para dy viteve komuniteti ishte shumë i vogël, trefishi i 1%, është vetëm 3% e popullsisë. Do të thotë se ka ende shumë punë për të bërë. Megjithatë, trendi është inkurajues, por është shumë e rëndësishme që secili prej nesh në rrethet ku ka influencë, në klasën e vet, në shkollë, në lagje të promovojë biçikletën”, tha Veliaj, duke shtuar se ndotja është ulur me 15%.
Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi ka nisur puna për projektin e investimeve për korsitë e dedikuara, të cilat do të rrisin sigurinë e të gjithë atyre që në vend të automjeteve private, preferojnë të pedalojnë. “Bashkia e Tiranës sapo ka filluar projektin e investimeve për korsi të dedikuara, por edhe të mbrojtura, për t’u siguruar që eksperienca e transportit me biçikletë dhe ata që zgjedhin këtë alternativë të kenë garanci për një udhëtim të sigurtë”, u shpreh ai.
Veliaj dha një lajm të mirë edhe për të vegjlit, teksa bëri të ditur se më 10 qershor do të hapet edhe sheshi “Skënderbej” që do të jetë hapësira më e madhe pedonale. “Falë eksperimenteve të ditëve pa makina me fëmijët arritëm në një koncept të sheshit “Skënderbej” që do të jetë hapësira më e madhe pedonale. Nga 10 qershori fëmijët mund të vinë ta mësojnë aty biçikletën”, deklaroi kryebashkiaku.
Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që do të ketë në parkingjet e saj nëntokësorë edhe karikues elektrikë, me synim promovimin dhe nxitjen e përdorimit të automjeteve që janë miqësore me ambientin. “Në dy parkingjet e reja, parkingu në sheshin “Skënderbej” dhe parkingu nën Bulevardin e Ri, do të kemi për herë të parë karikues elektrikë për ata që kanë makina elektrike dhe karikimi do të jetë falas. Sigurisht, këtë e bëjmë për të promovuar ata që konsiderojnë të blejnë makinën e tyre në të ardhmen, që të përdorin një makinë elektrike. Duam të kalojmë direkt te makinat elektrike si një mënyrë për të promovuar një transport të pastër dhe miqësor ndaj mjedisit”, përfundoi Veliaj.